15:30, 15 Dhjetor 2019

Bisedimet e gjata ndërkombëtare, të zhvilluara në kuadër të Samitit të Kombeve të Bashkuara në Madrid, kanë përfunduar me një marrëveshje kompromisi.

Sidoqoftë, disa pika problematike janë lënë jashtë akordit, transmeton Klan Kosova.

Delegatët e lodhur nga diskutimet e gjata arritën marrëveshje për disa çështje të rëndësishme rreth rritjes së masave globale për zvogëlimin e gazrave të karbonit.

Të gjitha shtetet do të jenë të detyruara të caktojnë zotime të reja klimatike në kohën kur të mbahet samite i radhës i kësaj natyre në Glasgow të Skocisë vitin e ardhshëm.

Pas dy ditëve shtesë të bisedimeve, të cilat u mbajtën ditën dhe natën, delegatët më në fund arritën marrëveshje për plane të reja dhe të përmirësuara për luftimin e gazrave të karbonit deri në vitin e ardhshëm.

E përkrahur nga Bashkimi Europian dhe disa shtete të vogla ishullore, nisma për ambicie më të mëdha për zvogëlimin e gazrave të karbonit u kundërshtua nga disa fuqi të mëdha, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën, Indinë dhe Brazilin.

Siç shkruan BBC, kompromisi u arrit me kushtin që shtetet e pasura thjesht ta dëshmojnë mbajtjen e premtimeve për masat klimatike për vitet e kaluara.

Megjithatë, shumë pjesëmarrës në këtë samit nuk ishin të kënaqur me rezultatin e arritur gjatë bisedimeve, duke thënë se ai nuk i përgjigjet si duhet urgjencës së shpallur nga shkencëtarët.

Konkurs Pune

Lexo më shumë