11:14, 9 Shkurt 2019

Numri i peshkaqenëve mund të rritet së shpejti në Hawaii. Ligjvënësit e Honolulus e kanë miratuar një propozim për ndalimin e vrasjes së peshkaqenëve në ujërat territoriale të këtij shteti.

Ky ligj parasheh mbrojtjen e të gjitha llojeve të peshkaqenëve dhe nuk e përcakton ndonjë lloj të veçantë. Nëse miratohet, ligji mund të jetë i pari i këtij lloji në Shtetet e bashkuara të Amerikës. “Këto krijesa të mrekullueshme po zhduken para syve tanë dhe njerëzit nuk po e kuptojnë se çfarë janë duke humbur”, tha Ocean Ramsey, aktiviste për mbrojtjen e peshkaqenëve, përcjellë Klan Kosova.

Përpos vrasjes së peshkaqenëve, ligji dënon edhe zënien, mbajtjen dhe lëndimin e tyre. Sipas aktivistes, sjellja e peshkaqenëve keqkuptohet nga njerëzit. “Çdo krijesë në oqean largohet prej njerëzve, por njerëzit mund të kenë kontakt me peshkaqenët sepse ata janë grabitqarë dhe nuk frikësohen nga njerëzit”, thotë ajo.

Mishi i peshkaqenit nuk është ushqim i famshëm, por Ramsey thotë se ka parë peshkaqenë të ngordhur në bregdet për shkak se peshkatarët po i përdorin ata si karrem për ta zënë një lloj të peshkut të madh, shkruan “The Guardian”.