NATO "dëbon" spiunët rusë dhe rikthen "linjat e nxehta" - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

NATO “dëbon” spiunët rusë dhe rikthen “linjat e nxehta”

NULL NULL
11/05/2015
NATO do të rikthejë në funksion të ashtuquajturat “linjat e nxehta”, që gjatë Luftës së Ftohtë shërbenin për të vendosur kontakt të drejtpërdrejtë mes ushtarakëve perëndimore dhe atyre në Moskë.

Ky kontakt shërbente për të reduktuar përshkallëzimin e tensioneve ushtarake dhe me të njëjtin objektiv do të rivendoset. Shkak për këtë është bërë rritja e ndjeshme e tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit, që prej nisjes së krizës në Ukrainë dhe pas aneksimit të gadishullit të Krimesë.

Paralelisht me përpjekjet për të vendosur kontaktet të drejtpërdrejta me ushtarakët e lartë rus, NATO synon edhe të ‘pastrojë’ zyrat e veta. Në Bruksel dyshohet se janë me dhjetra spiunë që punojnë për llogari të Moskës.

“Është me rëndësi që të kemi kontakte të drejtpërdrejta ushtarake në një situatë normale për të qenë të përgatitur, që kur të ndodhë diçka jonormale ta sqarojmë atë dhe të shmangim daljen e situatës nga kontrolli. Jemi duke punuar që të vendosim këto linja 24 orë në 24. Po punojmë dhe duam të sigurohemi që të jenë funksionale në rast nevoje”- u shpreh në një intervistë dhënë “The Guardian”, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Megjithatë pavarësisht vendimit për të rihapur “linjat e nxehta”, apo siç njihen ndryshe edhe si “linjat e emergjencës”, në Bruksel NATO ka ndërprerë kontaktet me diplomatët dhe oficerët rusë, që brenda vitit do të duhet të boshatisin pjesën më të madhe të zyrave të tyre në godinën e Aleancës.

“The Guardian” shkruan se zyrtarë dhe diplomatë të NATO-s thonë privatisht se më shumë se gjysma e personelit të delegacionit rus dyshohet se punon për shërbimet sekrete. Dyshimet shtohen më shumë nga mungesa e një informacioni të qartë se prej sa anëtarësh përbëhet delegacioni i Moskës në zyrat e NATO-s. Vetë Rusia thotë se është 37, diplomatë të vendeve anëtare thonë 61, të tjerë shkojnë deri në 90.