13:20, 21 Janar 2020

Luhet sot çerekfinalja e parë e Kupës së Italisë, Napoli-Lazio, një sfidë që pritet me mjaft interes për të parë se si do shprehen skuadra në fushë dhe që premton spektakël, lojë të bukur e gola të shumtë.

Napolitanët vijnë në një nga momentet më të errëta të viteve të fundit dhe nuk fitojnë prej kohësh një ndeshje kampionati në “San Paolo”, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Kupën e Italisë apo për Ligën e Kampionëve.

Pas humbjes me Fiorentinën, Gattuso mbajti lojtarët një natë në grumbullim dhe mësohet se ka biseduar gjerë e gjatë me ta, për të kuptuar se si mund të dilet nga kjo situatë, ndërsa sot pret edhe reagimin e parë nga të tijtë.

Nga ana tjetër Lazio është skuadra e momentit në Itali, pasi ka arritur të sigurojë 11 fitore radhazi në kampionat dhe renditet në vendin e tretë me vetëm dy pikë më pak se Interi, ndërsa Kupën e Italisë e shes si objektivin më real për ta arritur.

Takimi do të startojë në orën 20:45 në ekranin e Supersport 2, ndërsa të dy trajnerët pritet të hedhin në fushë formacionet më të mira përkatëse, për të tentuar kalimin në fazën gjysmëfinale.

Po sot, në ekranin e Supersport do të vijën edhe dy takime të vlefshme për javën e 24-t të kampionatit anglez, që janë Sheffield United- Manchester City dhe derbi i Londrës Chelsea- Arsenal.

Sfida e parë do të startojë në orën 20:30 dhe “citizens” do të kërkojnë rikthimin te fitorja, pas hapit fals të hedhur në fundjavë ku nuk shkuan më shumë se barazimi përballë londinezëve të Crystal Palace.

Më pas në orën 21:15 vëmendja do të jetë ne “Stamford Bridge”, ku dy nga skuadrat më të mëdha londineze do të matin forcat me njëra-tjetrën, për të dominuar qytetin dhe jo vetëm.

Chelsea ndodhet në pozita komode në klasifikim, pasi renditet në vendin e katërt dhe ka një distancë prej 5 pikësh nga Manchester United që e ndjek, por “blutë e Londrës” vijnë pas një humbjeje në transfertë ndaj Newcastle dhe do të provojnë reagimin mbrëmjen e sotme.

Krejt ndryshe paraqitet situata te Arsenali, pasi as ardhja e Mikel Artetës nuk ka sjellë ndryshimin që drejtuesit prisnin dhe “topçinjtë” kanë mbetur në vendin e 10 me vetëm 29 pikë, plot 10 pikë larg zonës Champions.

Sot do të jetë ndoshta shansi i fundit i Arsenalit për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në zonën Champions, pasi një triumf në sfidën direkte ndaj Chelseat, do të ngushtonte diferencën mes të dyjave nga 10 në 7 pikë.

Konkurs Pune

Lexo më shumë