Lajmet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se është e vërtet që vëllai i tij ka kërkuar azil në Gjermani dhe këtë e ka bërë për shkaqe shëndetësore, njofton Klan Kosova.
“Në valën e migrimeve, dua të jem i hapur me ju se, kanë shkuar edhe mesa e nipa të mi dhe janë kthyer. Kjo flet se edhe familjarët e mi ndajnë fatin me qytetarët e tjerë, hallexhi, të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Ai më tej ka thënë se do të angazhohet që të gjejë zgjidhje, të liberalizojmë vizat, të tërheq investime për të krijuar vende të punës, të përmirësojmë sistemin shëndetësor dhe që sa më pak qytetarët tanë të kenë nevojë të kërkojnë shërim në forma të tilla jashtë vendit.
Ky është postimi i plotë i Mustafës:
"Qytetarë të nderuar,
Po lexoj në protale se vëllai im paska kërkuar azil për shkaqe shëndetësore jashtë vendit. Kjo është e vërtetë. Më vonë jam informuar nga familja e vëllai, se ai kishte kërkuar qëndrim jashtë vendit, për tu shëruar nga një sëmundje e rëndë, për të cilën nuk gjente shërim në Kosovë. Në vjeshtën e vitit që shkoi ka pasur një ndërhyrje në Tiranë, tani është në Prishtinë, dhe gjendja e tij vazhdon të jetë mjaft e rëndë. Dyshoj se mund t’i ndihmoj as Vehbi Kajtazi me Insajderin, por mund t’ia rëndojë dhembjet e tij të mëdha.
Në valën e migrimeve, dua të jem i hapur me ju se, kanë shkuar edhe mesa e nipa të mi dhe janë kthyer. Kjo flet se edhe familjarët e mi ndajnë fatin me qytetarët e tjerë, hallexhi, të Kosovës. Prandaj si Kryeministër po angazhohem që të gjejmë zgjidhje, të liberalizojmë vizat, të tërheqim investime për të krijuar vende të punës, të përmirësojmë sistemin shëndetësor dhe që sa më pak qytetarët tanë të kenë nevojë të kërkojnë shërim në forma të tilla jashtë vendit.
Përgjegjësia ime është të punoj për të gjetur zgjidhje për qytetarët e mi. I vetëdijshëm për gjendjen e rëndë në të cilën jemi po punoj të intensifikoj kontaktet dhe lidhjet me vendet të cilat mund ta mbështesin zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës. IM"