Mustafa për arkivat: Etiketim i rrezikshëm i UÇK-së, qasja e tillë e paralizon çështjen e të pagjeturve

Mustafa për arkivat: Etiketim i rrezikshëm i UÇK-së, qasja e tillë e paralizon çështjen e të pagjeturve

NULL NULL
nga Albert Bajrami 5 days më parë

Para disa ditësh zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka njoftuar se gjatë takimeve të fundit në Bruksel pala serbe është pajtuar që të hapen të gjitha arkivat, përfshirë edhe ato shtetërore të Kosovës.

Vetë Bislimi tha se kjo nënkuptonte që do të hapeshin edhe arkivat e UÇK-së çka edhe nxiti reagime të shumta nga politikanë, organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shoqëria civile.

Ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në një intervistë për Klankosova.tv, tha se arkivat nuk flasin dhe se duhet të flasin institucionet e Serbisë.

Madje, ai e cilësoi këtë dakordim të palës kosovare për hapje të arkivave shtetërore si barazim të veprimeve të UÇK-së me ato të forcave ushtarake dhe policorë të regjimit serb.

“Të pagjeturit nuk janë çështje e arkivave. Arkivat nuk flasin, duhet të flasin institucionet e Serbisë që kanë urdhëruar rrëmbimet dhe ekzekutimet e njerëzve. Serbia në vitet e nëntëdhjeta ka qenë shtet në Serbi dhe në Kosovë. UÇK nuk mund të vihet në një rrafsh me forcat ushtarake, policore e paramilitare të shtetit të atëhershëm serb. Kjo është jashtë çdo logjike politike, është etiketim i rrezikshëm i UÇK-së. Qasja si e tillë nuk e ndihmon çështjen e të pagjeturve por e paralizon, sepse Serbia kushtëzon në logjikën ofroni ju të pagjeturit serb, që sipas aludimeve dhe provokimeve të tyre duhet të gjenden në arkivat e UÇK-së që pastaj ata të ofrojmë ata shqiptar!”.

Mustafa e ka kritikuar këtë qasje duke thënë se e njëjta nuk e ndihmon çështjen e të pagjeturve.

Ai në këtë intervistë ka thënë se nuk e kupton pse duhet të niset gjithçka nga fillimi duke shtuar se gjatë kohës së Qeverisë Hoti marrëveshja për të pagjeturit ishte pothuajse gati.

“Një qeveri e cila nuk respekton kontinuitet, në çështjet strategjike të vendit, krijon shumë dilema dhe paqartësi. Sa kam patur informata nga kryeministri Hoti dhe koordinatori për dialog, Hyseni, dialogu për të pagjeturit e kishte marrë formën e marrëveshjes, e cila do të bëhej e zbatueshme në momentin kur rrumbullaksohen edhe çështjet tjera si komponente të marrëveshjes për njohje reciproke. Nuk e kam të qartë pse duhet të niset çdo gjë nga fillimi, veçmas nga individë që nuk kanë marrë pjesë në asnjë proces të shtetndërtimit të Kosovës dhe rrëshqasin lehtë”.

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i LDK-së shtoi se qeveria duhet të konsultohet me njerëz që kanë përvojë në dialog duke ndjekur një strategji të qëndrueshme.

“Mendoj se Qeveria do duhej të konsultohet me njerëz që kanë dialoguar për të pagjeturit për të ndjekur një strategji të qëndrueshme. Logjika s’kemi çfarë të fshehim nuk arsyeton vënien në një rrafsh të krimeve serbe me UÇK-në. Sepse të pagjeturit serb nuk gjenden në arkivat inekzistente të UÇK-së. Ata mund të gjenden në veprimet e papërgjegjshme dhe kriminale të individëve”.

Për këtë çështje ka folur edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili tha se Kosova nuk ka se çfarë të fshehë.

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë të cilat i përfshijnë ato gjatë luftës të UÇK-së dhe ne jeni shumë transparentë, mirëpo neve na duhet ta zbardhim fatin e të të pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serb por nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuara, e që janë në arkivat e Serbisë që duhet të hapen një orë e më parë”.