Mustafa kërkon adresim të shpejt të reformës në administratën publike - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Mustafa kërkon adresim të shpejt të reformës në administratën publike

NULL NULL
18/12/2015

Kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e Këshillit të Ministrave për Reformë në Administratën Publike, ku ka kërkuar adresim sa më të shpejt të të gjitha çështjeve që lidhen me këtë reformë dhe që të përcaktohet afati kur do të përfundohen këto çështje para gjysmës së vitit të ardhshëm.

Para anëtarëve të Këshillit, Mustafa ka rikonfirmuar zotimet për përmbushjen e obligimeve në procesin e Reformës së Administratës Publike, që kanë të bëjnë me qeverisjen e mirë dhe me procesin e integrimeve evropiane.

“Ne takimin e parë e kemi mbajtur në margjinën e dialogut me Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti, dhe këtu ne kemi shprehur vullnetin dhe synimet tona që Reforma e Administratës Publike duhet të jetë një prej prioriteteve kyçe të Qeverisë Kosovës.

“Jemi zotuar po ashtu që në një afat të arsyeshëm kohor do ta kompletojmë kornizën strategjike për tri shtyllat kyçe që kanë të bëjnë me Reformën e Administratës Publike. Dhe, unë mund të them se është miratuar Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike, Strategjia për Koordinimin e Politikave si dhe Strategjia për Rregullimin e Mirë, ndërsa, presim që në mesin e vitit të ardhshëm ta miratojmë edhe Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike”, tha kryeministri.

Ai po ashtu, theksoi se kompletimi i të gjitha këtyre strategjive është vlerësuar pozitivisht edhe nga Komisioni Evropian dhe ajo del qartë në pasqyrën e Raportit të Progresit për Kosovën. Mirëpo, siç bëri të ditur kryeministri, mbetet që tani të zbatohen këto strategji dhe të ndërtohen kapacitete buxhetore dhe kapacitete njerëzore për zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e këtyre strategjive.

“Ne e kemi një zotim të Komisionit Evropian që të ndihmojë Kosovën në zbatimin e këtyre politikave në kuadër të instrumentit të ri, përkrahjes buxhetore sektoriale”.
Shefi i Qeverisë ka kërkuar adresim sa më të shpejt të të gjitha këtyre çështjeve duke kërkuar, po ashtu, që së bashku me ministrat përgjegjës të përcaktohet afati kur do të përfundohen këto çështje para gjysmës së vitit të ardhshëm, në mënyrë që pastaj të mos ketë probleme me KE-në në shfrytëzimin e mjeteve dhe në përmbylljen e detyrimeve që janë marrë në këtë fushë, transmeton Klan Kosova.