Lajmet e fundit

Mungesa e ujit të pijshëm prej ditësh po rëndon jetën e banorëve të fshatit Brezna të komunës së Dragashit, të cilët thonë se po detyrohen të udhëtojnë kilometra të tëra për të siguruar ujë për nevojat elementare të familjeve të tyre.
Një banor i zonës, duke shprehur shqetësimin e tij për situatën, për Klankosova.tv tha se edhe fundjava, që sipas tij do duhej të ishte kohë për t’u kaluar me familje, po shndërrohet në një tjetër ditë të lodhshme në kërkim të ujit.
“Një vikend që duhej ta kalonim me familje, sot po e kalojmë duke siguruar ujin e pijshëm. Bidon pas bidoni, kilometra pas kilometrash, vetëm për të siguruar ujë për familjet tona”, shprehet banori.
Sipas tij, kjo situatë nuk mund të konsiderohet më një vështirësi e përkohshme, por është kthyer në një barrë të përditshme për banorët.
“Jeta këtu po bëhet çdo ditë e më e rëndë. Kur një vend të detyron të mendosh për largimin vetëm për shkak të mungesës së ujit, atëherë diçka ka shkuar shumë keq”, thekson ai.
Sipas lexuesit të Klankosova.tv, banorët po kërkojnë reagim dhe përgjegjësi nga institucionet përkatëse, megjithatë, sipas tij, përgjigja e institucioneve për mungesën e ujit ka qenë “thatësia”.
“Ne nuk duam të largohemi nga vendlindja jonë. Ne duam ujë! Uji nuk është luks, nuk është privilegj dhe nuk duhet të kërkohet si favor. Uji është e drejtë dhe nevojë themelore për jetë”, shprehet ai.