Mulhaxha – Kollçaku: Qeveria Hoti dështoi në menaxhimin e pandemisë dhe i ka skaduar afati

Mulhaxha – Kollçaku: Qeveria Hoti dështoi në menaxhimin e pandemisë dhe i ka skaduar afati

2 muaj më parë

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku, ka thënë se Qeveria Hoti dhe Ministria e Shëndetësisë në krye me Armend Zemajn kanë dështuar në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Në Edicionin Special në Klan Kosova, ajo ka thënë se ka deputetë nga pozita dhe opozita që janë të pakënaqur me Qeverinë Hoti dhe se duke parë këtë, mocioni për rrëzimin e qeverisë do të duhet të kishte mbështetje.

“Unë nuk besoj në këtë Qeveri. Ne po diskutojmë për një mocion mosbesimi, por në kohën kur është iniciuar mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti nuk ka pasur arsye sepse sa i përket situatës epidemiologjike kemi qëndruar mirë”.

“Tash po shohim se kjo Qeveri nuk është në gjendje ta menaxhojë situatën me pandeminë dhe e kemi humbur besimin në të”.

Sipas deputetes Mulhaxha – Kollçakut, Qeveria Hoti brenda ditës ndërmerr vendime kontradiktore.

“I ka skaduar koha kësaj Qeverie dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Ne duke përcjellë subjektin tjetër opozitar [Partinë Demokratike të Kosovës] dhe duke llogaritur në kritikat e tyre, një mocion për rrëzimin e kësaj Qeverie do të duhej të kishte shumë përkrahje”.

“Është për habi nëse një subjekt opozitar tërë kohën kritikon, por kur vjen puna tek mocioni i mosbesimit e bën krejtësisht të kundërtën”.

“Nëse përfundon hipokrizia dhe nëse duan të veprojnë ashtu siç flasin – nëse është kjo pakënaqësi kaq e madhe – atëherë mendojmë se mocioni pa problem do të kalojë”.

“Nëse vazhdon çështja e pazareve; atëherë nuk pres shumë. Por nëse deputeti i qëndron besnik asaj që flet – mocioni pa problem do të kalojë”.

klankosova.tv