22:11, 16 Tetor 2019

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, duke folur për procesin e votimit jashtë vendit ka thënë se në këtë proces nuk mund të përjashtohen manipulimet.

“Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e tha sot që ky proces është shumë lehtë i manipulueshëm sepse nuk ka një kontrollë ashtu siç do të duhej ta kishte. Përveç kësaj, është një lloj euforie dhe emocionaliteti që i përcjellë votimet në diasporë – posaçërisht edhe nga fuqizimi i rrjeteve sociale”.

“Për këtë arsye, nuk është e çuditshme që Lëvizja Vetëvendosje e ka fituar shumicën e votave sepse ajo i ngërthen të gjitha këto elemente – patriotizmin, nacionalizmin, një lloj euforie për ndryshime radikale pozitive dhe një zhgënjim total me legjislaturën e kaluar”.

“Janë disa elemente që Vetëvendosja i mishëron, prandaj edhe e ka marrë numrin më të madh të votave duke e llogaritur edhe aktivizmin e saj në rrjete sociale për dallim nga partitë e tjera”.

Muhaxhiri në Analizën Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se sipas të dhënave zyrtare del se votat e diasporës nuk do të jenë faktor vendimtar për përcaktimin e fituesit dhe radhitjen përfundimtare të partive – ashtu siç u pretendua se do të jetë.

“Sipas shifrave, i bie që votat nga diaspora të jenë 1,5 – 1, 6 % e votave totale. Pra, nuk është ajo që u përmend në fillim të zgjedhjeve, se votat nga diaspora do të jenë një lloj katalizatori, ndryshuesi dhe vendimmarrësi i rezultatit final”.

“Votat e diasporës për përcaktimin e fituesit nuk do të jenë decisive”.

Muhaxhiri ka thënë se duhet të ndryshohet mënyra e votimit nga diaspora.

“Duhet që votimet të bëhen si në vendet e tjera, pra të bëhen në ambasadë ku duhet të ketë përfaqësues të KQZ-së, veçanërisht në vendet ku ka shumë diasporë, si dhe përfaqësues të partive politike”.

“Kjo do të mund ta mobilizonte më shumë diasporën, por edhe ta garantonte votën”.

“Po ashtu do ta bënte garën në diasporë më valide. Partitë do të mund të mobilizoheshin në mënyrë që t’i ofronin diasporës ndonjë ndryshim pozitiv për kundërvlerë të votës”.

“Përmasa euforike që ka marrë, procesi lehtë i manipulueshëm, ndikimi i madh i rrjeteve sociale dhe një lloj emocionaliteti i tepruar ka bërë që të ketë ndoshta edhe një disproporcion”.

“Nëse diaspora do që të ketë rol në vendimmarrje dhe nëse partitë politike dëshirojnë që të përfitojnë, atëherë kjo duhet të sistematizohet sepse kështu është një mjegullnajë që mund të sjellë edhe zhgënjim”.

Analisti politik Muhaxhiri ka folur edhe për ndarjen e pushtetit mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, nëse hyn në kombinim edhe koalicioni Nisma-AKR-PD, nëse kjo e fundit e kalon pragun zgjedhor.

“Nëse janë 12 ministri –  ashtu siç u deklarua nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani me premtimin që do të zvogëlohet numri i ministrive – dhe dy ministri u takojnë pakicave, atëherë LDK-së dhe Vetëvendosjes ju mbesin 10 ministri”.

“Në ndarjen 6 me 4 dhe me përfshirjen eventuale të Nismës, këta numra do të ndryshojnë”.

“Gjithçka varet prej marrëveshjes që do ta bëjnë me Fatmir Limajn ose Behgjet Pacollin, por kjo ndarje fillestare ministrive në raport 6 me 4 do të ndryshojë. Natyrisht se me premtimin e Albin Kurtit që ta mbajë Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme i zvogëlohet për së tepërmi hapësira për të ndikuar në pjesë të tjera”.

“Do të duhet që të heqë dorë nga një pjesë e pushtetit. Në ndërkohë, nëse rritet numri i ministrave dhe zëvendësministrave thyhet premtimi që ata e patën në fillim për zvogëlimin e ministrive”.

“Unë jam i bindur që edhe kësaj here do të jetë ajo formula ku përfaqësuesit e koalicionit qeverisës merren vesh që ta kenë një lloj autonomie në ministritë që udhëheqin. Kjo do ta zvogëlojë edhe më tepër ndikimin  e kryeministrit Albin Kurti në ministritë e LDK-së dhe Nismës”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë