Muhaxhiri: "Këto zgjedhje do të jenë test për populizmin" - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Muhaxhiri: “Këto zgjedhje do të jenë test për populizmin”

NULL NULL
16/08/2019

Vendimi i Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë në dorëheqje, Endrit Shala, për vendosjen e reciprocitetit ekonomik ndaj Maqedonisë së Veriut në patate dhe mjaltë, po konsiderohet populist.

Analisti politik Artan Muhaxhiri, në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, u shpreh se politikanët kosovarë merren me bllokada dhe populizëm në vend që të bëjnë strategji për krijimin e mundësive që kompanitë dhe brendet prestigjioze botërore të mendojnë për të investuar në Kosovë.

“Kjo është politikë primitive dhe duket se veç këtë dinë ta bëjnë mirë politikanët tanë – bllokada dhe populizëm”.

“Rajoni ynë po zhvillohet ekonomikisht, Erdogani paralajmëron investime prej 3 miliardë euro në Serbi, ndërsa politikanët kosovarë bëjnë bllokada sepse është mënyra e vetme për t’u faktorizuar”.

“Nuk ka ndonjë marrëveshje që të nxiten investime nga ndonjë kompani ose brend i njohur. Nëse në Kosovë do të vinte një brend i madh amerikan, gjerman a francez, do të ishte shumë mirë për imazhin e shtetit tonë, por kjo klasë politike nuk bënë asgjë, vetëm me taksa e bllokada. Duket se dikush i ka bindur se kështu do të fitohen votat. Kjo është propagandë puro”.

“Nëse je Amerikë, Gjermani, Rusi apo Kinë, mund të bësh bllokada dhe bota ekonomike do të tronditet, por si Kosovë – që nuk të zë as radari i investimeve – aktet e tilla janë zhgënjyese. Kjo qeveri ka marrë hov me këto bllokada”.

“Përgjithësisht, politikanët tanë nuk kanë kauza konkrete që synojnë përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, por qëndrime abstrakte, të gjeneralizuara dhe me nuancime populiste. E shohim vazhdimisht që nuk e përmendin asnjë shifër precize dhe të verifikueshme. Vetëm fjali populiste pa përmbajtje dhe pa afate, pasi aty e kanë bazamentin – me atë fillojnë dhe me atë përfundojnë”.

“Në zgjedhje e gjithë shpresa do të jetë te qytetari. Ai duhet të vlerësojë se sa i ka ndihmuar populizmi, sa vende të punës i ka hapur taksa, etj”.

“Këto zgjedhje do të jenë test për populizmin. Nëse partitë populiste fitojnë vota me këtë qasje, atëherë edhe partive tjera do t’iu imponohet që në të ardhmen në një masë të veprojnë njëjtë. Por, nëse votuesi do të jetë kritik, atëherë qeveria që vjen nuk do të bëjë hapa të tillë pasi nuk do të shpresojë se populizmi do t’i kthehet suksesshëm në votë”.

“Mendoj që qeveria e re e Kosovës nuk do të mund të formohet nëse nuk do ta garantojë heqjen e menjëhershme të taksës. Do të jetë kusht i aleatëve tanë që taksa të largohet me automatizëm në mënyrë që të rifillojë dialogu me Serbinë, të arrihet marrëveshja finale dhe të shkohet drejt normalizimit të të gjithë rajonit tonë”.