22:14, 15 Tetor 2019

Sociologu Artan Muhaxhiri ka thënë se shkuarja e Albin Kurtit në Stadiumin “Fadil Vokrri” për herë të parë në mbështetje të “Dardanëve” në ndeshjen Kosovë – Mali i Zi  ishte diçka që mund të konsiderohet sa normale, aq edhe absurde.

“Ajo ishte një pamje e mrekullueshme për të gjithë ata që e duan realizmin në politikë. Ishte edhe shumë normale, edhe aspak normale”.

“Ishte shumë normale sepse për një person i cili është politikani më i rëndësishëm aktualisht, i ka fituar zgjedhjet dhe e ka marrë legjitimitetin më të madh të qytetarëve e ka obligim që të jetë në një stadium të mbushur ku nëse e shohim proporcionalisht pjesa më e madhe e atyre tifozëve kanë qenë edhe votues të tij”.

“Në anën tjetër, është absurde që është hera e parë që shkon. Albin Kurti ka qenë i pari edhe në vitin 2017 dhe ne i dimë statuset kur luante në të njëjtën natë edhe Kosova edhe Shqipëria dhe Kurti fliste vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën e injoronte”.

Muhaxhiri në Analizën Zgjedhore të Klan Kosovës ka treguar edhe si e sheh ndryshimin e Albin Kurtit karshi Kombëtares së Kosovës në futboll.

“Më vjen shumë mirë që Albin Kurti e ka pranuar këtë realitet shtetëror – të identitetit shtetëror. Identiteti kombëtar është diçka tjetër nga ai shtetëror. Ka plot raste kur identiteti kombëtar dhe ai shtetëror janë të njëjtë, por ka edhe raste edhe kur dallojnë – si në rastin e Kosovës aktualisht”.

“Albin Kurti ndryshoi sepse e pa që ky zhvillim i futbollit të Kosovës dhe ky emocion, kjo peshë dhe fuqi të cilën po e jep futbolli dhe djemtë e Kosovës është e painjorueshme. Nuk mund të injorohet sepse nuk ka logjikë”.

“I pëlqeu ose jo, Albin Kurti si një person i cili e ka legjitimetitin e qytetarëve është i obliguar që ta respektojë atë. Ishte respekt i gjithë atij entuziazmi, emocioni dhe i gjithë atyre njerëzve që ishin aty”.

Sociologu Muhaxhiri ka folur edhe për identitetin shtetëror krahas atij kombëtar.

“Identiteti është konstrukt, marrëveshje mes qytetarëve dhe i fuqishëm aq sa investohet në të. Nëse ka elemente të cilat e fuqizojnë një identitet të caktuar sepse njerëzit kanë disa lloje identitetesh – identitet kombëtar, qytetar, gjinor dhe profesional – dhe kur në një moment të caktuar vendos ta fuqizosh një identitet të caktuar është në rregull”.

“Sa i përket identitetit shtetëror të Kosovës, secili sukses i sportistëve të Kosovës e fuqizon këtë identitet. Por, mos të harrojmë që edhe institucionet e Kosovës të cilat shpenzojnë tre miliardë euro në vit e fuqizojnë këtë identitet”.

“Demografia, rinia e cila rritet në një Kosovë pa një lloj emocioni aq të fuqishëm siç e kemi pasë ne deri në vitet ’99 edhe kjo ndikon. Janë shumë elemente që ndikojnë në fuqizimin e identitetit kosovar”.

“Nëse dikush dëshiron që ta fuqizojë identitetin e Shqipërisë duhet t’i bëjë këto investime në këtë identitet, pra duhet t’i bindë qytetarët e Kosovës që ky identitet të ketë përparësi para një identiteti tjetër”.

Por, a beson Artan Muhaxhiri që Kosova vërtetë mund të kualifikohet në EURO 2020?

“Do të ishte një mrekulli që i gjithë ky entuziazëm dhe ndjenjë e mirë kolektive të kurorëzohej me shkuarjen në Europian. Do të ishte një moment i ri për shtetin e Kosovës, si dhe motiv për të gjithë ata fëmijë të vegjël që luajnë futboll”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë