Mospërfundimi i mandateve nga qeveritë - pasojat dhe sfidat e mbajtjes së zgjedhjeve të shpeshta

Mospërfundimi i mandateve nga qeveritë – pasojat dhe sfidat e mbajtjes së zgjedhjeve të shpeshta

NULL NULL
nga Liridona Gashi 2 months më parë

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, asnjë qeveri nuk e ka përfunduar mandatin katërvjeçar të saj. Deri para zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021, në vend janë mbajtur katër palë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Zgjedhjet e para pas pavarësisë, ishin mbajtur në vitin 2010 për të vazhduar në 2014-ën, më pas në 2017-ën dhe në 2019-ën.

Me realizimin e gjithë këtyre proceseve është marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për të cilën po del të jetë sfiduese organizimi i shpeshtë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Zëdhënësi për media në KQZ, Valmir Elezi, ka thënë për KlanKosova.tv se ata janë munduar vazhdimisht të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore në këtë aspekt.

“Kjo është bërë e zakonshme, sepse katër proceset zgjedhore parlamentare të pas pavarësisë së Kosovës (2010; 2014; 2017 dhe 2019) janë organizuar brenda një periudhe të shkurtër kohore. KQZ-ja është angazhuar vazhdimisht që të përmbushë detyrimet kushtetuese dhe ligjore edhe në rrethana të tilla, gjë që është vlerësuar në raportet e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë”, ka thënë Elezi.

Arsyet për mospërfundim të mandatave nga Qeveritë janë të ndryshme. Por sipas analistit të njohur politik, Shkëlzen Maliqi, faktori kyç për rrëzimet e shpeshta të qeverive ka qenë rivaliteti i ashpër dhe mosuniteti i partive kryesore shqiptare në vend.

“E para, ne e kemi një skenë politike të përimtësuar në shumë subjekte ku praktikisht, çdo herë qeveritë krijohen përmes koalicioneve të brishta. Para shpalljes së pavarësisë, kur dominonte LDK duke marrë shumicën e votave shqiptare, qeveritë krijoheshin me koalicione të gjera ngase në Vjenë zhvilloheshin bisedimet për statusin e Kosovës dhe lypsej uniteti i spektrit politik. Pas çarjes së LDK-së (nëntor 2006), nuk kemi pasë më parti dominuese, por koalicione pak a shumë të brishta që nuk mund t’i përballonin sfidave të qeverisjes, pasi që koalicionet kanë qenë të zorit dhe jo të pajtimit në parime”.

“Faktori i dytë që kushtëzon brishtësinë e qeverive është obligimi kushtetues i përfshirjes së partive minoritare në çdo qeveri. Kuvendi i Kosovës i ka 120 ulëse, por gara reale e partive zhvillohet për 100 mandate, kurse 20 mandate janë të rezervuara për partitë e minoriteteve ndonëse për nga pjesëmarrja në popullsi e tyre do të duhej t’i takonin vetëm rreth 10 mandate. Për brishtësi kronike më problematik kanë qenë deputetët e komunitetit serb, të dirigjuar nga Beogradi”, është shprehur Maliqi, njofton Klan Kosova.

“Megjithatë, faktori kyç për rrëzimet e shpeshta të qeverive ka qenë rivaliteti i ashpër dhe mosuniteti i partive kryesore shqiptare që nëse do të gjenin gjuhën e përbashkët do të eliminonin obstruksionet e deputetëve serbë. Ka mandate të mjaftueshme shqiptare për të marrë vendime strategjike dhe me interes kombëtar, por kjo nuk ndodhte sepse partitë tona grindeshin dhe vendosnin vija te kuqe për koalicione, duke favorizuar interesat e veçanta ose individuale, gjë që pamundësonte krijimin e qeverive funksionale. Edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, sërish mund të mbetet kjo pengesë kryesore për krijimin e qeverisë stabile që më në fund do ta ketë mandatin e plotë”.

Maliqi për KlanKosova.tv ka deklaruar se mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve mund të ketë pasoja të këqija dhe të mira për qytetarët dhe për shtetin.

“Të këqijat janë ato që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Ndryshimi i shpeshtë i qeverive pamundëson zhvillimin koherent. Qeveritë vijnë me prioritete të ndryshme, njëra qeveri sjell një model për zgjidhjen e problemeve në sektorët ku kemi ngecje, vjen tjetra qeveri dhe i lënë këto projekte në gjysmë, investon në diçka tjetër, ku pastaj edhe këto investime mbeten gjysmake”.

“Mirëpo, janë edhe disa pasoja me efekte kushtimisht këndellëse, sepse partitë politike kanë filluar të vetëdijesohen se duhet të bëhen më pragmatike dhe më realiste, duke kuptuar se duhet t’i përshtaten atyre kërkesave të elektoratit që nuk shpërfaqin interesa të ngushta të këtij apo atij regjioni por që janë me interes të përgjithshëm. Për shembull partitë e kanë kuptuar se duhet të përshtaten dhe rinovohen me kuadra dhe qasje më të përgjegjshme, nëse duan ta rrisin votën. Janë disa tema që asnjë parti më nuk mund t’i bishtnojë, si për shembull zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, luftimi i korrupsionit dhe krimit, angazhimi për funksionalizmin e shtetit ligjor etj..”

“Dobësitë kryesore të sistemit tashmë janë evidentuar dhe elektoratit gjithnjë e më pak mund t’u ofrohen premtimet verbale boshe. Të gjitha partitë, cila më shumë e cila me hezitime, po përtërihen me kuadra profesionale, kanë kujdes që të mos i kandidojnë për Kuvend dhe për poste drejtuese njerëzit që kanë probleme me ligjin, të gjitha e kanë në program edhe vetingun në prokurori dhe gjyqësor… Së fundi po shihet ashiqare se të gjitha partitë, edhe pse vazhdojnë konfrontimet dhe akuzat të ndërsjella, janë më të kujdesshme në përmendjen e vijave të kuqe të bashkëpunimit dhe krijimit të koalicioneve. Rivaliteti dhe mos durimi ende shpërfaqet, por të paktën artikulohet më ndryshe,  kallxohet preferencë ndaj disa partive, dhe jo ndarja e spektrit me vija të kuqe. Kjo sepse partitë e kanë kuptuar se nesër ndoshta do të detyrohen që të bëjnë koalicione edhe me partitë që deri dje zotoheshin se nuk do të qeverisin asnjëherë me to”, ka thënë Maliqi.

Ekonomia e Kosovës dhe zgjedhjet e parakohshme

Partitë politike për të realizuar fushatën e tyre zgjedhore përdorin shuma të mëdha të parave. Pos kësaj, të holla përdoren edhe nga ana e KQZ-së për realizimin dhe organizimin e zgjedhjeve. Në vitin 2019 nga KQZ-ja janë përdorur 5 milionë e  175 mijë e 295 euro në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Këtu më poshtë keni edhe shpenzimet e KQZ-së gjatë viteve tjera:

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DNV) ka thënë për KlanKosova.tv problem në Kosovë mbetet organizimi shumë i shpeshtë i zgjedhjeve, që pastaj e shpërfaq problemin e shpenzimit të dhjetëra miliona eurove në periudha të shkurtra kohore.

“Në pothuajse secilin proces zgjedhor, janë shpenzuar mesatarisht rreth pesë milionë euro, madje me zgjedhjet lokale ku kjo shumë ka shkuar edhe deri në dy-tre milion më shumë. Pjesa më e madhe e mjeteve që ndahen për zgjedhjet në Kosovë janë në kategorinë e pagave, mëditjeve dhe kompensimeve tjera të stafit zgjedhor. Një pjesë tjetër e konsiderueshme alokohet zakonisht për mallra dhe shërbime tjera që ndërlidhen me zgjedhjet. Parë në aspekt krahasues me vendet tjera me sistem të ngjashëm zgjedhor, Kosova nuk shpenzon shumë mjete për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve”.

“Problem në Kosovë mbetet organizimi shumë i shpeshtë i zgjedhjeve, që pastaj e shpërfaq problemin e shpenzimit të dhjetëra miliona eurove në periudha të shkurtra kohore. Vetëm nga viti 2017, përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet e rregullta lokale të këtij viti, Kosova ka shpenzuar, përkatësisht do të shpenzojë, mbi 25 milionë euro, shumë kjo jashtëzakonisht e lartë për një vend me demokraci dhe kulturë jo shumë të avancuar demokratike, dhe me standard të ulët të jetesës”.

“Sa i përket mundësive për kursimin e parave gjatë zgjedhjeve, vlerësoj që ka kategori, sidomos në pagesat e stafit permanent zgjedhor, të cilat do të mund të reduktoheshin, meqenëse si institucion kushtetues, KQZ-ja nuk ka shumë “punë” në pjesën më të madhe të Kosovës. Ndërsa, në anën tjetër, do të duhej që KQZ-ja të shohë modalitete për rritjen e kontrollit të kualitetit ndaj shërbimeve që kontraktohen, meqenëse për shumën që shpenzohet, ta zëmë lidhur me informimin publik, nuk është se janë marrë produkte të barasvlershme dhe që arsyetojnë mjetet e shpenzuara”, ka thënë Cakolli.

Ekonomisti Remzi Smajli ka thënë për KlanKosova.tv se zgjedhjet e përsëritura dhe të parakohshme ndikojnë mjaft negativisht në ekonominë e Kosovës, për çfarë edhe i ka dhënë arsyet.

“Shpenzimi i buxhetit të shtetit, në shumicën e rasteve buxhet i paparashikuar dhe transferimi i fondeve për zgjedhje nga zëra tjera buxhetor (investime apo mallra dhe shërbime). Shpenzimi enorm i mjeteve financiare nga partitë politike dhe kandidatët garues që tejkalojnë shifrën e shpenzimeve zyrtare të KQZ-së. Shmangia e kryerjes së punëve të përditshme të institucioneve, por edhe të biznesit investues. Prolongimi i projekteve investive vetëm në kohën e fushatës”.

Smajli ka folur edhe rreth asaj se si do të mund të shpenzoheshin më pak para për zgjedhje.

“Reduktimi i shpenzimeve në disa drejtime: Funksionalizimi i votimeve online për grupin e votuesve me aftësi të kufizuara, të burgosurit dhe personat zyrtarë në polici dhe ushtri. Digjitalizimi i votës edhe për kategori tjera, sidomos me diasporën. Digjitalizimi i procesit të rinumërimit të votave. Vendosja e barkodeve në fletëvotime dhe kuti të votimit. Reduktimi i pagesave për komisionar dhe reduktimi i pagesave mëditje për zyrtarët e KQZ-së dhe PZAP-it”, ka thënë Smajli për KlanKosova.tv.

Këtë vit më 14 shkurt do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli si të pavlefshme votën e Etem Arifit, ish-deputetit të Kuvendit, për formimin e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së, i cili është në koalicion qeveritar me AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe.