Morina: Mustafa po i kundërshton aktivistët dhe zyrtarët e LDK-së, ky komunikim s’përkon me ‘rugovizmin’ NULL NULL 12.07.2019 19:09 12.07.2019 19:09 Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, sot gjatë ditës ka shpërthyer me një postim në Facebook ku ka folur rreth të gjitha zhvillimeve të fundit në partinë që ai e drejton. Ai në këtë postim të ashpër ka thënë se ata që po e “godasin” LDK-në janë askushi. Madje, ka thënë se “janë individë që edhe në kohën e Ibrahim Rugovës e kanë braktisur LDK-në, janë shëtitur përreth globit të partive tjera, nuk kanë zënë vend askund dhe tani rikthehen për të qenë guardian të “rugovizmit” për interesa të tyre dhe të porositësve”. Si e ka parë këtë postim Bajrush Morina, themelues i portalit Botapress dhe njohës i rrethanave brenda LDK-së? “Kam parë shumë konfuzion te postimi i Isa Mustafës. Ky në fakt nuk është postimi i tij i parë sepse kemi parë edhe postime të tjera me gjuhë shumë më të ashpër”. “Isa Mustafa është dashur ta dijë se në këtë rast nuk po reagon dhe nuk po kundërshton Pal Lekajn, Ramush Haradinajn, Hashim Thaçin ose Kadri Veselin, por në fakt po e kundërshton një pjesë të aktivistëve dhe zyrtarëve të LDK-së”. Por, kush janë këta njerëz që Isa Mustafa nuk po i përmend me emra të përveçëm? “Janë njerëz që kanë qenë dhe janë pjesë e LDK-së. Është e vërtetë që kanë shëtitur nëpër parti të tjera, por janë pjesë e strukturave të LDK-së”. “Nëse kemi parasysh tri ngjarjet e fundit në Prishtinë, Mitrovicë dhe Vushtrri, të pakënaqurit që kanë shpërthyer, qoftë edhe me karrige janë pjesë e strukturave të LDK-së, pra ata janë aktivistë të LDK-së”. “Garuesit janë pjesë e strukturave të LDK-së. Janë pjesë e LDK-së dhe nuk mendoj se janë njerëz të një kategorie të komunikimit si të Pal Lekajt apo të Ramush Haradinajt”. Morina në një lidhje direkte nga New Yorku në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se komunikimi i të parit të LDK-së me anëtarësinë e pakënaqur nuk përkon fare me ‘rugovizmin’. “Edhe në kohën e Ibrahim Rugovës ka pasë njerëz të pakënaqur, por mënyra se si i ka heshtur ose injoruar ata Ibrahim Rugova është në kundërshtim me këtë që po e bën Isa Mustafa”. “Kur e kam pyetur Ibrahim Rugovën me një intervistë se pse nuk po e përjashton Bujar Bukoshin ose Edita Tahirin, ai më ka thënë ‘gjethet e kalbura bien vet në vjeshtë, nuk ka nevojë të lëkunden rrënjët e trungut për t’i shkundur’ dhe ata vërtetë ranë”. “Në një situatë të tillë, nuk duhet edhe Isa Mustafa të komunikojë me një fjalor të tillë me të pakënaqurit në LDK të cilët ndoshta mund të reagojnë edhe ashpër”. Ai ka thënë se ajo që nuk po i pëlqen te Isa Mustafa dhe një pjesë e zyrtarëve të LDK-së është euforia. “LDK-ja është e madhe, e fortë dhe do të jetë e para. Zyrtarët e LDK-së është më mirë të bëjnë më pak fjalë dhe në zgjedhje të marrin më shumë vota”. “LDK-ja nuk ka dalë e para në dy palë zgjedhje. Në momentin kur pakësohen fjalët, mbushen kutitë e votimit dhe LDK del e para, atëherë edhe lavdërimi ka kuptim më të madh”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dy të vrarë e 6 të plagosur në kryeqytet më 2024 - kritikë për masat ndëshkuese (VIDEO) 14 orë më parë