Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Momenti për integrimet dhe njohjet e reja, pozitë e opozitë me qëndrime të ndryshme

NULL NULL
26.02.2023 12:11

Ndonëse konflikti luftarak rus ndaj Ukrainës dhe sidomos pozicioni i Kosovës kundër invazionit rus, ishte parë si mundësi e mirë për rrugëtimin integrues të Kosovës, deputetët e opozitës po konsiderojnë se Qeveria e Kosovës nuk e ka shfrytëzuar këtë moment, qoftë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por edhe rreth njohjeve të reja, posaçërisht nga pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian. Megjithatë, ndryshe thonë nga mazhoranca.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thekson se Kosova nuk e ka shfrytëzuar këtë moment për të përfituar njohje të reja.

“Ka qenë ky momenti i duhur, mirëpo nuk mendoj se qeveria jonë e ka shfrytëzuar sepse tash e dy vjet nuk kemi asnjë njohje dhe asnjë aplikimin në organizata ndërkombëtare dhe aplikimi në Këshillin e Evropës e keni parë që është hequr nga agjenda nga shtetet mike të Kosovës, siç është Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, ajo ka qenë shqetësuese për neve sepse është dashur që qeveria para aplikimit të bisedojë me shtetet mike të vendit…. Ka qenë momenti se tash e dimë se Rusia nuk është anëtare në Këshillin e Evropës dhe të gjithë kanë qenë për, por nuk është shfrytëzuar ky moment, është shqetësuese sepse proceset integruese vetëm po shtyhen që po marrin kohë për të mirat që duhet të vijnë për dy vite qeveri që ka bërë Kurti”, thotë Krasniqi.

Mendim të njëjtë me Krasniqin ndan edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, i cili thotë se po të kishte qenë një kryeministër apo president tjetër, Kosova do të arrinte rezultate në çështjet kryesore integruese.

“Qeveria aktuale nuk e ka shfrytëzuar fare këtë situatë sepse Serbia ka qenë duale në njëfarë forme nuk është solidarizuar plotësisht me Ukrainën, ndërsa nuk i ka vënë sanksione Rusisë dhe në anën tjetër qeveria jonë nuk ka arritur ta shfrytëzojë këtë situatë shumë të volitshme. Mendoj, se po të kishte qenë një kryeministër tjetër, një president tjetër pa diskutim që çështjet kyçe të proceseve të rëndësishme për Kosovën do të ishin zgjidhur”, shprehet deputeti i PDK-së.

E ndonëse ka kritika nga opozita, ndryshe mendojnë nga partia në pushtet.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Agon Batusha shprehet se Kosova e ka shfrytëzuar çdo moment për të avancuar në rrugën e saj integruese drejt BE-së.

Ai thekson se vetë pozicioni i Kosovës karshi Ukrainës, ka aktivizuar BE-në, qoftë për liberalizim të vizave apo edhe për procesin e Berlinit.

“Vetëm pozicionimi ka qenë një ndër arsyet që aleatët tanë të na shohin dhe bota demokratike të na sheh me sy të mirë si republikë, e cila orientohet nga vlerat demokratike të mbrojtjes së shteteve. Për liberalizimin e vizave për shembull ne kemi plotësuar kriteret dhe jemi bllokuar në aspektin procedural politik dhe unë mund të them se menjëherë BE është ‘rienergjizuar’ pas luftës në Ukrainë prandaj ka pasur disa hapa më të shpejtë sa i përket procesit të Berlinit edhe liberalizimit të vizave edhe hapat e shpejtë të qeverisë për të plotësuar apo për të bërë kërkesën për statusin e shtetit kandidat për Bashkimin Evropian… Kosova ka shfrytëzuar secilën mundësi duke pasur parasysh jo vetëm situatën në Ukrainë, por edhe rezultatet brenda Kosovës si në aspektin e lirisë së medies të demokracisë së brendshme, tek lufta ndaj korrupsionit, rendit dhe ligjit gjithashtu”, thotë Batusha.

Më 24 shkurt janë bërë një vjet prej kur ka nisur agresioni rus ndaj Ukrainës, të cilin e ka dënuar edhe Kosova duke vendosur sanksione. Ndërsa, përveç sanksioneve Kosova ka strehuar disa gazetarë ukrainas.

Përndryshe, më 12 maj të vitit të kaluar, Kosova ka aplikuar në Këshillin e Evropës. Kurse, më 15 dhjetor, të po atij viti, vendi ka aplikuar për anëtarësim në BE./Kosovapress

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.