Lajmet e fundit

Kosova po vazhdon me intensitet përgatitjet për duelin e radhës kundër Izraelit, teksa optimizmi në taborin e “Dardanëve” mbetet i lartë.
Futbollisti Milot Avdyli theksoi se ekipi tashmë është kompletuar plotësisht dhe seancat stërvitore po ecin sipas planit të paraparë, transmeton Klankosova.tv.
“Stërvitja ka shkuar shumë mirë, tash jemi kompletuar të gjithë lojtarët, edhe të cilët kanë luajtur më shumë minuta. Jemi duke u përgatitur për ndeshjen kundër Izraelit edhe besoj që kemi me dhënë maksimumin", ka thënë Avdyli.
Ai vuri në dukje se stafi dhe lojtarët kanë nisur analizën e thellë taktike të kundërshtarit, duke theksuar se pavarësisht vështirësisë së ndeshjes, cilësia brenda grupit garanton shanse të mira për sukses.
“E kemi analizuar sot ndeshjen, besoj do ta analizojmë edhe nesër para ndeshjes, po normal e shohim si një kundërshtar mjaft të vështirë, po me kualitetin që ne e kemi, besoj që kemi me arritur rezultat pozitiv", tha ai.
Në fund, Avdyli nënvizoi rëndësinë e bashkimit të forcave për të arkëtuar pikët e plota nga ky takim.