Misioni i OSBE-së në Kosovë promovon edukimin medial dhe informativ tek të rinjtë

Misioni i OSBE-së në Kosovë promovon edukimin medial dhe informativ tek të rinjtë

NULL NULL
4 javë më parë

Misioni i OSBE-së në Kosovë përfundoi ligjëratën e tij të dhjetë dhe të fundit online mbi edukimin medial dhe informativ në epokën digjitale, për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në gjuhën serbe në Kosovë.
Leksionet kanë mbuluar dhjetë shkolla në rajonin e Pejës, Gjilanit, Prizrenit dhe Prishtinës dhe kanë përfshirë 155 pjesëmarrës.

Nga Misioni i OSBE-së thuhet se ligjëratat janë mbajtur nga gazetarja Anamari Repić, ligjëratat u mësuan nxënësve se si të ndërveprojnë me mediat në mënyrë kritike dhe si ta analizojnë dhe vlerësojnë përmbajtën mediatike, njofton Klan Kosova.

Ata diskutuan rreth mënyrave se si të kuptohen dhe zbërthehen mesazhet mediatike, stereotipizimi, propaganda e mediave, lajmet e rreme dhe rreziqet e fenomenit të ri të “deep fake”(mashtrimit të thellë).

Dane Koruga, shefi i Seksionit të Mediave në Misionin e OSBE-së, tha se ligjëratat i ndihmojnë studentët që të vlerësojnë dhe të ndërveprojnë në mënyrë kritike me informatat që hasin çdo ditë.

“Ne përpiqemi të angazhojmë profesionistë të medias, studiues, edukatorë dhe aktivistë që të bashkojmë forcat, të zhvillojmë mjete inovative dhe të ndërmarrim iniciativa për të ndihmuar në luftimin e dezinformimit dhe për të inkurajuar një qasje kritike kur bashkëveprojmë me mediat. Në ligjëratat tona, ne i nxisim studentët të jenë të kujdesshëm ndaj pengesave dhe sfidave që vijnë përmes formave të ndryshme të mediave, duke iu dhënë atyre mjete për të kuptuar qëllimet përfundimtare dhe ndikimin që ka përmbajtja mediatike”, tha Koruga.

Misioni vazhdon ndërgjegjësimin e publikut të gjerë edhe përmes programeve televizive mbi edukimin medial dhe informativ.

Vetëm në vitin 2020, Misioni prodhoi dhe transmetoi dhjetë emisione në bashkëpunim me Radio Gorazhdevcin.

Më 9 tetor, Misioni i OSBE-së lansoi një seri prej gjashtë programeve televizive edukative të prodhuara në bashkëpunim me Klan Kosovën me titull “Edumedia”. Në muajt e ardhshëm, do të transmetohen edhe gjashtë video informuese mbi edukimin medial.

Misioni gjithashtu është angazhuar në përfshirjen e edukimit medial dhe informativ në sistemin formal të arsimit në Kosovë, duke fasilituar ligjërata në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës dhe seminare në Universitetin e Prizrenit. Misioni gjithashtu ka bashkëpunuar me festivalin e filmit DokuFest në organizimin e kurseve të trajnimit që pajisin mësuesit e shkollave të mesme me mjete të edukimit medial për klasat e tyre për të promovuar të menduarit kritik dhe analitik në mesin e nxënësve.