Miratohet marrëveshja: Vetëm me një aplikim të thjeshtë kosovarët mund të marrin lejeqëndrim në Shqipëri

Miratohet marrëveshja: Vetëm me një aplikim të thjeshtë kosovarët mund të marrin lejeqëndrim në Shqipëri

NULL NULL
2 weeks më parë

Të gjithë shtetasit e Kosovës do të mund të marrin lejen e qëndrimit  pesë vjeçar në Shqipëri vetëm me një aplikim të thjeshtë.

Këtë e bëri të ditur Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Blendi Çuçi, pas mbledhjes së qeverisë.

Sipas tij, qeveria shqiptare ka miratuar sot marrëveshjen, e cila do të nënshkruhet të premten mes dy vendeve.

“Sot, miratuam një nga marrëveshjet që do të nënshkruajmë të premten mes Shqipërisë dhe Kosovës që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektivë. Është lajm i mirë për shtetasit e Kosovës që do të marrin thjesht me një aplikim lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri dhe brenda saj edhe leja e punës. Është lajm i mirë edhe për shqiptarët që jetojnë në Kosovë që do të marrin leje qëndrimi me procedura të thjeshtuara. Është në vazhdën e disa marrëveshjeve që do të nënshkruajmë brenda sektorëve që përfshin Ministria e Brendshme”.

I pyetur në lidhje me marrëveshjen me Britaninë dhe mundësinë e ndërtimit të një kampi refugjatësh në vendin tonë, ai mohoi një gjë të tillë.

“Nuk do të ketë kampe refugjatësh për interesa të vendeve të tjera në Shqipëri është thënë qartë nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ministri i Drejtësisë, si dhe është thënë qartë edhe nga ministri i Brendshëm. Ai është një përcaktim që edhe kur kalojnë tranzit nuk do të qëndrojnë në Shqipëri, por janë të detyruar vendet e origjinës të përgjigjen për ata emigrantë dhe azilkërkues. Është e kundërta e asaj që thuhet në media”,ka thënë Çuçi./A2CNN/