Lajmet e fundit

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se vrasja e Arlinda Zekajt me shumë gjasë mund të ishte parandaluar, duke iu referuar mosveprimeve të evidentuara në raportin për këtë rast.
Në konferencën për media, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Gërvalla tha se institucionet nuk duhet të kërkojnë arsyetime për veprimet apo mosveprimet e tyre, por përgjigje.
Ajo ngriti edhe mundësinë që përveç neglizhencës, në këtë rast të kenë ndikuar edhe faktorë të jashtëm, duke iu referuar 'qarqeve politike apo kriminale', raporton Klankosova.tv
“Nuk është detyra jonë të gjejmë arsyetime për institucionet, por përgjigje për veprimet apo mosveprimet. Vrasja e Arlinda Zekajt me shumë gjasë mund të ishte parandaluar. A mund të shpjegohen të gjitha këto mosveprime vetëm me neglizhencë, apo ka pasur ndikime të jashtme, përfshirë ndikime të mundshme nga qarqe politike apo kriminale. Raporti nuk përmban prova të drejtpërdrejta për një ndikim të tillë, por përmasat e mosveprimeve e bëjnë të domosdoshëm shqyrtimin edhe të kësaj mundësie." /Klankosova.tv