22:13, 11 Korrik 2019

Ministria e Integrimit Evropian e ka sqaruar kontratën që e ka lidhur me kompaninë lobuese amerikane “Madison Global Strategies LLC”.

Nëpërmjet një sqarimi për media, kjo ministri ka thënë se lobimi është praktikë e njohur dhe krejtësisht legjitime të cilën e aplikojnë shtetet për t’i avancuar dhe mbrojtur interesat e tyre në botë duke shtuar se nuk bën përjashtim as Kosova.

“Duke u ballafaquar me një ofensivë të rëndë lobimi nga Serbia në të gjitha qendrat botërore të vendimmarrjes, me qindra miliona euro të shpenzuara në lobim kundër Kosovës, kjo është gjëja më e pakët që mund të bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në sqarimin e MIE.

Sipas Ministrisë, kjo kompani këshilluese amerikane fushëveprimin e punës dhe aktivitetet lobuese për shtetin e Kosovës nuk i ka të kufizuara vetëm në SHBA, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

“Kjo marrëveshje ka qenë dhe është krejtësisht transparente dhe ligjore. Asnjë procedurë e vetme nuk është shkelur. Të gjitha detajet e saj janë publike dhe mund të gjenden në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik”.

“Siç edhe mund të shihet në kontratën publike, palë kontraktuese në këtë marrëveshje janë vetëm Ministria e Integrimit Evropian dhe kompania në fjalë. Po ashtu, duam të theksojmë se baza ligjore e Republikës së Kosovës, e lejon parimin e konfidencialitetit në rastet e lidhjes së kontratave për çështje të ndryshme me interes shtetëror. Mirëpo, fakti që kjo kontratë është tërësisht publike, dëshmon se nuk ka asgjë për tu fshehur dhe është praktikë mëse normale për çdo shtet”, thuhet në sqarimin e Ministrisë së Integrimit Evropian.

Në sqarim është bashkangjitur edhe kontrata publike ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian dhe kompanisë këshilluese nga SHBA “Madison Global Strategies LLC”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë