Ministria e Drejtësisë në Shqipëri propozon rihapjen e gjykatave

Ministria e Drejtësisë në Shqipëri propozon rihapjen e gjykatave

4 muaj më parë

Ministria e Drejtësisë në Shqipëri ka propozuar rinisjen e plotë të punës në gjykatat e vendit.

Përmes një projektligji të dorëzuar në qeveri, kjo ministri ka propozuar ndryshime në aktin normativ nr.9 që pezulloi veprimtarinë e gjykatave për shkak të situatës me pandeminë Covid-19.

Në draft sugjerohet zhvillimi i seancave gjyqësore duke zbatuar masat organizative specifike, të nevojshme për shmangien e grumbullimeve në ambientet e gjykata dhe brenda sallave të gjyqit.

Më tej propozohet shfuqizimi i neneve të aktit normativ që pezullonte afatet për ngritjen e padive dhe paraqitjen e ankimeve dhe çdo veprimi procedural në çështjet administrative, civile dhe penale.

Në draft propozohet që gjykata mund të vendosë për zhvillim të gjyqeve në distancë përmes lidhjes audiovizive duke përdorur programe kompjuterike. Por kërkohet që në çdo rast, palët të kenë mundësi të shohin dhe të dëgjojnë njëra-tjetrën dhe parashikohet që kur gjyqet zhvillohen në këtë formë, provat dhe aktet shkresore t’i përcillen palëve me postë.

Puna në gjykata u pezullua më 10 mars, përveç çështjeve me karakter të ngutshëm, si seancat për caktim të masave të sigurisë, apo lëshimi i urdhrave të mbrojtjes apo çështjet ku rrezikohej tejkalimi i afateve të paraburgimit.

Pezullimi i punës në gjykata për më shumë se dy muaj pritet të rrisë së tepërmi ngarkesën dhe të vonojë gjykimet për mijëra persona palë në procese gjyqësore, në kushtet kur gjykatat kanë mangësi edhe në numrin e gjyqtarëve. / A2 CNN