Ministri Murati e fshiu postimin për UÇK-në?! - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ministri Murati e fshiu postimin për UÇK-në?!

NULL NULL
30/06/2022

Ministri i Financave, Hekuran Murati, u bë pikë sulmi për kundërshtarët e tij politikë dhe jo vetëm, për shkak të një statusi në Facebook më 1 tetor 2016, që si duket tashmë është fshirë.

Murati në atë status tërhiqte një paralele mes veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me mercenarët, ku thoshte se “këta tre muaj luftë të një ushtrie guerile dojnë më na dalë shumë ma shtrenjtë se një ushtri e rregullt”.

Tashmë shef i ”kuletës” së shtetit, por asokohe thoshte se po të angazhoheshin në luftën e fundit mercenarë me pagesë 2 mijë euro për tre muaj, atëherë do të kushtonin veç 120 milionë euro, njofton Klankosova.tv.

“Bile edhe mercenarë me pas angazhu na kish dalë më lirë – 3 muaj ka 2 mijë euro bëjnë 6 mijë euro për kokë – 20 mijë mercenarë (të përgatitun ushtarakisht) kishin me na kushtu veç 120 milionë euro gjithsej. Edhe as faleminderit s’kish pasë nevojë me iu thanë”, pati shkruar Murati.

Por, pas rikthimit të këtij statusi në vëmendje, Murati ka marrë masa duke e fshirë postimin.

Kjo vërehet në llogarinë e tij, pasi në bazë të një fotografie të shpërndarë, postimi për veteranët është bërë më 1 tetor 2016, ndërsa dy postimet mes kësaj date janë “Beep for the sheep” me datë 28 shtator 2016 dhe tjetri që kishte të bëjë me Projektligjin për Trepçën e që mban datën 8 tetor 2016.

Rreth  shkrimit të 2016-ës, të postuar në llogarinë e tij në Facebook, ai ende nuk është deklaruar.

Klankosova.tv ka provuar ta kontaktojë ministrin Murati, për një koment lidhur me këto qëndrime, por ai deri tani nuk u është përgjigjur thirrjeve.