14:28, 15 Mars 2019

Ministri i Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim Alpinisten, Uta Ibrahimi, të cilën e përgëzoi për sukseset e treguara deri më tani dhe gjatë këtij takimi ia dhuroi asaj flamurin e Republikës së Kosovës për ta vendosur në majat e Everestit gjatë këtij sezoni.

Me këtë rast MKRS i ka ofruar mbështetje financiare në vlerë prej 8 mijë eurosh për ekspeditën e radhës që do ta filloj në fund të muajit prill. Bëhet fjalë për ekspeditën në Himalaje në Nepal, në ngjitjen e radhës në majën Lhotse Jug 8516m (Lhotse South) e cila do të përcillet nga ekipi i National Geographic, ku do të bëhet edhe dokumentar për këtë ngjitje.

Uta është pjesë e ekipit të ngjitëseve nga e gjithë bota, Koreja, Kina, Spanja, Kolumbia, Nepali dhe Kosova.

I pari i Sportit në Kosovë pas takimit ka thënë:

“ne po mbështesim në vazhdimësi sportistët të cilët kanë nevojë që të përkrahen për zhvillimin e aktiviteteve të tyre sportive dhe në pajtim me dispozitat e Ligjit për Sport dhe akteve tjera nënligjore të përcaktuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Duke pasur parasysh imazhin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, iniciativa e projekte të këtilla janë të mirëseardhura”, njofton Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit përcjellë Klan Kosova.

Edhe alpinistja Ibrahimi u shpreh e kënaqur me mbështetjen financiare dhe falënderoi ministrin Kujtim Gashi për mbështetjen e vazhdueshme që po iu jep sportistëve.

Konkurs Pune

Lexo më shumë