13:32, 20 Maj 2019

Sot po mbahet takimi koordinues i qeverive Kosovë-Shqipëri në Tiranë ku po diskutohen temat e përbashkëta të dy vendeve.

Ministrja e Infrastrukturës së Shqipërisë, Belinda Balluku, ka thënë se është duke u diskutuar që të bëhet sa më i lehtë transporti me Kosovën.

“Ne po bëjmë më të mirën që të ofrojmë të gjitha kushtet sepse pika kufitare në Morinë është pika më e frekuentuar. Tashmë ka filluar rritja e fluksit me qindra dhe mijëra pasagjerë, gjë që na bën të jemi më të ndërgjegjshëm se çfarë kërkohet nga ne”.

“Ka lindur nevoja për zgjerimin e pikës kufitare dhe ky është një lajm i mirë, pavarësisht se duhet punë nga ana jonë”.

Ndërkaq, homologu i saj Pal Lekaj tha se ende nuk dihet nëse do të hiqet pika kufitare me Shqipërinë, por se janë duke punuar për përmirësimin e kësaj çështje.

“Mendoj që ne do të bëjmë më të mirën të mundshme, që të mos ketë një stop por të lëvizim 60 km/h. Pajtohem që ne duhet të koordinohemi që t’ia u mundësojmë lëvizjen qytetarëve. Do ta zgjerojmë edhe një trase dhe kemi zgjeruar diku 200 metra në anën e Kosovës”.

Balluku tha se është duke u punuar në Autostradën e Kombit dhe se punimet do të përfundojnë shumë shpejt.

“Kam inspektuar para tre javësh punimet dhe shpresoj që do të përfundojë para 30 qershorit që të jetë e gatshme për sezonin “.

Konkurs Pune

Lexo më shumë