Milani për konfirmim ndaj Bolognës, Leicester kërkon fitoren e 8 radhazi NULL NULL 08.12.2019 10:33 08.12.2019 10:33 Norën 12:30 Lecce do të presë Genoan, në një sfidë mjaft të rëndësishme për zonën e mbijetesës. Puljezët kanë bërë mirë në këtë start sezoni, por e kanë të qartë që për të tentuar mbijetesën, duhet të fitojnë sa më shumë takime brenda fushës dhe një nga ata është ky me Genoan. Nuk është aspak e qetë situata në kampin gjenovez, sepse pas fitores shpresëdhënëse në debutimin e trajnerit Thiago Motta, në 5 javët e ardhshme janë regjistruar 3 humbje dhe dy barazime, ndaj italo-braziliani duhet të udhëheqë skuadrën drejt suksesit, për të dalë nga zona e ftohtë. Po nga kampionati italian, në orën 15:00 do të vijë një sfidë mjaft interesante si Torino-Fiorentina, dy skuadra që synojnë një vend në kupat e Europës, por që nuk e kanë nisur me këmbën e mbarë sezonin. Në Supersport do të transmetohet edhe sfida mes Spalit dhe Brescias, ose vendit të parafundit me vendin e fundit të renditjes, por ky takim bëhet i veçantë edhe për faktin që do të ketë një derbi shqiptar mes Etrit Berishës nga njëri krah dhe Emanuele Ndojit në krahun tjetër. Në orën 18:00 do të transmetohet sfida mes Sampdorias dhe Parmës, ndërsa në mbrëmje vëmendja do të jetë në “Dall’Ara”, ku Milani do të kërkojë suksesin e dytë radhazi, këtë herë përballë Bolognës. Kuqezinjtë janë 11 pikë larg zonës së kupave europiane dhe ndaj Bolognës është një nga “trenat e fundit” që mund të mbajë gjallë shpresat e tyre për t’ia dalë të arrijnë objektivin në fund të sezonit, gjë që e di mjaft mirë edhe trajneri Stefano Pioli. Kampionati anglez do të vijë sot me takimin mes Aston Villës dhe Leicesterit, që do të startojë në orën 15:00. Vendasit nuk janë në një moment fort të mirë, ndërsa “dhelprat” vijnë pas 7 fitoreve radhazi dhe sot do të kërkojnë të tetën, për t’u konfirmuar si rivali i parë i Liverpoolit në garën për titullin kampion. Kampionati spanjol do të vijë me takimin e mbrëmjes Osasuna-Sevilla, në orën 21:00 në Supersport 3, ndërsa në të njëjtën orë do të luhet edhe ndeshja mes Olympique Marseille dhe Bordeaux./supersport.al *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.