20:00, 12 Qershor 2019

Solisti i grupit “Gjurmët” Migjen Kelmendi sonte do t’i rikthehet publikut kosovar në Ditën e Çlirimit pas plot 30 vjetësh.

Ai tha se në disa strofa të këngëve të tij është aluduar edhe për një lloj lirie të idealizuar në atë kohë të vështirë, njofton Klan Kosova.

Migjeni është krenar që këngët e grupit të tij u pëlqyen jo vetëm nga publiku, por edhe nga këngëtarët tjerë, të cilët i rikënduan ato.

“Ishte një fat i “Gjurmëve” që këto këngë u pëlqyen edhe nga këngëtarët dhe tjerë, të cilët edhe bënin cover dhe i përvetësonin në këngët e tyre”.

“Ata i mbajtën këngë tona gjallë këto 30 vjet pasi që ne nuk jemi aktivë që 37 vjet dhe nuk merremi me muzikë asnjëri nga ne. Anëtarët e grupit i shoh shumë rrallë”

Solisti i grupit legjendar tha se idenë për rikthimin e tyre në vitin 2015 në Tiranë e kishte refuzuar fillimisht dhe pas ishte bindur, ai bashkë me pjesëtarët e grupit premtuan se do të vijnë edhe në Prishtinë.

“Nuk isha i bindur se duhet të bëheshim bashkë, por më pas na u mbush mendja. Në Tiranë ishte shtuar edhe filarmonia, ndërsa sonte në Prishtinë kthehemi te rrënjët tona, te muzika se si e kemi bërë atë kohë”.

“Të gjitha biletat sonte shkojnë si kontribut për instrumentet muzikore në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”. Ishte ide e komunës së Prishtinës që të përkrahim të rinjtë dhe ne e pranuam”.

Kelmendi tregoi se kur e kishin filluar këtë lloj muzike nuk e kanë pritur një sukses që do t’i mbijetonte kohës dhe të kishte jehonë deri sot.

“Asokohe nuk e kemi menduar se do të zgjasë kështu, por tani me kohë fitoi një dimension të ri. Në atë kohë kemi bërë një muzikë dhe e kemi lënë për t’iu kthyer jetës”.

“Këtë paraqitje e kishim si borxh. Rrugës po dalin ftesa të reja që po i analizojmë, por nuk e dimë nëse do të perfomojnë edhe në qytetet tjera në të ardhmen”.

Migjeni nuk zbuloi më shumë detaje rreth koncertit, por premtoi një atmosferë të mirë sonte në sallën “1 Tetori”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë