15:33, 20 Maj 2019

Pas publikimit të fotografisë së rrejshme nga deputetja Flora Brovina, ku pretendohej se po dhunohej një grua shqiptare nga tre ushtarë serbë, u përmend edhe emri i ish-deputetes nga radhët e LDK-së, Mevlyde Saraçit.

Pasi që u kontestua origjinaliteti i fotografisë së Brovinës, kjo e fundit tha se në vitin 2003, Saraçi ia kishte dorëzuar në zarf këtë fotografi (gjatë kur po punonin bashkë në Komisionin për Personat e Zhdukur).

Të njëjtën ditë ish-deputetja Saraçi e mbajti një konferencë për media ku tha se kurrë nuk i kishte parë fotografitë e prezantuara nga ish-kolegia Brovina, transmeton Klan Kosova.

Ndërsa sot Saraçi është paraqitur në polici për t’u deklaruar rreth këtij rasti, me ç’rast ka thënë se nuk ka kurrfarë lidhje me këtë rast. Ajo edhe gjatë konferencës për media pati theksuar se do të ngre padi për shpifje ndaj Brovinës.

“Sot jam paraqitur në polici ku jam intervistuar si dëshmitare. Unë nuk kam lidhje me fotografinë. Brovina ka keqpërdorur emrin tim pa pasur ndonjë lidhje me këtë rast, për këtë arsye unë jam duke e përgatitur kallëzim penal ndaj saj”.

klankosova.tv

Konkurs Pune

Lexo më shumë