Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Meta refuzon emërimin e Gjinushit si kryetar i Akademisë së Shkencave

NULL NULL
12.07.2019 12:31

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar refuzimin e emërimit të Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave. Refuzimi është bërë pasi Presidenti ka shqyrtuar praktikën e procesit zgjedhor, të zhvilluar në 24 prill 2019, ku nga këto zgjedhje Gjinushi doli kandidat fitues.

Në përfundim të këtij procesi vlerësimi, Presidenti doli në konkluzionin se praktika e ndjekur për zhvillimin e zgjedhjeve për Kryetar të Akademisë së Shkencave nuk është bërë konform ligjit. Ditën kur janë zhvilluar zgjedhjet, Skënder Gjinushi rezulton të ketë qenë ligjërisht Kryetar i Partisë Socialdemokrate. Sipas Metës, nëse një kandidat garon për tu bërë kreu i Akademisë së Shkencave, nuk duhet të ketë poste të rëndësishme politike.

“Personat që kanë funksione të larta administrative dhe politike, nuk mund të kandidojnë për t’u zgjedhur anëtarë të rregullt dhe të asociuar të Akademisë gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve”, shprehet Presidenti në dekretin e tij, për refuzimin e emërimi të Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave.

Shkelje sipas Presidentit janë bërë që në momentet kur Gjinushi ka qenë anëtari i Akademisë, pasi ligji e ka të përcaktuar qartë se nëse një anëtar i rregullt mban pozicione drejtuese në parti, nuk i lejohet që të kandidojë në funksione drejtuese në Akademinë e Shkencës, pikë kjo që është shkelur, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.

“Papajtueshmëria ligjore në ushtrimin e statusit si anëtar i rregull i Akademisë së Shkencave, e bën tërësisht procesin zgjedhor të pavlefshëm. Kjo, sepse çdo anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave që ka papajtueshmëri të statusit si anëtar i rregullt i saj me funksione drejtuese në parti politike, rrjedhimisht është në kushtet e ndalimit ligjor për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në funksionet drejtuese të Akademisë së Shkencave ku përfshihet dhe funksioni i Kryetarit”, sqarohet në dokumentin e Presidentit.

“Në këtë mënyrë rezulton që në datën 10.05.2019, kur është bërë shprehja e interesit për kandidim dhe në datën 24 maj 2019, ditë kur janë zhvilluar zgjedhjet për Kryetar në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, zoti Skënder Gjinushi, ligjërisht figuron Kryetar i Partisë Socialdemokrate”, shprehet Presidenti në vlerësimin e tij, duke theksuar faktin se nuk mund të dekretojë emërimin e tij në krye të Akademisë së Shkencave.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.