15:25, 11 Korrik 2019

Presidenti shqiptar Ilir Meta me një fotografi nga Sarajeva ka kujtuar përvjetorin e 24-të të masakrës së Srebrenicës.

“Sot në 24-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, më të madhes në zemër të Europës, është koha jo vetëm të lutemi për shpirtrat e viktimave dhe dhimbjen e patreguar që përjetuan popujt e rajonit tonë, por njëkohësisht të kërkojmë drejtësi deri në fund për shkaktarët e këtij gjenocidi të pamëshirshëm”.

“Duhet të ndërgjegjësohemi e përgjegjësohemi që bashkëjetesën etnike-fetare dhe kulturore ta ruajmë e ta forcojmë, pa lejuar askënd të helmojë dhe të përçajë popujt dhe kombet tona, në mënyrë që tragjedi të tilla t’i përkasin vetëm të kaluarës së hidhur të historisë së rajonit tonë”.

“Kjo foto e qytetit të bukur të Sarajevës, ku harmonizon natyrshëm objektet e besimeve të ndryshme fetare, të shërbejë për të ecur përpara drejt të ardhmes se përbashkët në Bashkimin Europian, duke evidentuar edhe trashëgiminë historike të bashkëjetesës mes kombeve dhe popujve të rajonit tonë”, ka shkruar Meta në një postim në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Klan Kosova.

Konkurs Pune

Lexo më shumë