Medvegjasit të indinjuar që ministrave kosovarë iu refuzua vizita në Luginë (VIDEO) - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Medvegjasit të indinjuar që ministrave kosovarë iu refuzua vizita në Luginë (VIDEO)

NULL NULL
nga Haris Ademi 27/11/2021

Katër ministra kosovarë patën agjendë të caktuar që tërë vikendin ta kalojnë në Luginë të Preshevës, në komunat Medvegjë, Bujanoc e Preshevë.

Por Liburn Aliut, Arbërie Nagavcit, Hekuran Muratit e Hajrullah Çekutnë minutat e fundit iu refuzua kërkesa për të hyrë në  Serbi.

Sikurse delegacioni qeveritar, këtë veprim të shtetit serb po e dënojnë edhe vetë nikoqirët.

“E kemi thirrë qeverinë e Kosovës, njerëzit tanë, që t’i rrahim problemet që i kemi qe një kohë të gjatë pa zgjedhur”, tha Bislim Musliu, kryetar i klubit “Trojet”, njofton Klan Kosova.

Megjithatë, problemet u diskutuan edhe mes vendësve. Këta falënderojnë qeverinë e Kosovës për 2 milionë eurot e parapara për këtë zonë, por thonë se nevojat janë më të mëdha.

“Prioriteti jonë është infrastruktura, sepse kemi shumë familje që kanë interes dhe mundësi me i ndërtu shtëpitë, por që nuk asistohen as nga qeveria e Kosovës e Shqipëria, por as nga ndërkombëtarët”, u shpreh Muharrem Sahiti, drejtor i AFEDS.

Veç problemeve ekonomike, të rinjtë shqiptarë të Serbisë e kanë zor edhe të shkollohen, edhe në universitetet e Kosovës, për shkak të procedurave.

Ata që kthehen me diplomë në shtëpi, kanë telashe, po ashtu.

“Sot nuk njihen diplomat, dhe për ato shkaqe janë të pabarabartë në konkurset e komunës së Medvegjës”, u ngrit si shqetësim nga asambleisti Fehmi Beha.

Brengë e madhe është edhe nataliteti, pasi që më 2021, në Medvegjë nuk ka lindur asnjë fëmijë.

Por edhe procesi i regjistrimit të popullsisë, për të cilin kërkojnë këshillë nga Prishtina e Tirana.

E gjithë kjo situatë, sipas opinionistit nga Shqipëria, Mentor Nazarko, është shkaktuar nga shteti serb.

“Pasivizimi është problemi kryesor, është teknika kryesore që po përdor Serbia për të nxitur largimin”, tha ai.

Në fund të takimit, medvegjasit duan  t’u dërgojnë përmes fotografisë urimet e 28 nëntorit mysafirëve që s’u erdhën, por edhe gjithë shqiptarëve tjerë.