Lajmet e fundit

Më pak se 24 orë kanë mbetur deri te shpallja e verdiktit final në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Verdikti pritet të shpallet nesër, nga ora 10:00, në objektin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, transmeton Klankosova.tv.
Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, ka raportuar nga Haga për masat e sigurisë dhe përgatitjet e gjykatës në prag të shpalljes së vendimit.
Sipas saj, Dhomat e Specializuara kanë rikthyer masat e sigurisë përreth objektit, ndërsa policia holandeze pritet të jetë e pranishme për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë ditës së nesërme.
“Na ndajnë më pak se 24 orë nga verdikti më i madh dhe më i rëndësishëm i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ai për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës, pavarësisht se gjatë ditës së djeshme kanë larguar të gjitha rrethojat për vizitorët e mundshëm, të cilët kanë ndjekur edhe seancën e fundit të rregullt në Gjykatën Speciale në një gjykim tjetër dhe të dytë ndaj Hashim Thaçit, i cili ka nisur qysh në dhjetor të vitit 2024 e ku të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu në Hagë, ata do t’iu vendosin sërish jo vetëm rrethojat për të pritur natyrisht të gjithë personat të cilët janë akredituar dhe iu janë aprovuar kërkesat për të qenë të pranishëm në galerinë e publikut për ta parë me sy e vesh nga afër dhe në kohë reale transmetimin dhe shpalljen e verdiktit gjatë ditës së nesërme, por kanë vendosur që pranë rrethojave të jenë edhe policia holandeze për shkak të informacioneve që Gjykata Speciale ka marrë sigurisht nga raportimet publike se pranë gjykatës do të ketë edhe mbledhi. Ajo ka bërë të ditur se 67 persona do të kenë mundësi ta ndjekin shpalljen e verdiktit nga Galeria e Publikut. Të akredituarit janë udhëzuar që të jenë në objektin e gjykatës të paktën një orë e gjysmë para fillimit të seancës, pra nga ora 08:30, për t’iu nënshtruar kontrolleve të sigurisë”, tha ajo.
Ndërkohë, pritet që edhe përreth gjykatës të ketë masa të shtuara sigurie, pas informacioneve për tubime të mundshme pranë objektit të Dhomave të Specializuara.
“Pavarësisht se një protestë e cila quhet ndryshe ‘Nata e pritjes’ është që është planifikuar të mbahet sonte, në të njëjtin shesh ku dje një vit ka pasur një protestë pikërisht këtu në Hagë në prag të nisjes së dëshmisë së dëshimtarëve ndërkombëtarë të thirrur nga ish-presidenti Hashim Thaçi, por ka informacione që disa prej tyre do të mblidhen po ashtu siç kanë vepruar vitin e kaluar, ndonëse nuk kishin marrë leje madje kishin bllokuar edhe rrugën, madje edhe pranë objektit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, deklaroi Mujku në Klan Kosova.
Sipas saj, prania e madhe e policisë holandeze në qytetin e Hagës gjatë ditës së sotme nuk lidhet me verdiktin e nesërm, por me hapjen e vitit parlamentar. Megjithatë, nesër forcat e sigurisë do të kenë një mision tjetër, e që sipas gazetares është garantimi i qetësisë dhe sigurisë gjatë shpalljes së vendimit.
Seanca e nesërme pritet të zgjasë, pasi gjykata do të shqyrtojë verdiktin për katër të akuzuarit dhe për të gjitha pikat e aktakuzës, që përfshijnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mujku ka bërë të ditur gjithashtu se mund të ketë ndryshime në mënyrën e zhvillimit të seancës, pasi gjatë shpalljes së verdiktit mund të kufizohet lëvizja e personave brenda dhe jashtë sallës së gjyqit.
“Natyrisht që seanca e nesërme nuk përfundon shpejt, për shkak që ky është rasti më i madh dhe janë katër të akuzuar, të cilët do të dëgjojnë verdiktin e gjyqtarit, kryetarit të trupit gjykues Charles Smith për 10 pikat e aktit akuzues, edhe për krime lufte edhe për krime kundër njerëzimit, mirëpo na është bërë e ditur që mund të ketë, po e quaj kështu kushtimisht ndryshime të agjendës, për shkak se në seancat e kaluara, publiku që ka qenë i pranishëm në galeri ka pasur mundësi të lëviz, ndërkaq në ditën e nesërme përgjatë këtyre 10 minutave transmetim me vonesë ka mundësi që askush të mos lejohet të dalë apo të hyjë brenda Gjykatores derisa edhe të shpallet verdikti final”, tha ajo.
Shpallja e vendimit do të transmetohet me një vonesë prej rreth 10 minutash.