Lajmet e fundit

Java e Bibliotekës në Kosovë rikthehet këtë vit me një edicion kushtuar “Rilindjes” dhe trashëgimisë së saj në kulturën dhe historinë e Kosovës, duke sjellë në vëmendje botimet, revistat dhe historitë që kanë mbetur në kujtesën tonë.
Ceremonia hapëse nis sot nga ora 17:00, ku Kori i Filharmonisë së Kosovës do të prezantohet nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla. Në program do të interpretohen vepra të kompozitorëve: Akil Koci, Rafet Rudi, Valton Beqiri dhe Ko Matsushita, me pjesëmarrjen e Festim Fanajt në violinë, Valton Beqirit dhe Lekë Salihut në piano, si dhe baritonit Shaban Behramajt në rolin e recitatorit. Ndërsa në orën 18:30 hapet ekspozita “Tafë Kusuri – kronika satirike e një përditshmërie të mekur”.
Këtë vit, Java e Bibliotekës në Kosovë na kthen te Rilindja. Te njerëzit, makinat, teknologjia dhe puna që për dekada i dhanë formë fjalës së shkruar.
Ekspozita, referime, diskutime dhe aktivitete të tjera do të sjellin në vëmendje shtypin, librin dhe njerëzit që lanë gjurmë në të. Një javë për të kujtuar atë që është shkruar dhe për ta parë nga afër atë që ka mbetur në kujtesën tonë.
Java e Bibliotekës në Kosovë zgjat deri më 2 tetor 2026./KlanKosova.tv
