21:16, 23 Tetor 2019

Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister ka reaguar ashpër ndaj bllokimit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për Euroaktiv, ai theksoi se vendimi i Këshillit Europian ishte një gabim historik.

“Për të krijuar një politikë të fortë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, ne duhet të bëhemi më fleksibël dhe të vendosur. Ekzistojnë disa mundësi në të cilat ne mund të fillojmë të përdorim shumicën e kualifikuar, për shembull, kur vendosim sanksione. Ne nuk kemi asnjë shans për të forcuar pozicionin tonë në arenën ndërkombëtare nëse një shtet anëtar është në gjendje të bllokojë çdo vendim të politikës së jashtme”.

Më tej McAllister shton se zgjidhja më e mirë do të ishte një rrugë e ngjashme me rezolutën e miratuar nga Bundestagu, që kërkoi çeljen e negociatave në samitin e 17-18 Tetorit.

Grupet parlamentare në Gjermani depozituan draft rezolutën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në mocionet e depozituara në Bundestag evidentohen pasojat negative në politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian, që sipas deputetëve, minojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë reformat e nisura nga dy vendet kandidate./tv klan/.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë