Lajmet e fundit

Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në Komunën e Ferizajt, Alberton Sahiti, ka thënë se mungesa e një qendre për grumbullimin e mbeturinave po e vështirëson shërbimin e pastrimit në këtë qytet.
I ftuar në emisionin "Fol me Arin" në Klan Kosova, Sahiti tha se kompanitë e pastrimit përballen vazhdimisht me të njëjtat probleme, përfshirë defektet e kamionëve, që ndikojnë në shërbim dhe në marrjen e mbeturinave.
Megjithatë, ai tha se Komuna e Ferizajt ka qenë në gjendje të mirë gjatë sezonit të verës dhe se mbledhja e mbeturinave është kryer shumë mirë, edhe në pikun e sezonit.
Sahiti bëri të ditur se kompania "Pastërtia" në Ferizaj, tash e një kohë, funksionon pa qendër të grumbullimit të mbeturinave. Të gjitha mbeturinat dërgohen në deponi jashtë Ferizajt, çka shkakton vonesa në shërbim.
"Kompanitë e pastrimit gjithmonë përballen me problemet e njëjta dhe po vazhdojnë ato defektet e vazhdueshme të kamionëve që e shkaktojnë pak problemin e shërbimit dhe shkaktojnë problem edhe në shërbim edhe marrjen e mbeturinave. Ne sa i përket si Komunë e Ferizajt, sidomos në sezonin e verës, pikun e verës kemi qenë në gjendje të mirë dhe e kemi kryer punën jashtëzakonisht mirë sa i përket marrjes së shërbimit të mbeturinave. Unë, për informacionin tuaj, kompania e "Pastërtia" në Ferizaj tash e sa vjet është bërë pa qendër të grumbullimit të mbeturinave. Ne të gjitha mbeturinat që i marrim i dërgojmë në deponitë që janë jashtë Ferizajt, ku kuptohet se këto kilometra shkaktojnë probleme e vonesa në shërbim... Shkakton problemin sepse një kamion duhet të bëjë 70 kilometra derisa ta zbrazë sasinë dhe në të njëjtën kohë aty kuptohet se me kolona e krejt, një kamion i bën ndoshta 3 orë derisa shkon e zbrazet. Ferizaj është një nga qendrat e mëdha, ka diku tash në këtë sezon mbi 160-170 ton mbeturina në 24 orë dhe nuk është lehtë të menaxhohet gjithë kjo sasi mbeturinash, plus duke parasysh se nuk kemi një qendër të transferit sot në Ferizaj", tha ai.