Lajmet e fundit

Ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe, i ka shpëtuar një ndërhyrjeje të mundshme kirurgjikale në gjurin e majtë, mirëpo rikthimi i tij në fushën e blertë do të bëhet nën masa të rrepta kujdesi. Sulmuesi francez ka nisur menjëherë punën për rikuperim në qendrën stërvitore dhe parashikohet të mungojë rreth 10 deri në 12 ditë.
Pas një dite stabilizimi, gjendja e tij fizike paraqitet më optimiste nga sa u frikësuan fillimisht te kampi madrilen, raporton Marca, transmeton Klankosova.tv.
Ekzaminimet e fundit mjekësore konfirmuan se dëmtimi i pësuar me kombëtaren e Francës është kufizuar në një hiperekstension të kapsulës së pasme të gjurit të majtë, duke shmangur kështu nevojën për operacion.
Pavarësisht lehtësimit pas analizave përfundimtare, klubi spanjoll nuk ka ndërmend të ndërmarrë asnjë rrezik.
Në bazë të afatit mjekësor, francezi mund të jetë teorikisht i gatshëm për sfidën e 10 tetorit kundër Villarrealit në “Santiago Bernabeu“, megjithatë, aktivizimi i tij në atë përballje mbetet me pikëpyetje të madhe.
Këtë herë udhëzimi i stafit mjekësor dhe teknik është i prerë, ylli francez do të shkelë sërish fushën e blertë vetëm kur të jetë 100% i rikuperuar.