Mavraj kërkon të huazohet, Kolni e bllokon - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Mavraj kërkon të huazohet, Kolni e bllokon

NULL NULL
18/12/2015

 

Është shtylla e mbrojtjes në Kombëtaren Sh qiptare dhe ka qenë një mungesë e rëndësishme për skuadrën e De Biazit në ndeshjet e fundit kualifikuese. Jo më kot shihet edhe pasues i Lorik Canës, në repartin që ngre bllokadën përpara Etrit Berishës.

Drejtori – Prestigjiozja gjermane “Bild” ka bërë një shkrim të bazuar në intervistën e drejtorit sportiv të Këlnit, që bën me dije dëshirën e lojtarit për minuta dhe për pasojë edhe idenë e këtij të fundit për t’u huazuar. “Mendoj që këto ide kanë ardhur nga Mavraj dhe dëshira e tij për të luajtur sa më shpejt. Apo, mbi të gjitha, edhe për të qenë në Europian.

Së pari, ju bëj me dije se nuk kemi asnjë qëllim që ta huazojmë në merkaton e janarit, pasi e kemi në planet tona edhe për të ardhmen. Së dyti, sa i përket Europianit, unë them që është mirë që Mavraj të rikuperohet plotësisht, pasi vjen nga një operacion i ndërlikuar dhe nga një dëmtim i rëndë.

Ai është një futbollist me reputacion të lartë në Kombëtare dhe nuk do ta ketë të vështirë që të jetë në Europian, pavarësisht minutazhit që do të luajë me ne”, ka deklaruar drejtori i skuadrës gjermane në lidhje me mbrojtësin shqiptar.

Mbrojtësi – Në një prononcim të shkurtër të vetë Mërgim Mavrajt në lidhje me këtë çështje, mbrojtësi ka shprehur dëshirën vetëm për t’u rikthyer në fushë sa më shpejt, duke u munduar të anashkalojë “Francë 2016”-ën.

“Europiani është në verë, por unë si një futbollist profesionist dua që të bëj më të mirën e mundshme në çdo ndeshje për ekipin tim në kampionat”, ka deklaruar Mavraj për “Bild”.

Rikuperimi – Që nga ndeshja e tij e fundit me Kombëtaren kanë kaluar shtatë muaj, pasi në qershor Mërgim Mavraj iu nënshtrua një operacioni në gju, shkruan PanoramaSport.

Deri në atë moment, qendërmbrojtësi ka kryer stërvitje në disa faza dhe së fundmi është aktivizuar katër ndeshje me skuadrën U-21 të Këlnit. Për momentin, Dominik Maroh, Dominik Heintz dhe Frederik Sorensen plotësojnë kërkesat e teknikut Stoger për qendrën e mbrojtjes, ndaj edhe është e vështirë që mbrojtësi të rikthehet në formacion, pavarësisht se mbetet në qendër të projektit të Këlnit edhe për të ardhmen.