23:10, 23 Tetor 2019

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është çështje primare për një ndikim të rëndësishëm në gjithë rajonin dhe sigurinë trans-Atlantike.

Palmer gjatë një dëgjese në Komisionin e Punëve të Jashtme të senatit amerikan, shtoi se me negociatat në ndalesë ty dy vendet rrezikojnë të shkatërrojnë shansin më të mirë për një gjeneratë drejt një të ardhme të sigurt, njofton Klan Kosova.

”Një nga përparësitë tona kryesore që ka një ndikim të rëndësishëm në të gjithë rajonin dhe sigurinë trans-Atlantike, është normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”.

”Me negociatat në ndalesë, të dy vendet rrezikojnë të shkatërrojnë shansin më të mirë në një gjeneratë për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të shkuar drejt një të ardhme më të sigurt dhe të prosperuar”.

”Për shkak të rëndësisë strategjike të kësaj çështjeje dhe dritares historike dhe të kufizuar të mundësive që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, Presidenti Trump ka emëruar edhe Ambasadorin e SHBA-ve në Gjermani, Richard Grenell si të dërguarin special presidencial për Serbinë dhe negociatat e paqes në Kosovë”.

Ai ka thënë se bashkë me Ambasadorin Richard Grenell do të punojnë për t’i ndihmuar palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin.

”Duke arritur një marrëveshje të tillë, palët mund të zhbllokojnë potencialin ekonomik të pashfrytëzuar që vjen me paqe dhe integrim”, është shprehur ai.

Matthew Palmer gjithashtu ka kërkuar që Qeveria e re në Prishtinë të pezullojë tarifën ndaj produkteve serbe, ndërsa njekohesisht ka kërkuar edhe nga Beogradi zyrtar që të ndërpres fushatën e saj anti-njohje ndaj Kosovës e cila i bllokon anetarësimin në Interpol.

”Mesazhi ynë për liderët si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë është i qartë: ju keni një mundësi: përqendrohuni te interesi juaj strategjik duke hequr pengesat në negociata, duke mos përmbajtur angazhimin në veprime provokuese, dhe kthehuni në tryezën e bisedimeve me një frymë fleksibiliteti dhe gatishmëri për kompromis”.

”Ne presim që Qeveria e re në Kosovë do ta demonstrojë atë angazhim për këto synime të përbashkëta duke pezulluar tarifat e vendosura për produktet serbe dhe boshnjake që kanë dëmtuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Qeveria tjetër duhet gjithashtu të japë një rast të qartë dhe bindës për qytetarët e Kosovës, për rëndësinë e kthimit në negociatat e dialogut”.

”Serbia, nga ana e saj, duhet të ndërpresë fushatën e saj për të zhdërvlerësuar Kosovën në bashkësinë ndërkombëtare. Përmes fushatës së saj për të stimuluar vendet për të tërhequr njohjen e Kosovës dhe bllokimin në anëtarësim në organizata ndërkombëtare si INTERPOL, Beogradi ka minuar bashkëpunimin ndërkombëtar për zbatimin e ligjit. Kjo pengon përparimin drejt një marrëveshje që Serbia i duhet të arrijë qëllimin e saj strategjik integrimi me Europën”.

Palmer është shprehur i bindur se Aleksandar Vuçiq do të bashkëpunojë për një marrëveshje.

Ai  deklaroi se sapo Serbia dhe Kosova të ndërmarrin këto hapa, ”ne jemi të gatshëm të punojmë me [Vuçiq] për të eksploruar opsione që do ta ndihmojnë atë të ndërtojë mbështetje midis popullit serb për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë