Lajmet e fundit

Për vite me radhë, shtatë vjet janë konsideruar si “pika kritike” ku shumë martesa fillojnë të përballen me probleme serioze. Por duket se çiftet po presin më gjatë përpara se t’i japin fund martesës.
Sipas të dhënave të reja të Zyrës Kombëtare të Statistikave (ONS), martesat që përfundojnë me divorc zgjasin mesatarisht 13 vjet.
Në Angli dhe Uells, gjatë vitit 2025 u regjistruan 105,002 divorce dhe 959 zgjidhje të partneriteteve civile. Martesat mes çifteve të gjinive të ndryshme zgjatën mesatarisht 13 vite, ndërsa partneritetet civile mes burrave zgjatën 13.7 vite dhe ato mes grave 13.6 vite, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.
Ekspertët thonë se ndryshimi i prioriteteve, pavarësia financiare dhe mënyra se si çiftet e shohin martesën kanë ndikuar në këtë prirje. Edhe ndryshimet ligjore, përfshirë futjen e divorcit pa faj në vitin 2022, kanë ndikuar në mënyrën se si çiftet i japin fund martesës.
Pse çiftet divorcohen pas 13 vitesh?
Sipas ekspertes së marrëdhënieve Kate Mansfield, shifrat nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se çiftet po qëndrojnë të palumtur për më gjatë. Arsyeja është shumë më komplekse.
Sot njerëzit priren të martohen më vonë, pasi janë më të pavarur financiarisht, kanë krijuar karrierën e tyre dhe janë më të kujdesshëm në zgjedhjen e partnerit. Kjo mund të bëjë që më pak martesa të përfundojnë në vitet e para.
Në shumë raste, divorci është një vendim që merret pas një periudhe të gjatë reflektimi. Fëmijët, shtëpia e përbashkët, financat dhe vitet e kaluara së bashku bëjnë që çiftet të përpiqen vazhdimisht ta shpëtojnë marrëdhënien.
“Divorci rrallë është një vendim që merret në shenjën e parë të pakënaqësisë”, shpjegon Mansfield. Shumë çifte provojnë këshillimin, kompromiset dhe fillimet e reja përpara se të pranojnë se marrëdhënia nuk po funksionon më.
Sipas ekspertes, njerëzit nuk qëndrojnë domosdoshmërisht sepse janë të dobët apo naivë. Ata qëndrojnë sepse kanë dashur, kanë investuar kohë dhe emocione, kanë shpresuar dhe shpesh kanë ndërtuar një jetë të tërë së bashku./Klankosova.tv