Marrëveshja me Serbinë është adoptuar nga e gjithë BE-ja, thotë Kurti (VIDEO) NULL NULL 30.03.2023 20:47 30.03.2023 20:47 22:09- Kurti: Nuk e mbështes Ballkanin e Hapur, nuk ka as website (VIDEO) Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur edhe rreth iniciativës së Ballkanit të Hapur. Kurti në Rubikon tha se nuk e mbështet këtë iniciativë. “Nuk kam qëndrim tjetër. Ballkani i Hapur, me sa e di unë as website nuk ka. Pra, është një iniciativë që nuk ka as platformë, as kontratë themelore, nuk ka as strategji, as plan veprimi”, tha Kurti. “Nuk është sipas rregullave të Bashkimit Evropian, nuk e ka financimin e Bashkimit Evropian dhe unë nuk mund ta mbështes një iniciativë të tillë”, theksoi ai. 22:01 – Kurti: Nuk i jap leje Vuçiqit për të ardhur në Kosovë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sonte në “Rubikon” në Klan Kosova është shprehur se nuk do t’i jap leje Vuçiqit për të ardhur në Kosovë. Ai u shpreh se në rrethanat që jemi, Vuçiqi nuk është një person i dëshiruar në Kosovë, përcjell Klankosova.tv. “Unë nuk kam marrë asnjë kërkesë për një vizitë të tillë dhe natyrisht duke pasur parasysh gjendjen, rrethanat në të cilat ndodhemi, ai nuk do të ishte një person i dëshiruar në Kosovë dhe mbase kjo është arsyeja pse që më shumë se dy vjet ai nuk e bën këtë kërkesë”. “Jo, nëse kemi parasysh personin i cili thotë ‘masakra e Reçakut është fabrikim’ dhe asnjëherë nuk e ndryshoi këtë gjë , unë nuk mendoj që do të duhej të vinte në Republikën e Kosovës. Natyrisht që nuk do t’ia jap lejën, por mbase është më mirë, le ta bëjë kërkesën njëherë, sepse tash me këtë që e thash, nuk do t’ia jap lejën, nuk e bën as kërkesën. Unë nuk e kam hallin a lodhet ai”, u shpreh Kurti. 21:53 – “Nuk mund ta di”, përgjigjet Kurti se kur mund të vjen njohja de jure nga Serbia Kryeministri Albin Kurti e lidh njohjen e Kosovës nga Serbia me dy zhvillime ndërkombëtare – luftën në Ukrainë dhe zgjedhjet presidenciale në ShBA. “Nuk mund ta di”, përgjigjet ai në Rubikon, kur pyetet se kur mund të vjen njohja de jure nga Beogradi. “Besoj që viti i ardhshëm është vit zgjedhore në ShBA, kur do të duhej të ketë një dritë në fund të tunelit sa i përket luftës në Ukrainë. Janë faza kur do të rrumbullakohej normalizimi i marrëdhënieve”, është shprehur Kurti më tej. “Përballem me oportunizëm të dyfishtë të Beogradit, përfundimin e luftës në Ukrainë dhe se kush do ta marrë mandatin në Shtëpinë e Bardhë. Në Lindje dhe Perëndim ka një mirëkuptim për kërkesën e Beogradit për ca më shumë kohë. Ky është problematizimi i një mirëkuptimi që është edhe në Perëndim”. 21:52- Kurti: Lirinë na e ka sjellë UÇK dhe NATO si rezultat i dështimit të Rambujesë (VIDEO) Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë në emisionin Rubikon në Klan Kosova se dështimi i Rambujesë e ka sjellur ndërhyrjen e NATO-s. Kurti tha se po të kishte sukses kjo marrëveshje do të ishte shumë më keq. Ai theksoi se ka qenë goxha kritik edhe ndaj propozimit të Ahtisaarit. Kreu i ekzekutivit tha se e ka luftuar decentralizimin në baza etnike. “Unë nuk kam qenë i kënaqur me përmbajtjen e Marrëveshjes së Rambujesë. Lirinë na e ka sjellur Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s që ka ardhur si rezultat i dështimit të Rambujesë. Pra, po të kishte sukses Rambujeja, do të ishte shumë më keq. Dështimi i Rambujesë na e ka sjellur ndërhyrjen e NATO-s”, tha Kurti. “E dyta në bisedimet e Vjenës unë kam qenë shumë kritik ndaj propozimit të presidentit Ahtisaari, sepse kam menduar që meritojmë më shumë dhe na takon më shumë, e kam luftuar decentralizimin mbi baza etnike”, theksoi ai. 21:48 – Marrëveshja me Serbinë është adoptuar nga e gjithë BE-ja, thotë Kurti “Ka marrëveshje me Serbinë dhe s’mund të thotë askush që s’ka marrëveshje”. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti në “Rubikon” të Klan Kosovës, teksa për këtë deklaratë i ndërhyri moderatori Adriatik Kelmendi, duke i thënë: “përveç ministres së Jashtme, zonjës Donika Gërvalla”. “Ajo ka thënë se nuk ka nënshkrim”, tha Kurti, teksa sërish Kelmendi ia theksoi se ajo ka thënë “nuk ka marrëveshje”. “Marrëveshje ka. Marrëveshja është bërë në Bruksel dhe në Ohër. Është ligjërisht obligative. Këtë marrëveshje e ka adoptuar edhe BE-ja, jo vetëm ndërmjetësit Borrell dhe Lajçak, të cilët kanë konstatuar që kjo është një marrëveshje, por me keqardhje nuk ka nënshkrim për shkak të palës tjetër. Ndërkohë që ne jemi tërësisht në rregull. Mungesa e nënshkrimit bëhet gjykim për Serbinë, por nuk e cenon ekzistencën e marrëveshjes”, tha Kurti për marrëveshjen e Ohrit, raporton Klankosova.tv. Duke u ndaluar te njohjet e pesëshes së BE-së, kryeministri tha se për këtë çështje, vendin tonë e ndihmojnë shumë aleatët. Ndërkohë tha se nuk u ka shkruar letra pesë shteteve të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës. “Neve ndërmjetësit dhe shtetet aleate janë duke na ndihmuar shumë dhe unë besoj se është më mirë ta ndjekim këtë rrugë indirekte sa i përket avancimit te njohja e pesëshes. Nuk është thjesht në dorën tonë, dhe nuk besoj që do të ndihmonte që pas kësaj marrëveshje ne menjëherë t’i shkruajmë atyre. Ne i drejtohemi në çdo takim që i organizojmë. Nuk u jam drejtuar unë personalisht me letër, mirëpo këto janë edhe çështje të ndjeshme të lobimit. Nëse unë ju tregoj se kujt i kam shkruar letër javën e kaluar, unë bëj edhe dëm, sepse menjëherë Serbia i shkruan atij shteti. Unë nuk kam nevojë të tregoj publikisht se cilit shtet i shkrova së fundi. Serbia ka rrjet të ambasadave dhe të shërbimit të jashtëm shumë më të fuqishëm se ne”, deklaroi ai. Tutje, kreu i ekzekutivit u pyet edhe për njohjet në përgjithësi, teksa u shpreh se nuk e ka përfunduar ende mandatin. “Po flisni vazhdimisht thua se u kry mandati, edhe tash thatë gjatë mandatit. Është gjyma e parë e mandatit. Është e vërtetë që s’kemi asnjë njohje. Nuk varet krejt nga ne, ndërsa ne kemi bërë krejt çka dimë e mundemi. Nuk besoj që të tjerët kishin bërë më mirë. Më tregoni, në fushatën e dimrit 2021, kur kam thënë Punë dhe Drejtësi, a ka një fjalim timin që do të sjellim njohje apo liberalizim zë vizave? Jo! Ju do të më mbani përgjegjës për premtimet, jo për dëshirat tuaja”, theksoi Kurti. /Klankosova.tv Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS 21:46 – Kurti tregon përse nuk ka asnjë njohje gjatë qeverisjes së tij (VIDEO) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në “Rubikon” në Klan Kosova ka treguar se përse nuk ka asnjë njohje gjatë kësa kohe të qeverisjes së tij. Ai është shprehur se nuk varet gjithçka prej tyre, por sipas tij, kanë bërë krejt çka kanë ditur dhe kanë mundur. “Nuk varet gjithçka prej neve, a ne kemi bërë krejt çka dimë e mundemi. Nuk besoj që të tjerët kishin bërë më mirë. Në fushatën e dimrit të vitit 2021, kur kam thënë punë dhe drejtësi, a ka një fjalim timin që do të sjellim njohje, a do ka një fjalim timin që do të sjellim liberalizimin e vizave, jo”, tha ai. Kurti gjithashtu tregoi se pse nuk ka premtuar se do të ketë njohje, përcjell Klankosova.tv. “Unë nuk kam dhënë premtim sepse e kam ditur që premtimi i tillë ta dobëson pozitën në raport me ato shtete dhe shumëçka varet më tepër nga partnerët tanë të demokracive perëndimore, sesa nga vet ne”, u shpreh tutje ai. Kryeministri Kurti është shprehur se mosnjohja reciproke me Serbinë është fakt. Ai tha se këtë nuk e kemi për shkak të Serbisë dhe aleatëve të saj, sepse siç u shpreh ai, edhe aleatët e saj, punojnë për Serbinë. “Mosnjohja reciproke është fakt, prej letrës së urimit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në fillim të vitit 2019, në shkurt të vitit 2019, kërkohet njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk e kemi ende, për shkak të Serbisë dhe për shkak të aleatëve të saj, sepse edhe aleatët e saj, punojnë për Serbinë. Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën”, u shpreh Kurti. 21:42 – Kurti: S’krahasohen aktakuzat për korrupsion multi-milonësh me ato për gaz lotsjellës (VIDEO) Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për aktakuzat ndaj ministrave të tij, ku përmendi aktakuzën ndaj ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, për të cilin tha se do të ishte keq nëse do të shkarkohej, pasi aktakuza ra shpejt. Kurti tha se standardi për dorëheqje të ministrave që kanë aktakuza nuk bën t’i hedh tym gazit lot sjellës, pasi sipas tij, aktakuzat janë për gaz lotsjellës. “Dhe mendoj se nuk krahasohet korrupsioni i atyre paraprakëve me veprimet tona, që mua, si bartës liste me patën lënë pa garuar në zgjedhjet e fundit. Nuk krahasohet korrupsioni multi-milionësh i atyre me gazin tonë lotsjellës”, është shprehur Kurti në Rubikon në Klan Kosova. Tutje, ai foli edhe për marrëveshjen me Serbinë, ku tha se ajo është ligjërisht e obligueshme për të dyja palët. “Ajo është ligjërisht obligative sepse e ka adoptuar edhe BE-ja, jo vetëm ndërmjetësit, të cilët kanë konstatuar se kjo është një marrëveshje por për keqardhje s’ka nënshkrim për shkak të palës tjetër, ndërkohë që ne jemi në rregull”. “Mungesa e nënshkrimit, bëhet gjykim për Serbinë, por nuk cenon ekzistencën e marrëveshjes”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS 21:32 – Kurti: Nga shumë zyrtarë të korruptuar ramë në disa – duhet punë për ta hequr korrupsionin Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ka thënë se luftën kundër korrupsionit janë duke e vazhduar. Kurti, në Rubikon në Klan Kosova, tha se nga shumë zyrtarë të korruptuar tashmë kanë mbetur disa. “Tani thuhet disa zyrtarë të korruptuar ndërsa në raportet e kaluara thuhej shumë zyrtarë të korruptuar. Pra kemi rënë nga shumë në disa – nuk e kemi bërë korrupsionin zero, e pranojë këtë. Mirëpo, paralelisht me këtë mbase duhet të përmendet edhe Transparency International, luftimi i korrupsionit ku kemi përparuar për 20 vende në dy vjet”, u shpreh Kurti. Kurti, mes tjerash, tha se nëse pritshmëritë kanë qenë që për dy vjet të mos ketë asnjë zyrtarë të korruptuar, sipas tij pritshmëritë kanë qenë joreale. “Më shumë jemi një rang sesa një shkallë, ne kemi trashëguar dy qeveri, në se kemi marrë qeverisjen më 2017 por më 2021 dhe e kemi marrë në një shkallë më të ulët”. “Ne nuk i kemi ndryshuar të gjithë zyrtarët publikë, as prokurorët e gjykatësit, ka shumë punë përpara. Nuk them se korrupsioni është zero dhe nëse prisni që për dy vjet nga shumë zyrtarë të arrihet në asnjë zyrtarë atëherë pritjet janë joreale”, tha Kurti. 21:31 – Kurti: Bizneset i kemi ndihmuar duke ua hequr nga qafa korrupsionin Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ka një dinamikë të madhe në ekonominë vendore, ndonëse shton se nuk mundet që struktura ekonomike të ndërrojë në dy vjet. Ai ka thënë se për bizneset kanë bërë lehtësime, duke nisur nga çmimi i ulët i energjisë elektrike për to. “Atyre u kemi ndihmuar duke ua hequr nga qafa korrupsionin. Nuk ka biznes që nuk e konstaton një gjë të tillë”, është shprehur Kurti në Rubikon. “U kemi ndihmuar dhe organizuar sa më mirë për eksportet që i bëjnë. Ua kemi lehtësuar kredimarrjen dhe eksportin dhe kemi ulur shpenzimet e kostot dhe kemi rritur produktivitetin e tyre” Kurti ka thënë se “nga shumë zyrtarë” të korruptuar në dy vjet të qeverisë së tij tani flitet “për disa zyrtarë”. 21:29 – Kurti: Është e vështirë që përnjëherë ta zvogëlojmë migrimin (VIDEO) Sonte në edicionin e emisionit Rubikon në Klan Kosova, përball Adriatik Kelmendit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli rreth qeverisjes së tij dyvjeçare. Kurti tha se është e vështirë që përnjëherë të zvogëlohet migrimi i popullsisë. “Nuk mundemi që përnjëherë, madje as shpejtë, që migrimin ta zvogëlojmë deri në masën që punësimi të jetë më i madh se ai”, tha Kurti. Ai theksoi se nuk i ndihmohet atyre që e kanë humbur shpresën duke iu thënë se e “kanë humbur shpresën”. “Nëse është dikush afër humbjes së shpresës se ka edhe të tillë, nuk ndihmon t’ju themi se po e humbin shpresën. Është e rëndësishme edhe ky aspekt. Në thelb të çështjes është mungesa e prodhimtarisë vendore, struktura e ekonomisë tek ne, e cila është bazuar shumë në import, konsum, në financa por jo në përpunim dhe prodhim. Dhe, vetëm tash më në fund kanë filluar të rriten eksportet dhe të hapen vendet e reja të punës”, tha ai/ Klankosova.tv 21:25 – Kurti: Krahasuar me të tjerët kemi bërë shumë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në “Rubikon” në Klan Kosova, ka thënë se kanë bërë shumë, në krahasim me të tjetër. Ai është shprehur se duke pasur parasysh se çfarë ka ndodhur në vitet e kaluara, sipas tij, dallimi është shumë i madh” “Unë mendoj që kemi bërë shumë, krahasuar me të tjerët, është e pakrahasueshme, por nëse duam edhe më shumë, pra nëse keni parasysh çfarë ka ndodhur në vitet e kaluara, dallimi është shumë i madh”, tha ai. Kryeministri Kurti gjithashtu tregoi arsyen pse sipas tij qytetarët po e lëshojnë vendin, përcjell Klankosova.tv. “Unë besoj që qytetarë e lëshojnë vendin, kryesorja meqenëse nuk kemi lidhje mes diplomave të universiteteve e fakulteteve tona dhe treguat të punës. Mendoj që ky është një ndër faktorët kryesor. Njerëzit të cilët e lëshojnë Kosovën, arsye kanë që mbarojnë juridik, mbarojnë ekonomik, mirëpo është i ngopur tregu i punës për profesione, sepse asnjëherë nuk ka pasur një qeveri që krijon urën midis arsimit dhe aftësimit profesional në njërën anë dhe tregut të punës në anën tjetër”, u shpreh tutje ai. 21:24 – Kurti: Heqja e TVSH-së veç e zvogëlon buxhetin – po bëjmë diçka më të madhe (VIDEO) Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është shprehur se nuk ka nevojë të hiqet TVSH-ja, pasi sipas tij, qeveria po bën shumëçka tjetër që është më e madhe. Kurti tha se në kohën kur qeveria po i mbështet pensionistët, studentët, lehonat, punëtorët e sektorit publik e privat, nuk ka nevojë të hiqet TVSH-ja, pasi sipas tij, vetëm zvogëlohet buxheti i shtetit dhe nuk krijon mirëqenie sociale siç është synuar. “Sot, po bëjmë diçka tjetër që është edhe më e madhe, edhe më e mirë. Sa për qeverinë e VV-së, ne do t’i kishim çmimet më të ulëta, sepse do ta kishim tavanin. Ta presim Gjykatën Kushtetuese, e shpresojmë do të vazhdojë më ndryshe prej kësaj çka patëm për Këshillin Prokurorial”, është shprehur Kurti në Rubikon në Klan Kosova. Tutje, Kurti foli edhe për ligjin që cakton çmimin tavan, i cili aktualisht është në Gjykatë Kushtetuese, ku tha se “nëse na ka mbetur tek çmimi tavan ta mbrojmë Kushtetutën, nga ata që dihet çka i kanë bërë kësaj më herët, atëherë lë të vazhdojmë kësi soji”. “Reformat e shumëfishta kanë përfunduar në tryezën e Gjykatës Kushtetuese. Tash unë e kuptoj që në gjykata ne nuk bën të përzihemi, ajo është një shtyllë e pushtetit, por duhet ta kuptoni edhe frustrimin tonë që dikush që i ka fituar gati gjysmë milionë vota, e më pastaj të zvarritesh për muaj të tërë tek nëntë persona”. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS 21:16- Kurti: Opozita nuk po i dërgon ligjet në Kushtetuese për ta ruajtur kushtetutshmërinë (VIDEO) Kryeministri i vendit, Albin Kurti, vlerëson se opozita nuk po i dërgon ligjet në Gjykatën Kushtetuese për të ruajtur kushtetutshmërinë, por veç për të treguar opozitarizëm politik. “Kam hall që reformat tona të shumë anshme e kanë gjetur një lloj sigurese që të zvarriten dhe në këtë mënyrë nuk jam i bindur që bëhen nga motivi i ruajtjes së kushtetutshmërisë sa nga një opozitarizëm politik”, tha Kurti. Kurti, në Rubikon në Klan Kosova, foli për çmimet e ngritura teksa për ligjin e vendosjes së çmimit tavan tha se opozita nuk po e dërgon në Kushtetuese. “Ju folët për çmimet e ngritura, po ta kishim ligjin për tavanin e çmimeve që nuk qohet në Gjykatën Kushtetuese ashtu siç dihet, sot nuk do t’i kishim këto çmime të larta”. “Le të jetë aspekti normativ dhe i dobisë, nëse ankohemi për çmime të larta kemi një ligj që po pret të trajtohet në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për t’ju vënë tavanin këtyre çmimeve. Po të ishte ky ligj të fuqi pasi ka shumë ligje që opozita nuk i qon në Gjykatën Kushtetuese” u shpreh Kurti. 21:14 – Kurti: Jam më i brengosuri për tri ligjet që opozita i dërgoi në Kushtetuese (VIDEO) Kryeministri Albin Kurti, në Rubikon të Klan Kosovës, ka thënë se është i shqetësuar me dërgimin e ligjeve nga opozita në Gjykatën Kushtetuese. Ai tha se në këtë gjykatë, po pret të trajtohet Ligji për çmimet tavan të produkteve bazë. Kjo, sipas tij, po ndikon në ngritjen e çmimeve të këtyre produkteve. “Mua më vjen shumë keq që Ligji për masat e përkohshme, për kufizimin e çmimeve të produkteve bazë, është në Gjykatën Kushtetuese. LDK-ja e ka dërguar në Gjykatë këtë ligj. Dhe nëse ka diçka që aktualisht si kryeministër jam më i brengosuri në qeverisjen që e kemi, janë këto tri ligjet e mbetura në Gjykatën Kushtetuese që po zvarriten dhe për të cilët jam shumë i shqetësuar për vendimet që do të vijnë duke pasur parasysh këtë për KPK-në”, tha Kurti në këtë intervistë, raporton Klankosova.tv. Ai tha se nuk mund ta dijë epilogun e vendimeve të GJK-së, por tha se me rastin e fundit për ligjin për KPK-në, të cilin Gjykata e rrëzoi, frikësohet se fat i njëjtë mund t’i presë edhe ligjet tjera. “Si ta di unë që do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese një ligj që e ka kaluar dy herë Komisionin e Venecias, i cili është dakorduar me SHBA-në, BE-në, Britaninë, me shoqërinë civile, dhe nuk mjafton komisioni i Venecias, por vjen e rrëzohet këtu në Gjykatën Kushtetuese”. “Po ta kishim Ligjin për tavanin e çmimeve, që nuk çohet në Gjykatën Kushtetuese siç ndodhi, sot nuk do t’i kishim këto çmime të larta. Tash le ta vlerësojmë edhe këtë aspekt. Unë vetëm po dua të them që le të jetë aspekti normativ, por edhe ai i dobisë. Nëse ankohemi për çmime të larta, e kemi një Ligj që pret të trajtohet në Kushtetuese për t’iu vënë tavanin të gjitha këtyre produkteve bazë. Pra, po të ishte ky ligj në fuqi, sepse ka shumë ligje që opozita nuk i çon në GJK… e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, për Ligjin për çmimin tavan, për KPK-në dhe për KPK-në, ne kemi thënë se në vend se të jenë 10 prokurorë dhe tre të tjerë, të jemi katër me tre. Kjo i ka kaluar filtrat e brendshëm, por jo edhe të Gjykatës Kushtetuese. Kjo më ka shqetësuar shumë sepse kam hall që reformat tona të shumëanshme e kanë gjetur një lloj sigurese që të zvarriten, të vonohen, dhe në këtë mënyrë unë nuk jam i bindur që bëhet nga motivi për ruajtje të kushtetutshmërisë sa i nga një opozitarizmi politik”, deklaroi kryeministri Kurti. /Klankosova.tv Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS 20:58 – Kurti: Dy vitet e para të qeverisë së tanishme janë të pakrahasueshme me më herët Kryeministri Albin Kurti vlerëson se në dy vitet e para të këtij mandate është arritur ajo që është synuar. “Janë dy vitet e para dhe janë të pakrahasueshme me më herët”, është shprehur Kurti në Rubikon me Adriatik Kelmendi. “Vitet 2021 dhe 2022 janë vitet me rritjen mesatarisht 7.0 përqind që është dyvjeçari më i suksesshëm në Kosovën e pavarur. Kemi pasë edhe disiplinë fiskale, nga 1.5 milionë, kanë shkuar në 2.5 miliardë në dy vjet dhe është e pashembullt”, ka shtuar Kurti. Kurti ka theksuar se gjatë këtyre dy viteve janë dyfishuar investimet e huaja direkte derisa ka thënë se tek qytetarët deri më tani janë shpërndarë 842 milionë. Në emisionin e sotëm “Rubikon” në Klan Kosova, përballë autorit të emisionit Adriatik Kelmendi do të jetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në këtë intervistë, kryeministri Kurti pritet të flasë për punën dyvjeçare të qeverisë së tij, për marrëveshjen e Ohrit, dialogun Kosovë-Serbi, krizën energjetike e inflacionin. – Sa nga premtimet e fushatës zgjedhore janë realizuar deri tani? – Çka (s’) pranoi Kurti në Ohër? – Ku është dialogu në listën e prioriteteve të Qeverisë Kurti? – Çka po bëhet për përballje me inflacionin dhe krizën energjetike? – Përse po ngecin reformat në shëndetësi? – Si e komenton verdiktin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial? Këto dhe shumë çështje të tjera diskutohen sonte me shefin e ekzekutivit, Albin Kurti, nga ora 20:45, në Klan Kosova. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Krasniqi: Kënaqësi që mora pjesë në hapjen e ekspozitës së fotogazetarit Blerim Uka 2 orë më parë
Kosova Arrestimi i shtetasit serb për planifikim të vrasjes, Prokuroria po tenton të zbulojë edhe ndonjë të dyshuar tjetër 2 orë më parë