Lajmet e fundit

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të industrisë së mbrojtjes “EU 4 Defence Readiness – Road Map to Future”, e cila është mbajtur në Zarë të Kroacisë.
Maqedonci mori pjesë në konferencë me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiq, ndërsa ishte folës në panelin “Siguria evropiane në mjedisin e ri gjeopolitik”.
Në margjinat e konferencës, Maqedonci dhe Anushiq riafirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.
Gjatë takimit, ata diskutuan edhe për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit trepalësh Kosovë-Shqipëri-Kroaci, me synimin që ky bashkëpunim të jetë i hapur edhe për vendet e tjera të rajonit që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta.
Dy ministrat u dakorduan për avancimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, trajnimet, shkëmbimin e informacionit, si dhe koordinimin për përballjen me kërcënimet hibride.
Sipas një njoftimi për media, gjatë panelit, Maqedonci ka theksuar kërcënimet që, sipas tij, burojnë nga qasja hegjemoniste e Serbisë ndaj fqinjëve të saj.
Ai foli edhe për hapat që po ndërmerr Kosova për ndërtimin e një sistemi mbrojtës gjithëpërfshirës, me angazhimin e institucioneve dhe qytetarëve.
Maqedonci vuri në pah gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të industrisë së mbrojtjes.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kontribuon në avancimin e sigurisë dhe të kapaciteteve mbrojtëse në rajon. /Klankosova.tv