Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Majlinda Kelmendi: Femrat mund të shohin gjëra që meshkujt nuk munden

NULL NULL
31.03.2023 11:06
Majlinda Kelmendi
Majlinda Kelmendi

Edhe pas pensionimit të saj në vitin 2021, Majlinda Kelmendi vazhdon të jetë një figurë ikonike për xhudon dhe veçanërisht për Kosovën.

Kështu e nis intervistën Komiteti Olimpik Ndërkombëtar me kampionen olimpike dhe tash trajneren Majlinda Kelmendi.

“Popullariteti im është ende i njëjtë, ndoshta njerëzit më kujtojnë dhe më respektojnë aq shumë sepse unë isha e para që fitova çdo titull për vendin në këtë sport”, tha Kelmendi në një intervistë për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

“Ka pasur kaq shumë momente (të paharrueshme) gjatë karrierës sime dhe kjo është ndoshta arsyeja pse njerëzit nuk do të më harrojnë kurrë”.

Kelmendi e mbylli karrierën në xhudo kur kuptoi se nuk mund të stërvitej më dhe të garonte në nivelin që dëshironte.

“Ndonjëherë më mungon dhe ndoshta mund të kisha vazhduar edhe dy-tre vjet të tjera, por trupi im nuk mundi ta përballojë më. Edhe nëse dua të stërvitem, trupi im thjesht nuk po më dëgjon…”, tha 31-vjeçarja, e cila po përballej me dhimbje kronike që nga një dëmtim i rëndë në qafë në vitin 2015.

Megjithatë, xhudo nuk është zhdukur nga jeta e saj.

Në fakt, një aventurë e re në zanatin e trajneres nisi sapo përfundoi karriera e saj konkurruese

“Vendosa të jem një trajnere mendoj që edhe para se të mbaroja karrierën. Do të doja të bëhesha trajnere sepse kur jam në tatami, nuk ka rëndësi se ku, ndihem mirë, jam vetvetja”, shtoi ajo.

Mbi një vit më parë, Kelmendi iu bashkua ekipit të trajnerit të mentorit të saj Driton ‘Toni’ Kuka.

“Ai është shefi, unë jam këtu për ta ndihmuar në çdo gjë, varësisht se çfarë ka nevojë ai dhe ekipi. Kryesisht punoj në seancat stërvitore të xhudos”, tregoi ajo.

“Mendova se do të kisha më shumë kohë kur dola në pension, por kjo është krejtësisht ndryshe sepse tani punoj me fëmijë, me kadetë, me të rinj dhe me senior. Dhe udhëtoj shumë, por më gëzon”, shtoi kosovarja, e cila ende e mban formën në palestër (“kam shtuar disa kilogramë, por thonë se dukem më e dobët, ndoshta sepse kam më pak muskuj tani…”)”.

“Kur je sportist, mendon vetëm për veten: thjesht stërvitesh, jep maksimumin dhe kaq. Si trajnere, duhet të përballesh me personalitete të ndryshme dhe të përshtatesh me ta, nuk mund t’i trajtosh të gjithë në të njëjtën mënyrë”.

“Është gjithashtu një përgjegjësi e madhe sepse të gjithë presin që unë të jem po aq e mirë sa isha si atlete. Kështu që ka qenë e vështirë, por më në fund gjeta mënyrën time të stërvitjes”.

“Trajneri është një fjalë e madhe. Nuk mendoj se thjesht bëhesh një trajner i mirë me vetëm një vit përvojë. Unë e njoh shumë xhudon sepse e kam bërë këtë gjatë gjithë jetës sime, por kur bëhet fjalë për sistemin e punës, është krejtësisht ndryshe”, tha ajo.

“Stërvitja është shkencë, është një punë 24/7”.

Një nga sfidat më të mëdha me të cilat u përball në fillimet e karrierës së saj të re ishte përballja me sportistë dhe personazhe të ndryshëm nga ajo.

“I shikoja të gjithë atletët nga perspektiva ime duke pretenduar se do të stërviteshin dhe do të silleshin si unë. Pastaj një ditë erdhi Toni dhe tha: ‘Nuk mund të presësh që ata të jenë si ti’ Sepse unë isha një punëtore dhe kisha shumë besim. Dhe brezi i ri tani nuk ka të njëjtën vendosmëri si unë”, shpjegoi ajo.

Katër herë kampionia evropiane gjithashtu reflekton se pse nuk mund të përsërisë thjesht atë që bën mentori i saj,

“Do të doja që unë të mund të punoja në të njëjtën mënyrë si ai punon, por nuk është e mundur. Para së gjithash, sepse unë jam një grua dhe ndoshta nuk mund të flas me atletët ashtu siç flet ai, ndonjëherë duhet të bërtas, kështu që edhe unë duhet të gjej rrugën time”.

Si një ish-sportiste, Kelmendi e di se sa e rëndësishme është të ndërtosh një marrëdhënie solide.

“Gjëja e parë që dua të bëj si trajnere: dua që sportistët të më besojnë, jo vetëm në tatami, por edhe jashtë saj. Dua të them, më besoni mua si trajner dhe ndoshta më besoni si, nuk e di, një prind të dytë”.

“Kështu që unë mendoj se kam përvojë dhe njohuri të mjaftueshme për t’u bërë një trajnere i mirë një ditë, shpresoj”.

“Kjo më bën shumë të lumtur sepse xhudo është një sport vërtet i vështirë dhe gratë mund të jenë sportiste të mira dhe trajnere të mira. Është shumë frymëzuese dhe është vërtet mirë të dish që grave u është besuar tani kjo përgjegjësi e madhe, që do të thotë se ato mund ta përballojnë atë dhe të jenë të suksesshme”.

Kelmendi beson se të qenit trajner femër mund të ketë edhe avantazhe.

“Mendoj se femrat janë pak më të ndjeshme dhe ndonjëherë mund të ndjejnë dhe shohin gjëra që meshkujt nuk munden”, tha ajo. /Klankosova.tv.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.