Macut falënderon Egjiptin për qëndrimin ndaj Kosovës, por Kajro njohu pavarësinë më 2013 NULL NULL 19.06.2025 22:59 19.06.2025 22:59 Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, në takim me presidentin e Senatit të Egjiptit, Abdel-Wahab Abdel-Razeq Kryeministri i Serbisë duket se nuk është përditësuar me të dhënat mbi raportet diplomatike të Kosovës me shtete nëpër botë. Kjo pasi gjatë një takimi që Gjuro Macut zhvilloi me presidentin e Senatit të Egjiptit, Abdel-Wahab Abdel-Razeq, e falënderoi këtë të fundit për “qëndrimin e këtij vendi për çështjen e Kosovës”, raporton Klankosova.tv. Kështu thuhet në komunikatën që kryeministria serbe e ka lëshuar për media pas këtij takimi të zhvilluar në Kajro. “Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij ndaj Presidentit të Senatit të Egjiptit për qëndrimin e këtij vendi në lidhje me Kosovën”, thuhet në komunikatë, “dhe ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”, duke theksuar se Serbia “e respekton thellësisht këtë”. Por, Republika Arabe e Egjiptit e ka njohur shtetin e Kosovës tash e gati 12 vjet. Më 26 qershor të vitit 2013, ministri i atëhershëm i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj e pati ndarë këtë lajm në Twiter. Ai thoshte se “njohja nga kjo republikë arabe i është kumtuar atij nga ndihmësi i presidentit të Egjiptit Mohamed Morsi”. “Lajmi për njohjen zyrtare të Kosovës nga Egjipti, sapo është konfirmuar nga Dr. Essam al-Haddad, asistenti i presidentit të Egjiptit”, thoshte Hoxhaj asokohe. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.