22:16, 14 Shkurt 2020

Franca dhe Holanda filluan koordinimin mes tyre për negociatat e pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore para takimit të Këshillit të BE-së në fund të marsit. Presidenti Emmnuel Macron priti për këtë qëllim në Elyse kryeministrin holandez Mark Rutte. Ndërkohë në Bruksel po bëhen përpjekjet e fundit për Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë.

Dy vendet skeptike ndaj negociatave me Shqipërinë, Franca dhe Holanda filluan koordinimin mes tyre para takimit të Këshillit të BE-së në fund të marsit. Ky takim vjen në një kohë që Komisioni Europian ka paraqitur metodologjinë e re të zgjerimit, për të cilën Parisi zyrtar ka dhënë miratimin paraprak.

Presidenti francez Emmnuel Macron priti në Elyse të premten kryeministrin holandez Mark Rutte. Jo zyrtarisht Franca ka shprehur dakordësinë e saj në lidhje me metodologjinë e re, ndërsa për qëndrimin që do të mbajë në lidhje me fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, ka thënë se do të konsultohet me vendet e tjera. Dhe takimi i së premten në Paris erdhi në kuadrin e këtij konsultimi.

Ndërsa Holanda, pavarësisht pakënaqësive që ka shprehur ndaj cilësisë së reformave të Shqipërisë apo shqetësimet e ngritura në lidhje me krimin e organizuar, thotë se do të ndjekë qëndrimin e Francës.

Një qëndrim më i qartë i Macronit për politikën e jashtme pritet pas pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.

Ndërkohë në Bruksel po bëhen përpjekjet e fundit për Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë që do të zhvillohet më 17 shkurt. Gjatë konferencës kryeministri Rama dhe presidentja e Komisionit Von Der Leyen do të nënshkruajnë dhe marrëveshjen përkatëse.

“Presidentja do të marrë pjesë konferencën ndërkombëtare të donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”. Kjo konferencë ka për qëllim të mbështesë përpjekjet për rindërtimin në Shqipëri pas tërmetit që e goditi në mënyrë shkatërruese vendin më 26 nëntor,” tha zëdhënësja Dana Spinant.

Në Konferencë do ta marrë fjalën Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, presidentja Von der Leyen, kryeministri Edi Rama dhe ministra të kabinetit qeveritar shqiptar, ndërsa raportin e vlerësimit të dëmeve do ta prezantojë koordinatorja kombëtare Milva Ekonomi./Ora News.tv/

Konkurs Pune

Lexo më shumë