Lutfi Haziri mbledh në Gjilan kryetarët e komunave të Luginës bashkë me atë të Mitrovicës - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Lutfi Haziri mbledh në Gjilan kryetarët e komunave të Luginës bashkë me atë të Mitrovicës

NULL NULL
08/09/2018

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka ftuar në takimin e rregullt udhëheqësit e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me pjesëmarrje edhe të kryetarit të Mitrovicës dhe nënkryetarit të AKR-së, Agim Bahtiri.

Ata kanë bashkëbiseduar për zhvillimet e fundit dhe konkretisht për dialogun dhe reciprocitetin në këtë proces.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka potencuar se ky është një takim i rregullt për koordinim të qëndrimeve politike në kuadër të interesit të qytetarëve shqiptarë në lindje të Kosovës, në kuadër të procesit të normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi.

“Është takim i rregullt me udhëheqësit e komunave shqiptare në Kosovën Lindore. Natyrisht ne edhe më tutje vazhdojmë të punojmë që kjo të jetë një zgjidhje me dialog, zgjidhje të pranueshme, ku të drejtat e shqiptarëve të shprehur përmes referendumit të njihen edhe ndërkombëtarisht. E drejta për bashkim me Kosovë t’u garantohet në parimin e reciprocitetit me tërësinë e Komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka thënë Haziri, njofton Komuna e Gjilanit, përcjell Klan Kosova.

“Jemi të vendosur që këto takime të jenë edhe më të shpeshta, për të ndërtuar një konsensus më të gjerë politik, sepse është kërkesë e shqiptarëve atje dhe njëkohësisht një shqetësim i udhëheqësve shqiptarë nga këto komuna”.

Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit ka thënë se takimi i sotëm është i rregullt në Gjilan dhe është në kuadër të kërkesave të qytetarëve të Kosovës Lindore për përfshirje në bisedime edhe këtë pjesë shqiptare dhe atë në platformën e reciprocitetit.

“Ne përkrahim prezantimin e presidentit për mundësinë që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Kërkojmë që tërësia territoriale e këtyre Komunave të respektohet në tërësi dhe gjithashtu në këtë moment është shumë me rëndësi konsensusi politik i partive politike në Republikën e Kosovës, sa i përket kësaj qështje, e cila është jetike për qëndrimin tonë për të ardhmen”, ka thënë Kamberi.

Ai ka kërkuar nga Parlamenti dhe partitë politike në Kosovë që ta përkrahin idenë e presidentit,Hashim Thaci sepse sipas tij është kërkesë e shqiptarëve e shprehur me referendum dhe për fatin e shqiptarëve duhet të ketë një konsensus të plotë politik në Prishtinë.

Kurse Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës, ka thënë se gjendja e shqiptarëve në Kosovën Lindore është e këtillë për shkak të gabimit që nuk janë përfshirë në marrëveshjen e Vjenës në vitin 2010 dhe në procese të ndryshme të mëvonshme.

“Gjendja e shqiptarëve në Kosovën Lindore është e rëndë. Nuk duhet të luaj askush me fatin e këtyre qytetarëve atje. Nuk jemi kundër vëllezërve tanë atje, por ta dini se ndërrim të territoreve nuk do të ketë. Arsyeja është se të dy këto pjesë janë shqiptare, edhe lindja edhe veriu i Kosovës. Ajo që duhet bërë në këtë moment është që të ketë konsensus politik, të Parlamentit të Kosovës dhe partive politike për një platformë të qartë të bisedimeve, e nëse ajo përkrahë këtë formë të ndrrimit, atëherë e përkrahu edhe unë. Në të kundërtën nuk lejoj që të jetë pikë e rendit të ditës, shkëputja e Mitrovicës”, ka thënë Bahtiri.

Ndryshe, në takimin që është ndarë në dy pjesë kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i Preshevës, Armend Aliu dhe Fehmi Bela, asambleist nga Komuna e Medvegjës.