Lutfi Haziri: Guximi i Vjosa Osmanit vlerësohet në LDK, por partinë duhet ta udhëheq Isa Mustafa (VIDEO)

Lutfi Haziri: Guximi i Vjosa Osmanit vlerësohet në LDK, por partinë duhet ta udhëheq Isa Mustafa (VIDEO)

5 vjet më parë

Lutfi Haziri, politikani i cili përfolej si kandidat potencial për kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka shpalosur në Zona B, në Klan Kosova, qëndrimet e tij për Kuvendin e LDK-së dhe zhvillimet e përgjithshme në parti.

Për çështjen e aklamacionit në rizgjedhjen e Isa Mustafës, ai ka thënë se Vjosa Osmani ka pasur problem procedural.

“Nuk kemi pasur verifikim të kandidaturës së Vjosa Osmanit, sepse vetëm 62 delegatë kanë votuar për të”.

Haziri ka thënë se LDK-ja nuk është e njejtë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës.

“Periudha e LDK-së me kryetar Ibrahim Rugovën, e tash pa të, nuk është e njejtë”.

“Këpucët e Rugovës nuk i bien asnjë njeriu tjetër”.

Haziri tregoi pse nuk e ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së.

“Unë kam qenë neutral, ndonëse kam shprehur aspiratën time politike dhe kam pasur arsye politike dhe morale që të mos kandidoj”.

Ai mendon se LDK duhet të udhëhiqet nga Isa Mustafa, meqenëse është kreu i Qeverisë.

“LDK-ja ka arritur ta marrë Qeverinë, ta udhëheq atë, kryetari i LDK-së është kryeministër”.

“Patjetër që edhe LDK-në duhet ta udhëheqë Isa Mustafa”.

Haziri gjithashtu u shpreh se të gjithë të pakënaqurit duhet të pajtohen me zgjedhjet.

“LDK-ja ka nevojë për çdo njeri të saj – edhe për ata që janë të kënaqur, edhe për të tjerët”.

“Të gjithë të pakënaqurit duhet t’i nënshtrohen verdiktit të popullit, të votuesve”.

Sipas tij, LDK-ja është duke punuar për të rinjtë që janë e ardhmja e kësaj partie.

“LDK-ja duhet të lëshojë vend për brezin e ri, që ta ruajë brezin e votuesve”.

Ai është shprehur mirënjohës për faktin se angazhimi i tij në LDK vlerësohet nga anëtarësia.

“Mua më vjen mirë nëse anëtarësia e LDK-së e pëlqen angazhimin tim politik, sepse kjo më bën që të jem më i përkushtuar”.

Ndalimin e përfaqësuesve të diasporës që të jenë pjesë e Kuvendit të fundit zgjedhor, Haziri e konsideron gabim të LDK-së, ndonëse kështu thotë statuti.

“Ne u kemi hyrë në hak bashkatdhetarëve tanë”.

“Por, përfaqësimi është sipas statutit të ri të LDK-së. Për 532 votues është 1 delegat, ndërsa degët jashtë kanë formulë tjetër”.

Ai ka shprehur mirënjohje për kontributin e bashkatdhetarëve nëpër faza të ndryshme të LDK-së.

“Janë zgjedhur 9 delegatë, por është dashur të zgjidhen 2”.

“Në raport me punën dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm për LDK-në, ne u kemi borxh tërë jetën”.

Kandidimi i Vjosa Osmanit kundër Isa Mustafës, sipas tij ishte veprim i guximshëm.

“Guximi dhe kuraja e Vjosa Osmanit që të kandidojë është për t’u vlerësuar, dhe ne si parti e vlerësojmë shumë këtë”.

I pyetur nëse do të respektohet marrëveshja politike me PDK-në sa i përket zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e Presidentit, ai u shpreh që duhet me patjetër të mbahet fjala.

“PDK-ja e ka mbajtur fjalën dhe tani është radha e LDK-së”.

“LDK-ja duhet ta mbajë zotimin e vet, sepse zgjedhjet në prill të vitit të ardhshëm nuk i konvenojnë askujt”.

“Ne kemi vuajtur kriza presidenciale dhe nuk kemi nevojë për një tjetër”.

“Për aq sa e njoh unë LDK-në, e di që e mban fjalën”.