Lulzim Basha: Nuk ka zgjedhje më 30 qershor NULL NULL 23.06.2019 10:51 23.06.2019 10:51 Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Lulzim Basha thotë se nuk ka dalje nga kriza politike në Shqipëri “pa u ndëshkuar personat që kanë kapur shtetin me krim të organizuar dhe korrupsion” dhe se ky është kushti i panegociueshëm i opozitës. “Kriza politike ka tre dimensione, kapjen e gjithë pushteteve në një dorë, ajo që njihet si autokraci. Publikimet më të fundit të Bild dëshmojnë se kemi shkrirjen e krimit partisë në pushtet dhe institucionet në një. Zgjidhja nuk mund të kalojë me marrëveshje dhe thjesht me pazar mes palëve. S’mund të ketë zgjidhje pa drejtësi, pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve që bashkë me kriminelë kanë vjedhur zgjedhjet e kanë ngritur një qeveri ilegjitime”, tha Basha. Basha ripërsëriti se zgjedhje më 30 qershor nuk mund dhe nuk do të ketë me një parti të vetme dhe se ftesa e kryeministrit Edi Rama për dialog të brendshëm politik është vetëm “hedhje hi syve” të qytetarëve. “Vendimi ynë pa dyshim i paprecedentë, u zbulua të ishte vendim i vërtetë sepse gjithë bota e ka parë që Parlamenti shqiptar, qeveria shqiptare nuk janë produkt i votës së lirë por të shkrirjes në një të partisë në pushtet me elementë të krimit të organizuar. Ftesa për dialog që bëhen për sy e faqe nuk janë ftesa por bëhen sa për sy e faqe për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Në krizën aktuale është e qartë se shkaktari kryesor është zt.Rama që për pushtetin e tij ka lidhur pakt me krimin. Në Shqipëri, zgjedhjet janë vjedhur në të gjithë territorin, nga Durrësi në Dibër, nga Shkodra në Lezhë, në Vlorë dhe kudo rrjetet kriminale kanë bashkëpunuar me PS-në për vjedhur zgjedhjet. Së dyti, vjedhja e zgjedhjeve është bërë me të gjitha metodat, me blerjen e votave, me mbledhjen e kartave të identitetit, me ndalimin e votuesve të opozitës për të shkuar për të votuar, me frikësimin e tyre, me frikësimin e administratës publike, me përdorimin e policisë së shtetit. Pra janë përdorur të gjitha metodat për të vjedhur dhe manipuluar zgjedhjet. Së treti është përfshirë e gjithë kupola shtetërore nga kryeministri tek polici apo mësuesi i thjeshtë që kërcënoheshin me bukën e gojës nëse nuk shërbenin si kamikazë politikë për të vjedhur apo për të blerë vota për partinë në pushtet. Së treti, në këtë ndërmarrje janë mobilizuar të gjithë kriminelët e Shqipërisë, nga bosët e krimit të organizuar, nga Ymer Lala, Bajrët, Shullazët me shokë deri tek kriminelët më të rëndomtë janë bërë njësh me Partinë Socialiste për blerjen e votës. Radiografia që i bëri BIld blerjes së votës në Shqipëri, nuk është thjesht një shtet i kapur në krim, por një shtet i shtrirë në krim. Asgjë nuk do ta zgjidhë këtë krizë pa u ndëshkuar hajdutët e votave qofshin kriminelë të rrugë apo politikanë të bërë njësh me krimin. Ky është një kusht i panegociueshëm, jo thjesht për opozitën. Nëse nuk arrijmë këtë, nga kjo krizë do të shkojmë në një krizë akoma më të thellë. 30 qershori nuk është një datë zgjedhjesh, votime ka edhe në Korenë e Veriut. Për liri dhe demokraci flet edhe Maduro i Venezuelës, procese farse mban edhe Berdimuhamedov i Turkmenistanit, po këto nuk janë standarde perëndimore. Nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën, nuk mund të ketë zgjedhje pa kandidat”, shprehet Basha. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.