Lajmet e fundit

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përcjellë sonte një mesazh nga fshati Negroc, vendlindja e ish-komandantit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, në kuadër të një aktiviteti të quajtur “Zjarri i Lirisë”.
Lladrovci tha se ndezja e këtij zjarri simbolizon qëndrueshmërinë e kërkesës për drejtësi, duke theksuar se “zjarri në zemrat tona për drejtësi nuk ndalet”, transmeton Klankosova.tv.
“Heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe Rexha, kanë qenë, janë dhe mbesin historia jonë e gjallë”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka deklaruar se nga Negoci po përcillet mesazhi për drejtësi dhe për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Sipas Lladrovcit, “Zjarri i Lirisë” nga Negroci përfaqëson shpresën për drejtësi dhe për kthimin e atyre që ai i cilëson si “heronj të luftës dhe paqes”.
Në mesazhin e tij, kryetari i Drenasit ka përmendur edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar lavdinë e saj si “frymë të ringjallur të Skënderbeut”, ndërsa ka kërkuar një jetë të lirë, dinjitoze dhe të barabartë për shqiptarët.