LIVE: Vota për Kosovën (VIDEO) NULL NULL 09.02.2025 06:50 09.02.2025 06:50 Televizioni më i madh në vend, Klan Kosova do të kujdeset që të ju sjellë çdo zhvillim në ditën e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Kjo mundësohet përmes transmetimit maratonë që ka nisur nga 06:30 dhe do të përfundojë pas mesnate. Kolegë nga Klan Kosova tashmë ndodhen në qytete të ndryshme të vendit nga ku edhe do t’i monitorojnë zgjedhjet. Qëndroni me Klan Kosova, Klankosova.tv dhe Klan Kosova FM. 18:45 – Cakolli nga DnV: Deri në ora 17:00 dalja ishte 38.9% Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë se edhe pas më shumë se 10 orëve të hapjes nga vendvotime është raportuar që procesi zgjedhor vijon të jetë i qetë dhe pa ndonjë incident apo parregullsi serioze. Cakolli tha se sa i përket daljes së votuesve, deri në ora 17:00 dalja është 38.9%, nga 1.9 milion qytetarë me të drejtë vote. “Sa i përket daljes së votuesve, deri në ora 17:00 dalja e votuesve është 38.9%. Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 1.9 milionë qytetarë”. “Për sa i përket daljes në kuptim të regjioneve, ajo që bie në sy është se janë dy rajone që kanë dalje mbi mesataren në nivel vendi, që është rajoni i Prishtinës me rreth 46%, rajoni i komunave me shumicë serbe si dhe rajoni i Ferizajt”, tha Cakolli, njofton Klankosova.tv. Më tej, ai tha se rajonet që kanë dalje që është brenda mesatares në nivel vendi janë Gjilani dhe Mitrovica e Jugut, kurse rajonet që kanë daljen më të ulët në krahasim me mesataren në nivel vendi janë rajoni i Pejës, Prizrenit dhe Gjakovës. “Pa rregullësit kryesore që e kanë karakterizuar 10-orëshin e procesit të votimit, vijon të dominojë problemi i pa saktësisë së listës së votuesve, respektivisht vështirësitë që votuesit po kanë që ta gjejnë emrin e tyre në listë të votimit. Mbi 70% të vendvotime në nivel vendi kanë pasur deri në 10 raste kur votuesit s’kanë mundur ta gjejnë vendvotimin e tyre”. “Madje, ajo që bie në sy është se brenda 70 për qindëshit, rreth 20% e tyre kanë pasur deri në 50 raste kur votuesit s’kanë mundur të votojnë për shkak të pa saktësisë së listës”. 18:44 – Portali klankosova.tv me punë të pandalshme, sidomos në ditën e zgjedhjeve Është një gurrë që nuk ndalet kurrë. Bëhet fjalë për portalin klankosova.tv që gjithherë përditëson lexuesit me informacionet më të fundit. Anash secilës ditë të bollshme ku publikohen mbi 150 lajme, kjo e sotmja – e zgjedhjeve – është sikur finale e Kupës së Botës për gazetarët e portalit. Zëvendëskryeredaktori, Agon Osmani, në një prononcim për emisionin zgjedhor të Klanit, Vota për Kosovën, tha se ia vlen të ndihet lodhje te gazetarët në këtë ditë që cilësohet si festë e demokracisë. “Dita sot ka filluar me punë, pak më ndryshe se sa ditëve të tjera. Pak po them, por jo goxha shumë. Goxha më ndryshe. Kemi filluar pak para orës 06:00. Ka qenë ekipi i paradites, pastaj ka filluar me ndërrime”, ka thënë Osmani. “Jemi vazhdimisht duke i mbuluar të gjitha ngjarjet që janë duke u zhvilluar në krejt Kosovën – kjo normalisht duke iu falënderuar ekipeve tona – të Klanit – që janë në krejt Kosovën duke i përcjellë zhvillimet se çfarë po ndodh me zgjedhjet. Deri tash ka shkuar goxha mirë procesi, kështu që po shpresojmë që vazhdon edhe më tutje njëjtë”. “Pasi po konsiderohet ditë festë, bën të lodhemi sot”. Në anën tjetër, redaktorja Vesa Rama Ago e ritheksoi punën përplot vëllim e verifikim që bëhet në baza ditore në portal, por e veçoi këtë ditë si një të tillë që del në krye të të gjitha ditëve të tjera për nga niveli i angazhimit. “Dita pa dyshim ka filluar shumë më ndryshe se sa herëve të tjera për shkak se kemi zgjedhje. Ka qenë shumë dinamike edhe pse ditët e tjera janë njësoj”, ka thënë Rama Ago. “Jemi në kontakt vazhdimisht me kolegët tanë që janë gjithandej Kosovës, por jemi në kontakt edhe me qytetarët që na shkruajnë vazhdimisht, dhe na raportojnë për incidente”. “Gjithçka ka shkuar mirë deri tash – ka ardhur edhe ndërrimi i pasdites edhe tash është pak më e lehtë. Procesi i punës por deri tash është tepër mirë. Lodhje ka pasur jo edhe aq, por mirë është duke shkuar gjithçka. 18:38 – Exit Polli ekskluziv i Klan Kosovës, Kelmendi: Pritet të kemi rezultate interesante (VIDEO) Klan Kosova do të dalë pas fare pak minutash me exit-pollin ekskluziv për zgjedhjet e 9 shkurtit. Këtë do të keni mundësi ta ndiqni menjëherë pas mbylljes zyrtare të vendvotimeve, në orën 19:00. Ilir Deda, njëri nga opinionistët e rregullt të Rubikonit, tha se procesi ka shkuar mirë gjatë ditës, mirëpo pati pak kritika për KQZ-në që tha se nuk po i përditëson të dhënat në kohë reale. Adriatik Kelmendi tha se procesi i votimit ishte i thjeshtë, mirëpo pak më i gjatë sesa i herëve të kaluara, kjo për shkak se është hera e parë që qytetarët patën mundësi të votojnë deri në 10 kandidatë për deputetë. Ai tha se ka pasur thirrje të vazhdueshme nga partitë politike që të ketë sa më shumë dalje në zgjedhje, teksa theksoi se duket se do të ketë numër më të madh të personave që kanë dalë. “Pritet që dalja të jetë rreth 46 për qind, që është për 2.2 për qind sesa para katër vjetësh”, theksoi Kelmendi. Opinionisti Rrahman Paçarizi tha se dita e sotme ka shkuar pa incidente, duke e kaluar kështu Kosova edhe një test të demokracisë. Labinot Balaj, po ashtu pjesë e rregullt e Rubikonit, tha se prolongimet për kryerjen e votimit janë për shkak të rritjes së numrit të kandidatëve të lejuar për votim. Ai tha se dalja e ulët, tradicionalisht u ka shërbyer partive që kanë qenë në pushtet. Kelmendi tha se me informatat për exit-pollin që janë shpërndarë kohë pas kohe, shpreson që të mos kenë prishur heshtjen zgjedhore. “Besoj se do të kemi rezultate interesante, që do të thotë se do të kemi lëvizje”, deklaroi Kelmendi. /Klankosova.tv 18:19 – Shkolla “Vezir Jashari” bëhet për herë të parë qendër e votimit Arben Aliu menaxheri i shkollës “Vezir Jashari” në Ferizaj, ka folur për rrjedhën e procesit të votimit në zgjedhjet e sotme. Në Klan Kosova, ai ka thënë se janë të kënaqur me numrin e votuesve që sot ishin aty. Sipas tij, kjo për faktin se është hera e parë që kjo shkollë bëhet qendër e votimit. “Çdo gjë ka shkuar në rregull pa ndonjë incident”, ka thënë Aliu. /Klankosova.tv 18:17 – A votuan minoritetet në Ferizaj? (VIDEO) Nga Lagjja Sallahane e Ferizajt që është e banuar kryesisht me minoritete është lidhur gazetarja Sara Aliu. Gazmend Emini, për Klan Kosova tha se ai dhe familja e tij votuan. “Në përgjithësi shumë mirë është shku. Kemi dal me votu unë dhe familja. Ishte shumë lehtë me votu. Qytetarët e Sallahanes kemi shumicën e rinisë pa punë, ai që është më i mirë të fiton le të çelë fabrika të punës dhe populli mos të na del jashtë. Presim punë, 1 e 4’ta janë pa punë, sidomos ashkalitë e Ferizajit”, tha Emini. Ndiqeni videon për më shumë: 18:16 – Si shkëlqeu portali Klan Kosova në ditën e zgjedhjeve Sot në ditën e zgjedhjeve, ekipi i portalit Klan Kosova që nga orët e hershme të mëngjesit janë duke sjellë informacione të shpejta dhe të sakta për lexuesit. Gazetaret Liridona Gashi dhe Vanesa Zhugolli, kanë ndjekur nga afër dinamikën e procesit dhe raportojnë se gjithçka po ecën mirë deri tani. Për to, kjo nuk është një ditë e vështirë, por një ditë me ritëm të lartë dhe bashkëpunim të shkëlqyer mes kolegëve. Përveç raportimit në portal, Klan Kosova po krijon një lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke i ftuar ata të ndajnë çdo parregullsi që vërejnë në procesin zgjedhor. Platformat e tyre në Facebook dhe Viber janë hapur për komunikim të drejtpërdrejtë me lexuesit, ku ata mund të adresojnë çdo parregullsi që vërejnë gjatë procesit zgjedhor. Nëse shihni diçka që duhet raportuar – Klan Kosova është vetëm një mesazh larg! 18:14 – Komunitetet në Gjakovë presin jetë më të mirë pas 9 shkurtit (VIDEO) Ismet dhe Sami Gjakova presin jetë më të mirë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në Klan Kosova, ata bënë thirrje që të jetesa për komunitetet jo shumicë në vend të bëhet më e lehtë. Pos kësaj, ata për shikuesit performuan me daulle. /Klankosova.tv 18:13 – 54 për qind e votuesve e shfrytëzuan të drejtën e tyre në qendrën e votimit në Barilevë Klani ka vizituar sot edhe qendër ne votimit në Barilevë, gjegjësisht shkollën fillore ‘Ali Kelmendi’. “Tre komisonerë kemi shku e kemi marrë materialin sensitiv me kohë, nuk ka pasë asnjë mungesë të materialit”, ka thënë për Klanin kryekomisioneri, Faket Selmani. “I kemi ba të gjitha përgatitjet me kohë. Tri vendvotimet kanë fillu në ora 007:00 të mëngjesit punën ,e me rregull ,asnjë problem s’e kemi pasë deri tash”. Kjo qendër e votimit numëron gjithsej 2780 votues, prej tyre, diku deri tash kanë dalë mesatarisht 1500 votues, që i bie se diku rreth 54 për qind deri tani e kanë kry obligimin e vet”. 18:03 – Banjska e qetë në votime, mbi 600 persona me të drejtë vote Gazetari Besnik Tahiri po qëndron në Banjskë të Zveçanit ku tha se situata është e qetë në ditën e votimeve. “Edhe këtu në Banjskë, në kontekstin e ditës së sotme, pra ditës së madhe të demokracisë për Republikën e Kosovës, pra ditën e zgjedhjeve, ka një qendër të votimit – janë më shumë se 600 persona që kanë të drejtën e votës”, ka thënë Tahiri në raportimin e tij. “Ndërkaq procesi na është thënë, jo nga këtu, por nga qendër në Zveçan që po shkon krejt në rregull dhe se ka një numër të konsiderueshëm që a të atyre që e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës këtu në Banjskë dhe po ashtu në fshatrat e tjera të Zveçanit”. 17:59 – Shtohet fluksi dhe çorientimi në Fakultetin Filologjik Në Fakultetin Filologjik po vërehet një numër i madh qytetarësh që po shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Megjithatë, fluksi i lartë ka shkaktuar edhe tollovi, pasi disa votues nuk e dinë saktësisht vendvotimin e tyre, njofton Klankosova.tv. Sipas raportimit nga gazetari Vullnet Krasniqi, deri në orën 15:00, në këtë qendër votimi kanë votuar 12 mijë e 500 qytetarë. Ndiqni detajet, në videon e mëposhtme: 17:54 – Prizren, përgjegjësi i qendrës së votimit me kusht nuk e dinte sa ishte numri i votuesve Gazetarja Sala Gashi po qëndron aktualisht në qendrën e votimit me kusht në Prizren, ku tha se përgjegjësi i kësaj qendre nuk i posedonte informacionet elementare. “Ne jemi në shtëpinë e kulturës ‘Xhemajl Berisha’ në qytetin e Prizrenit. Ishim në Dragash, në një qendër të tillë, e zbarkuam edhe në Prizren”, ka thënë Gashi në raportimin e saj. “Kur erdhëm këtu, kërkuam drejtorin e kësaj qendre që të na jepte informacioent për ndonjë keqpërdorim dhe sa ka qenë numri i votuesve në këtë qendër të votimit me kusht, e që nuk e pritëm përgjigjen e tij”. “Pritëm ta takonim e të lidheshim LIVE e t’i komunikonim informacionet më të fundit nga këtu”. “Kur jemi te drejtori Burim Mustafa, u kontaktua nga stafi këtu që të vijë të prononcohet para kamerës por ai tha që nuk i ka këto informacione dhe se nuk e di se sa kanë votuar – pra, informacionet elementare që duhet t’i ketë një përgjegjës i një qendre të votimit”. 17:47 – Tollovi për votimin me kusht në njërën nga qendrat në kryeqytet (FOTO) Tollovi e madhe është parë në ambientet e një qendre votimi në kryeqytet, ku qytetarët po ushtrojnë të drejtën e votimit me kusht. Duket se mungesa e organizimit dhe grumbullimi i madh i njerëzve ka shkaktuar kaos dhe vonesa të konsiderueshme, transmeton klankosova.tv. Autoritetet janë angazhuar për të zgjidhur situatën dhe për të siguruar një proces më të qetë. 17:45 – Pjesëmarrje e lartë e votuesve në Plemetin të Obiliqit Qytetarët e Plemetinit në Obiliq kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e sotme. Deri në orën 17:00, rreth 70% e banorëve kishin hedhur votën e tyre, gjatë një procesi të rregullt dhe pa incidente, njofton Klankosova.tv. Në këtë fshat jetojnë komunitetet ashkali, egjiptian dhe serb, të cilët po ashtu morën pjesë në zgjedhje. Ndiqni detajet nga gazetarja Blerina Doshlaku, në videon e mëposhtme: 17:41 – Pas votimit, prishtinasit shkojnë në Prince Caffe (VIDEO) Në këtë ditë të votimeve, një numër i madh i prishtinasve shkuan në Prince Caffe për të kaluar pasditen e tyre. Aty qëndruan edhe gazetaret e Klan Kosovës Blerina dhe Artina, të cilat u ndanë më se të kënaqura me pritjen që u bë aty. Atmosfera e mirë vërehej në ambientin e Prince Caffe në Prishtinë nga të gjithë qytetarët. 17:36 – Ambasadori britanik shkon në Novobërdë, i lumtur që përcolli nga afër procesin e votimit Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka shkuar në Novobërdë të Gjilanit, për të përcjellë nga afër procesin e votimeve. “Kanë mbetur edhe 90 minuta për të shfrytëzuar të drejtën për të dalë dhe votuar”, ka shkruar ambasadori në Facebook ku ka shpërndarë edhe disa fotografi. “Ishte e mrekullueshme të isha me ekipin tonë në Novobërdë dhe Gjilan, duke parë shumë njerëz nga komunitete të ndryshme duke bërë pikërisht këtë”, ka shkruar ai më tej, njofton Klankosova.tv. 17:31 – Rritet fluksi i votuesve në orët e pasdites në Podujevë (VIDEO) Korridoret e shkollës “Ibrahim Rugova” në Podujevë janë të mbushur me qytetarë për të votuar. Menaxheri i vendvotimit, Shaqir Krasniqi, ka thënë se procesi i votimit në këtë shkollë ka qenë në rregull, pa ndonjë problem. “Fluksi i votuesve ka filluar të rritet nga ora 11:00 dhe po vazhdon. Deri në orën 15:00 kanë dalë të votojnë rreth 3 mijë votues”, ka thënë Krasniqi. /Klankosova.tv 17:22 – Viti: Zyrtari i LDK-së pretendon se u sulmua fizikisht nga ai i VV-së (VIDEO) Gazetari Flamur Gajtani ka dhënë informacione të reja nga gjendja shëndetësore e kryetari i fshatit të Pozheranit, Ilir Zuka. Ai bëri të ditur se kanë biseduar në telefon me Zukën, por i njëjti nuk ka pranuar të dalë para kamerave pasi nuk është në gjendje të mirë psikologjike. Tutje, Gajtani tregoi se Zuka ka konfirmuar se personat që e kanë sulmuar janë militant të LVV. “Ne kemi biseduar me të në telefon, por i njëjti meqë nuk është në gjendje të mirë psikologjike nuk ka dashur të flas para kamerës. Mirëpo na ka konfirmuar që personat që e kanë sulmuar gjatë mesditës, janë militant të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka thënë se nuk e ka provokuar situatën, meqë ishte nën shoqërimin e komisionërve evropian”, tha Gajtani. Tutje, ai shtoi se: “Ne kemi tentuar ta kontaktojmë kryetarin e e dëgës së LVV në Viti, Arsim Ademi, por i njëjti ka thënë se nuk ka çfarë të thotë përveç një reagimi në Facebook”. Sulmohet kryetari i fshatit Pozheran, Hashani: S’ka të bëjë me zgjedhjet 17:07 – Haradinaj i lumtur që votimet e deritashme kaluan pa incidente serioze Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, është shprehur i lumtur që votimet e deritashme kanë kaluar pa asnjë incident serioz. Nëpërmjet një postimi, ai thotë se meritat më të mëdha për këtë mbarëvajtje i kanë vajzat dhe djemtë që janë me organizimin e zgjedhjeve, shtabet e të gjitha partive politike dhe organet ligjzbatuese. “Jam shumë i lumtur që votimet e deritashme kanë kaluar pa asnjë incident serioz dhe në një frymë tolerante e krejtësisht demokratike. Meritat më të mëdha për këtë mbarëvajtje i kanë vajzat dhe djemtë që janë marrë me organizimin e zgjedhjeve, shtabet e të gjitha partive politike dhe organet ligjzbatuese”, ka shkruar Haradinaj, njofton Klankosova.tv. 17:05 – Një grua pati problem të votonte në shkollën “Gjon Buzuku” në Prizren (VIDEO) Gazetarja e Klan Kosovës, Qendresa Tershana, ka thënë se një qytetar e ka lajmëruar se një e afërme e tij në shkollën “Gjon Buzuku” kishte hasë në vështirësi të votimit. Sipas qytetarit, gruaja në fjalë ka tentuar të votojë, dhe nuk i është lejuar, ani pse e njëjta sipas tij, nuk ka ditur shkrim dhe lexim, dhe se votimi për të si procedurë ishte bërë i vështirë. Gylaj Karjagdiu, kryesuesja e kësaj qendre, ka thënë se është njoftuar për këtë rast, por kur kishte shkuar në klasë, gruaja në fjalë vetëm se e kishte përfunduar procesin e votimit. “Procedura e zgjedhjeve është duke shkuar relativisht mirë, një fqinj i zonjës në fjalë dhe erdh më raportoi që të shkojë në vendin e votimit të zonjës, kur depërtova brenda ajo vetëm se kishte votuar”. “Problemi ishte se zonja nuk dinte shkrim dhe lexim, dhe kishte votuar me vajzën e saj”, ka thënë Karjagdiu. Ndër tjera, ajo shtoi se deri në ora 15:00 për qindja e votuesve në këtë qendër ishte 25%. 17:03 – Arrestohet një person në Zveçan, fotografoi votën Gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj, ndodhet në Zveçan, nga ku ka raportuar se një person është arrestuar nën dyshimin për fotografim të votës. “Problemi ka të bëjë me një person i cili veçse është arrestuar nga Policia e Kosovës për shkak se dyshohet se e ka fotografuar votën, gjë që është e ndaluar”, ka thënë Zogaj. “Ky veprim është bërë në Zveçan, tek qendra më e madhe e votimit në këtë zonë – Qendra Vuk Karaxhiq – nga ku ne kontaktuam edhe zëdhënësin e Policisë për këtë rajon, Veton Elshanin”. “Ai e konfirmoi lajmin se një person është arrestuar dhe se në koordinim të plotë me prokurorin do të marrin vendimi se çfarë do të veprohet më tutje në lidhje me këtë rast”. “Procesi ka shkuar në përgjithësi mirë, dhe nuk ka pasur pengesa përpos incidentit të fundit i cili ndodhi tash”. 16:56 – Incidente të vogla gjatë procesit të votimit në Pejë Gjatë ditës së sotme, ndërsa në Kosovë po mbahen zgjedhjet parlamentare, Peja ka shënuar disa incidente. Sipas Fadil Gashit nga qendra e stacionit policor në Pejë, bëhet fjalë për incidente të vogla, të cilat janë trajtuar nga autoritetet dhe nuk janë cilësuar si vepra penale, transmeton Klankosova.tv. Pavarësisht këtyre rasteve, procesi zgjedhor në këtë komunë po vazhdon pa ndonjë ndërprerje të madhe. Policia mbetet në terren për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Ndiqni detajet, në videon e mëposhtme: 16:55 – Asamblisti i LDK-së thotë të jetë “sulmuar nga militantë të LVV-së” Ilir Zuka, administrator i Pozheranit, asamblist i LDK-së në Viti, konfirmon për Klan Kosova se është sulmuar nga, siç thotë, militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, me qëllim të tjetërsimit të rezultatit zgjedhor në këtë fshat të Vitisë. Ai tha se ishte afër qendrës së votimit për të shoqëruar, sipas tij, delegacionin e Misionit Evropian të Vëzhgimit, kur në rrugë është sulmuar pa provokuar situatën nga dy persona, dhe thotë se falë intervenimit të shpejtë të policisë, është evituar më e keqja, raporton Klankosova.tv. Pasi ka pranuar ndihmën e parë në Spitalin e Gjilanit, ai tani është liruar për në shtëpi. /Klankosova.tv 16:52 – Zhegra e Xherdan Shaqirit: 1 mijë e 400 persona votojnë deri në ora 15:00 (VIDEO) Në fshatin Zhegër prej nga vjen heroi i kombit, Agim Ramadani, dhe futbollisti i njohur kosovar Xherdan Shaqiri, procesi i votimit ka shkuar me rregull. Aty çdo gjë ka shkuar në rregull pa ndonjë problem, ishin 1 mijë e 400 votues deri në ora 15:00. Poashtu, aty është parë një fluks më i madh i qytetarëve që dëshirojnë ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit. /Klankosova.tv 16:51 – Fluks i madh i votuesve edhe në Prishtinë, “Ismail Qemali” shton tavolinat e votimit për t’i shmangur pritjet Numër i madh i votuesve është regjistruar në shkollën “Ismail Qemali” në kryeqytet, por edhe në Prishtinë në përgjithësi, ku deri në ora 15:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar afro 80 mijë votues nga 212 mijë sa janë në total. Drejtoresha dhe menaxherja e qendrës së votimit në “Ismail Qemali”, Mimoza Krasniqi, për Klan Kosovën tha se deri më tani procesi ka shkuar shumë mirë, ku fluks të madh ka pasur në mesditë. “Deri më tani procesi i votimit ka shkuar shumë mirë, edhe pse në mesditë kemi pasur një fluks shumë të madh të votuesve, kur për ta mënjanuar fluksin e madh, e kemi shtuar në cdo vendvotim edhe nga dy tavolina votimi”. “Votuesit kanë pritur me radhë, ata që kanë pasur të drejtë të hyn pa rendë, kanë hyrë. Hapësira ka qenë e mjaftueshme. Ata që s’e kanë ditur se ku do të votojnë, tavolina e statistikave i ka dhënë instruksionet qytetarëve se ku do të votojnë”, tha Krasniqi për Klan Kosovën. Më tej, ajo tha se deri në ora 15:00 në shkollën “Ismail Qemali” kanë votuar 4 mijë e 545 njerëz me të drejtë vote, nga 10 mijë e 608 sa kanë të drejtë vote. 16:43 – Radhë të gjata për votim në Trudë të Prishtinës Radhë të gjata të qytetarëve janë duke shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar, në Trudë të kryeqytetit. Sylejman Jakupi kryesues i një nga vendvotimet në Trudë, theksoi se gjithçka ka vijuar në rregull, dhe nuk pasur ndonjë telash. Sipas tij, deri në orën 15:00 diku deri në 3 mijë kosovarë kanë hedhur votën e tyre në Trudë. Ndiqni detajet, në videon e mëposhtme: 16:36 – KQZ: Deri në orën 15:00 kanë votuar mbi gjysmë milioni qytetarë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën për media, ku kanë bërë të ditur se deri më tani, më saktë në orën 15:00, kanë votuar gjysmë milioni qytetarë. “Deri në orën 15:00 kanë votuar 28.32 përqind apo 558 mijë 246 votues, ndërsa, deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2021, kishin votuar 32.32 përqind apo 567 mijë e 934 votues”, tha Elezi. Ai tutje vijoi: “Ju njoftojmë se procesi zgjedhor është duke vazhduar pa probleme. Në rastet kur është paraqitur ndonjë paqartësi, KQZ ka ndërhyrë dhe ka udhëzuar personat e autorizuar për të marrë hapat e duhur për procesin e votimit në vendvotime”, tha Valmir Elezi. Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve i gjeni në ueb faqen e Komisionit qendëror të zgjedhjeve. Ndryshe, sipas Listës Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda Kosovës është: 1,970,944 votues, të cilët janë të shpërndarë në 903 qendra votimi me gjithsej 2,533 vendvotime. 16:35 – LVV-ja telefonon qytetarët për t’ju siguruar transport Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë telefonuar qytetarët për t’ju siguruar transport në mënyrë që të shkojnë të votojnë. E Klan Kosova ka telefonuar në numrin që e ka siguruar. Gazetari i bie numrit dhe i thotë personit që lajmërohet në anën tjetër të receptorit se është banor i Kçiqit ndërsa i duhet të shkojë në shkollën “Frang Bardhi” për të votuar. Zonja në anën tjetër të receptorit i thotë se do t’jua sigurojë një gjë të tillë. Kujtojmë se një gjë e tillë nuk është e lejuar me ligj. /Klankosova.tv 16:29 – Në Vushtrri pjesëmarrje masive në votime (VIDEO) Vushtrriasit sot dolën në numër të madh për të votuar në zgjedhjet nacionale. Sipas gazetares së Klan Kosovës, Gresa Nitaj, numri i atyre që votuan është mbi 27 mijë. Në këtë zonë të vendit deri më tani nuk është raportuar asnjë parregullsi sa i përket procesit të votimit.\ 16:27 – Sfidat e votimit për personat me nevoja të veçanta (VIDEO) Në këtë ditë të zgjedhjeve ekipe të shumta të Klan Kosovës janë duke qëndruar pranë qytetarëve në çdo pjesë të vendit. Gazetari Milot Hasimja për së afërmi ka sjellë para jush sfidat që kanë për të votuar personat me nevoja të veçanta. Në Fushë Kosovë për herë të parë votoi, Florent Sakihu, e me të afër ishte edhe Miloti. Nëna e Florentit kërkoi që të krijohen kushte më të mira nga institucionet e vendit si për votim, por edhe për shkollimin e personave me aftësi të veçanta. Për më shumë detaje ndiqni videon më poshtë: 16:25 – Pamje nga vizita e shefes së misionit monitorues të BE-së në Graçanicë Nathalie Loiseau, shefja e misionit të BE-së për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, ka qenë në një qendër të votimit në Graçanicë. Në një postim në platformën X, theksohet se qendra e votimit në fjalë ishtë “ Kralj Milutin”. Ndër tjera, shtohet se në fund u mbajt edhe një konferencë për media. /Klankosova.tv 16:24 – Mbi 300 vota në fshatin Çabër, vendbanim me shqiptarë në Zubin Potok Sot po votohet edhe në fshatin Çabër në Zubin Potok. Mbi 300 vota janë hedhur deri tash në këtë vendbanim me shqiptarë, njofton Klan Kosova. Përndryshe, Klan Kosova njofton që EULEX-i ka shtuar ekipet në Zubin Potok. 16:18 – A votuan pacientët në QKUK? (VIDEO) Edhe nëpër klinikat e QKUK-së po zhvillohet procesi i votimit nëpërmjet ekipeve mobile. Nga QKUK-ja, konkretisht në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale ka raportuar gazetarja e Klan Kosovës, Arbreshë Uka, e cila tregoi se ka pas pakënaqësi nga stafi kujdestar që sipas tyre, nuk kanë pasur mundësi vote për shkak se emrat e tyre nuk janë dërguar në listën e KQZ-së. Uka njoftoi se ekipi mobil në QKUK ka në listën e saj 300 qytetarë që mund të votojnë. Procesi ka përfunduar paraprakisht në Klinikën e Neonatologjisë dhe Gjinekologjisë. Detajet i kuptoni në videon e mëposhtme: 16:12 – Fillon numërimi mbrapsht, Exit Polli i Klan Kosovës publikohet në orën 19:00 (VIDEO) Klan Kosova do të ju ofrojë Exit Poll-in, i cili jepet pas mbylljes së vendvotimeve, në orën 19:00. Kur kanë mbetur edhe tri orë për të parë rezultatet, gazetari Adriatik Kelmendi ka dhënë disa detaje lidhur me Exit Poll-in. “Në terren janë 105 persona, është kompania PIPOS me të cilen këmi bashkëpunuar edhe më herët dhe besoj se duhet t’i shpjegojmë shikuesve se ka përvojë të Exit Pollave të shfaqura në televizionet kosovare. Klan Kosova prinë në këtë dhe tashmë mund të themi se është televizioni që tradicionalisht i ka Exit Pollet e organizuara në ditën e zgjedhjeve”, tha fillimisht ai. Ndërkaq, Kelmendi shtoi se ky Exit Poll nuk përfshinë votat e diasporës, dhe se margjina e gabimit mund të sillet nga 1.5 në 2 përqind. “Exit Polli nuk përfshinë votat e diasporës. Margjina e gabimit mund të sillet prej 1.5 deri në 2 përqind, varësisht edhe se sa janë të prirur qytetartët që të tregojnë për kë kanë votuar. Unë pres që numri i qytetarëve të jetë që nga paslufta e deri më tasdh. E, krejt në fund, ai zbuloi se këtë vit nuk ka ndarje siç ka pasur në zgjedhjet e kaluara. “Mund të themi se nuk ka ndarje të tillë çfarë ka pasur në zgjedhjet e kaluara dhe do të jetë e vështirë që pa bashkëpunime të krijohen institucionet”, bëri të ditur Kelmendi, transmeton Klankosova.tv Kujtojmë se, pas prezantimit të të dhënave të Exit Pollit do të ketë edhe debatë në studio. 16:00 – Protestanët luten për proces të qetë zgjedhor Të gjithë luten njëzëri në shqip, ndonëse ka edhe të tillë që nuk e flasin këtë gjuhë. Të dielen u mblodhën protestantët në Prishtinë, për t’u lutur rreth fatit të Kosovës në këto zgjedhje parlamentare, transmeton Klankosova.tv. Besimtarët dhe drejtuesi i tyre, kërkonin lider shteti të mençur dhe të urtë. Ceremonia e së dieles iu kushtua zgjedhjes së parlamentit të ri, dhe qeverisë së re kosovare, madje kishte edhe lutje që i’u kushtuan atyre që votuan dhe që po kontribojnë. Ndiqni ceremoninë, në videon e mëposhtme: 15:55 – Sulmohet kryetari i fshatit Pozheran, Hashani: S’ka të bëjë me zgjedhjet Një incident është shënuar në fshatin Pozheran të Vitisë. Është raportuar se aty është sulmuar kryetari i fshatit, Ilir Zuka. Lidhur me rastin, policia ka dhënë detaje. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, deklaroi për Klan Kosovën se ky rast s’ka të bëjë me zgjedhjet. “Policia dhe prokurori menjëherë kanë dalur në vendin e ngjarjes. Rasti është cilësuar si sulm nga ana e prokurorisë. Të dyshuarit po intervistohet në stacionin policor në Viti dhe pas hetimeve do të shihet se cili ka qenë motivi i ngjarjes”, deklaroi Hashani për Klan Kosovën. Hashani theksoi se sulmi ka ndodhur jashtë hapësirës së vendvotimit./Klankosova.tv. 15:54 – Numër i madh i votuesve në Gramaqel të Deçanit (VIDEO) Musa Kasmuaj, drejtor i shkollës “Drita”, njëherësh edhe kryesues i qendrës së votimit në fshatin Gramaqel të Deçanit. Për Klan Kosovën, ai ka thënë se procesi i votimit deri në këto momente ka shkuar në rregull. Sipas tij, votuesit në këtë fshat janë të disiplinuar. “Parregullsi nuk ka në këtë pikë, pasi që të gjithë votuesit janë të disiplinuar, dhe vijnë në formë të disiplinuar votojnë dhe shkojnë në shtëpi”, ka thënë Kasmusaj. Ndër tjera, ai ka shtuar se në këtë fshat ka dalë një numër i madh i votuesve. “Në këtë rajon është shumë i madh numri i emigrimit, duke u nis nga numri i përgjithshëm 3 mijë e 16 njerëz, deri në ora 15:00 kanë votuar 960 votues”. “Por numri i të interesuarve për votim duket se është shumë i lartë, pasi në vazhdimësi vijnë njerëz pa ndërprerë për të votuar”, ka thënë Kasmusaj. /Klankosova.tv. 15:46 – Vuçeviq: Është e rëndësishme që serbët të votojnë në Kosovë dhe të mbështesin Listën Serbe Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, tha se është shumë e rëndësishme që serbët në Kosovë të votojnë sot në zgjedhje dhe të mbështesin Listën Serbe, e cila, sipas tij, është e vetmja listë serbe në Kosovë, duke theksuar se është e nevojshme të luftohet për çdo mandat. “Çdo mandat nga 10 që u është garantuar serbëve në Kosovë është një luftë për të penguar Albin Kurtin që të formojë një qeveri apo të jetë në gjendje të formojë lehtësisht qeverinë në Prishtinë me serbë të rrejshëm”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Novi Sad, raporton Tanjug, transmeton Klan Kosova. “Ne do të luftojmë sa të jemi gjallë që Kosova të jetë Serbi. Ky është zotimi ynë. Ky është detyrimi ynë”, shtoi Vuçeviq. 15:40 – Në qendrën e votimit me kusht në Zubin Potok, mbarojnë fletëvotimet (VIDEO) Në godinën e komunës së Zubin Potokut, që udhëhiqet nga Izmir Zeqiri, ka ndodhur një rast i çuditshëm. Në këtë qendër votimi, ku votohet me kusht, kanë përfunduar të gjitha fletëvotimet. Tashmë qytetarët që kanë qenë duke pritur për të votuar, nuk und të votojnë si shkak i mungesës së fletëvotimeve. Gazetari, Besnik Tahiri bën me dije se ka marr informacione se nuk dihet saktë a do të mbërrijnë në Zubin Potok fletëvotime të reja. Shihni në videon e mëposhtme për më shumë detaje: 15:40 – Ankesë nga qytetari në Malishevë, pretendon se u kërcënua nga deputeti i VV Një qytetar nga Malisheva është ankuar se është kërcënuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Gani Krasniqi. Ibish Bardhi është qytetari, i cili tha se në telefon Krasniqi e kishte kërcënuar duke i thënë “mos manipulo, se t’i çoj gjinen e mi”. Ndërkaq, në lidhjen direkte me gazetarën Donjeta Murseli, ai tregoi se rastin e ka raportuar në Polici. ”Unë jam ardhë të shkolla kam sjellë ushqim dhe kam votuar. Jam kanë t’u lujtë shah, më ka ardhë një thirrje, më tha a jeni ju Ibish Bardhi, më tha mos manipulo se t’i çoj gjinen e mi. I thashë o Gani janë duke te dëgju shokët, ai më tha: “Unë po të them qishtu”, u shpreh ai në lidhje direkte. “Gruaja ime e ka dajë të babës, dhe unë para katër vitesh e kam përkrah fuqishëm, e di ai që u kanë në sallon tem. E nuk më ba telefon deri tash. Ka dëgju që unë po ndikoj te votuesit. Unë me kërkon, le të del dikush që thotë që i kam thanë le të voto dikë”, vijoi ai. 15:28 – Kaq është përqindja e daljes deri në këto momente, sipas KQZ-së 460 mijë e 855 votues. Kaq qytetarë votuan sipas përditësimit të të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Shprehur në përqindje, 23.38 përqind e qytetarëve e hodhën “kokrrën” e tyre në kutinë e votimit. Po ashtu KQZ-ja e ka publikuar edhe vegëzen (linkun) ku mund t’i shihni të dhënat e publikuara. 15:26 – Votojnë edhe pacientët e shtrirë në QKUK Në Kosovë po vazhdon procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare. Edhe pacientët e shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po votojnë, transmeton Klankosova.tv. Kjo u mundësua nga ekipet mobil. 15:23 – Në Obiliq deri më tani kanë votuar mbi 9 mijë qytetarë Në Obiliq deri më tani kanë votuar 9 mijë qytetarë, ose 33.82 për qind. Kështu ka bërë të ditur zyrtari i Komisionit Qendror Zgjedhor në Obiliq, përcjell Klankosova.tv. Deri më tani nuk është raportuar për ndonjë parregullsi në këtë komunë. 15:19 – Mediat prestigjioze ndërkombëtare raportojnë për zgjedhjet në Kosovë Mediat e njohura ndërkombëtare kanë raportuar për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë. “Associated Press” vë në theks se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë kanë ngecur, duke përmendur edhe pakësimin e ndihmës së huaj, vendim ky i presidentit amerikan, Donald Trump. Edhe “Reuters” thekson se Kosova është në tension me Serbinë. Por, marrëdhëniet jo të mira mes Kosovës dhe Serbisë, në këtë ditë të zgjedhjeve, nuk i lanë pa i përmendur as “The Guardian”, e as “France 24”. /klankosova.tv 15:08 – Aeroporti me atmosferë zgjedhore, mërgimtarët kthehen pasi votuan (VIDEO) Liridon Bajrami, një qytetar i Kosovës i cili përcolli familjarët e tij në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, bëri të ditur se kanë shfrytëzuar të drejtën e votës. Ai thotë se vëllanë që e përcolli për në shtetet perëndimore, erdhi enkas për të votuar në Kosovë, transmeton Klankosova.tv. Bajrami tha tutje se procesi i votimit shkoi shumë mirë dhe lehtë. 14:59 – Dalje mbi 50% në Pozhoran të Vitisë Qytetarët kanë shfrytëzuar të drejtën e votës së tyre në Pozhoran të Vitisë. Aty deri në ora 14:00 kanë votuar 50% prej tyre, transmeton Klankosova.tv. Mofail Harabaku drejtor i gjimnazit “Kongresi i Manastirit” ka konfirmuar se 1112 kanë hedhur votën e tyre, të cilët 436 nga ata kanë qenë gra dhe 676 meshkuj. Ndiqni detajet, në videon e mëposhtme: 14:45 – Kamenica voton pa telashe (VIDEO) Në qytetin e Kamenicës procesi i votimit deri në këto momente ka kaluar pa asnjë incident apo parregullsi. Kështu ka bërë të ditur gazetari i Klan Kosovës, Herolind Ademi i cili po qëndron atje për të raportuar rreth procesit të zgjedhjeve në këtë komunë. “Nuk është evidentuar asnjë problem. Janë 33 mijë e 700 banorë që kanë të drejtë vote, 600 më shumë se në zgjedhjet e kaluara”, tha Ademi. Ndërkohë, kryetari I KKZ-së, Agim Kastrati tha se materiali sensitiv është shpërndarë me kohë dhe se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohën e duhur. 14:43 – 2 mijë e 967 persona votuan deri më tani në Leposaviq Në Leposaviq sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë votuar 2 mijë e 967 qytetarë. Në këtë komunë të drejtë vote kanë 13 mijë e 876 banorë. Bazuar në këto të dhëna i bie që në këtë qytet deri më tani kanë votuar 21.38 përqind. 14:43 – Interesim i madh i votuesve në Kamenicë (FOTO) Janë bërë më tepër se gjashtë orë nga hapja e Qendrave të Votimit, anekënd Kosovës. Tashmë vërehet një fluks i madh i qytetarëve për të votuar. Klan Kosova ka siguruar fotografi nga vendi i ngjarjes, ku vërehet një numër më i madh i të interesuarve, në shkollën “Andrea Durrsaku”, në Kamenicë Këtë proces zgjedhor po e përcjellin nga afër edhe ekipet e Klan Kosovës. 14:39 – Shumë persona me telashe në Ferizaj, vështirësi që të ngjiten në katin e dytë (VIDEO) Në një qendër të votimit në Ferizaj, më saktë në gjimnazin “Shaban Hashani”, shumë persona të moshuar po kanë vështirësi që të ngjiten në katin e dytë për të votuar. Një vështirësi të tillë e pati edhe një ish-profesor, i cili mezi u ngjit në katin e dytë të objektit. Sipas ish- profesorit do të duhej të ishte një qendër e votimit për katin e parë, për personat që kanë problem me shëndetin. “Ata që e kanë përsipër është dashtë me mendu që ka njërëz me sfida të ndryshme. Unë kam pësuar një aksident, dhe është dashtë me mendu me lënë një kuti për këta persona”, tha ai. Ai tutje shpjegoi se u ngjit me ndihmën e familjarëve për të votuar. Këto informacione i solli gazetarja Qliresa Hasani, e cila po raporton nga Ferizaji. 14:37 – Si bëhet votimi me kusht? (VIDEO) Në qendrën e votimit në shkollën “Fetah Sylejmani” në Dragash, gazetarja Sala Gashi ka votuar për herë të parë. Për shkak se është duke raportuar drejtpërsëdrejti këtë ditë të zgjedhjeve, gazetarja përdori të drejtën e saj të votimit me kusht, transmeton Klankosova.tv. Sala këtë proces të votimit, e tregoi hap pas hapi. Si bëhet votimi me kusht? Shihni në videon e mëposhtme detajet: 14:33 – E moshuara nuk lejohet të votojë në Vushtrri Në shkollen fillore “Azem Bejta” në fshatin Duboc të Vushtrrisë, një të moshuare nuk iu lejua të votojë. Sipas djalit të saj, mosha e nënës së tij është mbi 90 vjeçare, dhe ka kompletuar dokumentacionet e kërkuara nga KQZ-ja, njofton Klankosova.tv. Por asaj sot iu mohua e drejta e votës për shkak se mungon dokumentacioni që nëna ka përcjellës, të cilën siç thotë ai, nuk i’a kanë kërkuar në dorëzimin e dokumenteve, para disa ditësh. Ndiqni detajet, në videon e mëposhtme: 14:26 – KQZ nis verifikimin e votave me postë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka nis verifikimin e votave përmes postës. Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara. Derisa, numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve. Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë.Po ashtu Komisioni Qendror, gjatë ditës ka filluar edhe procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime nga jashtë Kosovës që deri me tani kanë arritur në këtë institucion, transmeton Klankosova.tv Qëllimi i verifikimi është për të parë nëse pakot me fletëvotime janë dërguar nga votues të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës. 14:25 – Stavileci: Deri në orën 11:00, pjesëmarrje e mirë e qytetarëve Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci ka inkurajuar qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Stavileci, në një konferencë për media, tha se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të qetë, demokratike dhe pa ndonjë problematikë të raportuar deri më tani. “Deri në orën 11:00, kemi një pjesëmarrje të mirë të qytetarëve, dhe të dhënat nga vëzhguesit tanë në terren janë shumë pozitive. Kjo është një shenjë e qartë se qytetarët e Kosovës e kuptojnë peshën e votës dhe përgjegjësinë që kanë për të ardhmen e vendit. Kandidati ynë për Kryeministër, Bedri Hamza, si dhe Kryetari i Partisë, Memli Krasniqi, tashmë kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës, duke dhënë një mesazh të qartë për rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë proces”, theksoi ai. 14:23 – Qytetarët e Ferizajt nuk po i gjejnë vendvotimet (VIDEO) Në shkollën “Shaban Hashani” në Ferizaj po paraqiten numër i madh i qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtës e tyre të votës. Sipas gazetares Sara Aliu, shumë qytetarë atje nuk po e kanë ë qartë se ku duhet të votojnë, transmeton Klankosova.tv. Zymryte Ramadani është e moshuara që ka rastisur në këtë problem. “Kam shkuar në tri qendra të ndryshme, nuk kam mundur me votu”, tha ajo. 14:20 – Zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa fton qytetarët të votojnë Lidhje Demokratike e Kosovës ka ftuar qytetarët e Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar në zgjedhjet parlamentare të sotme. Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës Besian Mustafa, u shpreh optimist se procesi zgjedhor do të zhvillohet siç duhet. Në një konferencë për media, Mustafa ditën e sotme e konsideroi të rëndësishme për demokracinë. “Kjo ditë e zgjedhjeve sot është e rëndësisë historike për Republikën tonë. Një ditë e rëndësishme për demokracinë, një demokraci ku ju populli e njeh mundësinë të dëgjoheni në çdo zgjedhje. Mos e humbisni këtë mundësi, mënyra për të dëgjuar është të dilni të votoni. Mënyra për tu dëgjuar është të dilni dhe të votoni siguroni që të votoni dhe të ushtroni të drejtën tuaj demokratike.. Besojmë që procesi zgjedhor do të zhvillohet siç duhet dhe të ec pa asnjë problem”, u shpreh ai, raporton KP. 14:19 – Fshirja e ngjyrës së markerit, DnV: Mund t’i hap rrugë votimit të dyfishtë Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka folur në lidhje me fshirjen e ngjyrës së markerit në qendra të votimit. Ai është shprehur se fshirja e ngjyrës, mund t’i hap rrugë votimit të dyfishtë, përcjell Klankosova.tv. “Problem tjetër i evidentuar gjatë pjesës së parë të ditës është edhe çështja e fshirjes së lehtë të ngjyrës matrikuluese të votuesve, problem ky i cili mund të ndikojë dhe mund t’i hap rrugë votimit të dyfishtë që do ta minonte besimin e publikimit, por edhe integritetin zgjedhor”, është shprehur ai. 14:12 – Deri në orën 12:00 u raportuan raste të izoluara të fotografimit të votës në 4 përqind të vendvotimeve Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim është shprehur se fenomeni i fotografimit të votës është më i vogël se në proceset e kaluara zgjedhore, por megjithatë është ende prezent. Ai është shprehur se deri në ora 12:00, ka pasur raste të izoluara të fotografimit të votës në 4 për qind të vendvotimeve në nivel vendi, përcjell Klankosova.tv. “Sa i përketë fotografimit të votës, edhe pse fenomen në përmasa dukshëm më të vogla sesa në proceset e kaluara zgjedhore, ky fenomen është ende prezent në këto zgjedhje”. “Deri në 12:00 kemi pasur raste të izoluara të fotografimit të votës në 4 për qind të vendvotimeve në nivel vendi”, është shprehur tutje ai. 14:04 – Orav nga veriu ekskluzivisht për Klan Kosova: E rëndësishme që kosovarët të votojnë sot për vlerat evropiane (VIDEO) Procesi zgjedhor është duke shkuar relativisht mirë në Mitrovicë, me numrin e njerëzve që është shtuar me të madhe në orët e fundit për të votuar, deklaroi gazetari ynë Besnik Tahiri. Ai atje ka intervistuar ekskluzivisht edhe Shefin e Bashkimit Evropian për Kosovën, Ambasadorin Special Aivo Orav, i cili tha se është shumë e rëndësishme që kosovarët të votojnë sot për vlerat evropiane dhe po ashtu edhe për subjekte e njerëz të cilët do ta ofrojnë Republikën e Kosovës me Bashkimin Evropian. Orav deklaroi se ka vizituar gjashtë qendra të votimit në disa pjesë të Kosovës dhe se ka përshtypjen që procesi i votimit po kalon mirë dhe se kjo është një nga të drejtat themelore dhe më të rëndësishme, pra votimi. 14:03 – AIP kërkon nga KQZ-ja dhe partitë të sigurojnë mbrojtjen e të dhënave personale Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe partitë politike të sigurojnë mbrojtjen e të dhënave personale gjatë procesit zgjedhor “Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që gjatë procesit të votimit të sigurojë vendosjen e kamerave të sigurisë dhe kabinave të votimit në përputhje të plotë me Ligjin Nr 06/L-82 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke shmangur çdo cenim të privatësisë së qytetarëve dhe fshehtësisë së votës”. Kjo agjenci po ashtu përsërit kërkesën për partitë politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak. “Agjencia për Informim dhe Privatësi thekson se çdo shkelje e parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale do të trajtohet në përputhje me Ligjin Nr 06/L-82 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe kompetencat ligjore të Agjencisë”. 14:02 – DnV: Deri në orën 12:00 votuan rreth 14.5 për qind – vështirësia e gjetjes së emrit, parregullsia më e shprehur Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se deri në deri në orën 12:00, të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 14.5 për qind e qytetarëve në nivel vendi. Ai është shprehur se parregullsia më e madhe ishte vështirësia për të gjetur emrin në listën e votuesve, përcjell Klankosova.tv. “Deri në orën 12:00, të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 14.5 për qind e qytetarëve në nivel vendi. Dalja në komunat me shumicë serbe, ngjashëm sikurse edhe në proceset e kaluara zgjedhore, është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e daljes në nivel vendi, respektivisht në mbi 24 për qind”. “Sa i përketë parregullsive më të shprehura për gjatë pjesës së parë të ditës, deri në mesditë, vështirësitë për të gjetur emrin në listën e votuesve nga ata e votuesve janë parregullsitë kryesore që kanë karakterizuar mbi 50 për qind të vendvotimeve në nivel vendi”. “Shqetësues mbetet fakti që kemi afërsisht 6 për qind të vendvotimeve në të cilat numri i votuesve që nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve, arrin deri në 50 sosh”, u shpreh tutje Cakolli. 13:52 – Shkaku i gjendjes shëndetësore babai i Thaçit nuk voton Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, nuk ka mundur ta shfrytëzojë të drejtën e votës. Kjo për shkak të siç merr vesh Klan Kosova, gjendjes së tij shëndetësore. 87-vjeçari para disa ditësh ka qenë i shtrirë në spital, dhe nuk dihet ende nëse është liruar. Ai disa herë ka qenë i shtrirë në spital shkaku u gjendjes së rënduar edhe të dhimbjes për djalin e tij, i cili po vazhdon të mbahet në Hagë. Ish-presidenti Hashim Thaçi, në Hagë gjendet nga nëntori i 2020-tës. Thaçi po gjykohet atje për krime të luftës bashkë edhe me eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ditën e djeshme ka arritur që ta shfrytëzojë të drejtën për të votuar, njofton Klankosova.tv. 13:51 – Kaçaniku me diell, rrugët e lokalet plot – ashtu edhe qendrat e votimit Qytetarë të shumtë po shfrytëzojnë motin me diell dhe të drejtën e tyre për të votuar në Kaçanik. Lokalet dhe rrugët e këtij qyteti janë të mbushur me qytetarë, të cilët po hedhin voten e tyre, njofton Klankosova.tv. Kryesuesi i KKZ-së, Artan Mezraja, pohoi se situata është e menaxhueshme dhe se deri në ora 11:00 ka pasur një numër më të madh të qytetarëve që kanë votuar, rreth 2% më shumë, krahasuar me zgjedhjet paraprake. Ndiqni detajet, në videon më poshtë: 13:48 – Vazhdojnë ankesat për markerin në qendra të votimit Ankesat për markerin në qendrat e votimit sot, po vazhdojnë. Edhe një lexues tjetër i Klankosova.tv ka dërguar fotografi në redaksinë tonë përmes të cilave tregon se si lehtësisht ngjyra hiqet nga gishti i madh i dorës. Sipas këtij qytetari, ngjyra është hequr lehtë dhe shpejt. “Nuk vërehet hiç”, thotë qytetari në fjalë. 13:41 – Cilat qytete të Kosovës votuan më pak deri në orën 11:00? Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat e pjesëmarrjes së qytetarëve në votimet e sotme për zgjedhjet parlamentare. Sipas të dhënave të KQZ-së deri në orën 11:00 në votime dolën 169 mijë e 435 ose në përqindje 8.60. E komunat që patën më së paku votues janë si më poshtë: Në Leposaviq 0 votues; Në Junik votuan 198 qytetarë; Në Zubin Potok votuan 508 qytetarë; Në Han të Elezit votuan 865 votues; Në Zveçan votuan 1 mijë e 291 qytetarë; Në Shtërpcë votuan 1 mijë e 430 qytetarë. 13:38 – Zero votues në Leposaviq deri në ora 11:00 Në Komunën e Leposaviqit, nuk ka dalur asnjë votues deri më tani. Kështu të paktën tregojnë të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të publikuara në ora 11:00, transmeton Klankosova.tv Sipas KQZ-së, të drejtë vote në këtë komunë kanë 13 mijë e 876 persona. 13:36 – Rritet fluksi i votuesve në Klinë (VIDEO) Është rritur fluksi i votuesve në Klinë, në të cilën komuna, sipas të dhënave të KQZ-së, të drejtën e votës e kanë rreth 50 mijë qytetarë. Në qendrën e votimit, në shkollën “Ismet Raci” në Klinë ka qytetarë të cilët po presin në radhë për të shfrytëzuar të drejtën e votës. 13:32 – Në cilat qytete të Kosovës pati më shumë votues deri në orën 11:00? Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat e pjesëmarrjes së qytetarëve në votimet e sotme për zgjedhjet parlamentare. Sipas të dhënave të KQZ-së deri në orën 11:00 në votime dolën 169 mijë e 435 ose në përqindje 8.60. Prishtina kryeson me 26 mijë e 353 votues, pasuar nga Ferizaj me 11 mijë e 660, njofton Klankosova.tv. E treta komunë e cila renditet sipas daljes së qytetarëve në votime është Peja me 11 mijë e 410 dhe Prizreni me 10 mijë e 19 votues. 13:31 – Haradinaj fton qytetarët për të votuar Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar. “Ju bëj thirrje dilni me votu, vërtetë ka një dalje të respektueshme, por të dashur qytetarë kjo është dita juaj, vendimi juaj për Kosovën”. Jo vetëm për përfaqësuesit e juaj në parlament, por edhe për ata që do jenë në qeverinë e ardhshme, në qeverinë e nesërme, dhe me votën e juaj ju e drejtoni Kosovën, deklaroi Haradinaj, transmeton Klankosova.tv. Ndiqni deklaraten e plotë, në videon e mëposhtme: 13:29 – Voton edhe Atifete Jahjaga Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kryer obligimin e saj si qytetare e Kosovës. Ajo ka hedhur votën dhe këtë e ka bërë të ditur përmes një fotografie të postuar në rrjete sociale. Përmes imazhit, Jahjaga u bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë, njofton Klankosova.tv. “Sot ushtrova të drejtën time për të votuar dhe ju ftoj të bëni të njëjtën gjë. Zgjedhjet e lira janë themeli i demokracisë që synojmë ta forcojmë. Votoni për të ardhmen që dëshironi”, ka shkruar ajo. 13:24 – Numër i lartë i qytetarëve në qendrën më të madhe të votimit në Gjilan (VIDEO) Në qendrën më të madhe të votimit në komunën e Gjilanit, në shkollën “Abaz Ajeti”, po ka fluks të madh të qytetarëve. Ata po shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, këtë ditë zgjedhjeje, transmeton Klankosova.tv. Gazetari Flamur Gajtani jep detaje shtesë lidhur me zhvillimet e fundit në këtë qendër votimit: 13:16 – Në Pejë procesi i votimit në rregull, s’ka parregullsi Në ambientet e universitetit në Pejë, po votohet me kusht. Procesi i votimit aty ka filluar me një gjysëm ore me vonesë, por ndërhyrja e KQZ-së e ka evituar atë ngecje, njofton Klankosova.tv. Menaxheri i kësaj qendre, theksoi se në atë kohë, nuk kishte qytetarë prezent, por tashmë situata është në kontroll dhe procesi po vazhdon pa ndonjë telash. Ndiqni detajet, në videon e mëposhtme: 13:14 – Prizren: Punëtorët e pastrimit s’arrijnë të votojnë, janë në orar të punës (VIDEO) Dita e diel zakonisht është ditë pushimi për disa qytetarë të Kosovës. Sot, në ditën e zgjedhjeve në Kosovë, nuk po pushojnë punëtorët e pastrimit, transmeton Klankosova.tv. Në Prizren, disa prej tyre nuk po mund të votojnë, për shkak se janë në orar të punës. Megjithëse, Florim Dakaj thotë se do të votojë sapo ta kryej punën. 13:11 – E ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së po viziton një qendër votimi në veri E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, është duke vizituar në këto momente qendrën e votimit “Vik Karaxhiq” në Zveçan. Qytetarët e Republikës së Kosovës sot ushtrojnë të drejtën e votës – në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që prej shpalljes së pavarësisë më 2008. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është 1 milion e 970 mijë e 944 votues. Për herë të parë votojnë mbi 125 mijë të rinj. Ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit, është 104 mijë e 924, raporton KP, transmeton Klankosova.tv. 13:11 – Dyshimet për keqpërdorim të votës në Kroaci, prokurorja Pula: Do të veprojmë aty ky kemi juridiksion 100 prokurorë janë të angazhuar sot në mbrojtje të votës së lirë. Kështu ka deklaruar për Klan Kosova, koordinatorja nacionale Laura Pula. Ajo njoftoi se deri më tani gjashtë persona janë ndaluar, pesë prej tyre në Mitrovicë e një Podujevë. Pula tregoi po ashtu edhe çka cilësohet vepër penale kundër të drejtës së votës, bazuar në Kodin Penal të Kosovës. “Ne në Kodin Penal të Kosovës kemi 11 vepra penale kundër drejtës së votës që varësisht se si kryhen ato që pastaj mund të akuzohen edhe më pas edhe të denohen personat që bien ndesh me ligjin. Nëse i referohemi rastit të Mitrovicës, personat e ndaluar i referohen vepres penale “Cënim i përcaktimit të lirë të votuesit”, derisa në Podujevë “Cënimi i fshehtësisë së votimi””, tha Pula për Klan Kosovën. Ajo foli edhe rreth dyshimeve për keqpërdorim të votave si në rastin e Kroacisë. Koordinatorja theksoi se janë duke i mbledhur informacionet. “Ne paraprakisht do t’i mbledhim të gjitha informaiconet, si brenda ashtu edhe jashtë, meqenëse jemi tani në një fazë tjetër, të grumbullimit të votave nga jashtë Kosovës, nëse ka dyshime se ka keqpërdorime të votës, aty ku kemi juridiksion edhe do të veprojmë, mirëpo kini parasysh se ne kemi juridiksion vetëm brenda ambasadave dhe konsullatave”, deklaroi ajo. Tutje, ajo theksoi se kushdo që shkel ligjin do të jetë objekt hetimi./ Klankosova.tv 13:06 – Voton 103-vjeçari në Tërnavë të Podujevës (VIDEO) Po vazhdon procesi zgjedhor nëpër gjithë vendin. E votën e tij e ka hedhur edhe 103-vjeçari, Musa Raçi, në Tërnavë të Podujevës. Raçi është shprehur se gjithmonë e shfrytëzon të drejtën e votës dhe se gëzon shëndet të plotë. Më poshtë mund të shihni momentin e votimit të tij: 13:04 – Voton Hyra, nëna e Hashim Thaçit Ka votuar edhe nëna e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, Hyra. Ajo ka kryer obligimin qytetar në shkollën “Abedin Rexha”, në Burojë të Skenderajt, njofton Klankosova.tv. Ndërkohë Thaçi dhe të tjerët të cilët po mbahen tash e disa vjet në Hagë, kanë votuar dje nga atje. 13:00 – Likoshani voton, s’ka telashe Në fshatin e Drenicës Likoshan, qytetarët po shfrytëzojnë të drejten e tyre pë të votuar. Drejtori i shkolles “Rexhep Gjeli” nga ku po mbahet vendvotimi, konfirmoi se deri në këto momente nuk ka pasur asnjë telash, dhe procesi po vazhdon natyrshëm, transmeton Klankosova.tv. Ndiqni detajet, në videon në vijim: 12:45 – “Sami Frashëri” në kryeqytet me fluks të madh të votuesve Shkolla “Sami Frashëri” në Prishtinë është mbushur me një fluks të madh të qytetarëve për të votuar. Menaxheri i kësaj qendre, Betim Sylejmani, theksoi se deri deri në ora 11:00, ka qenë situatë më e qetë por tashmë ka një fluks më të madh. Si dhe gjithçka ka ecur mirë deri tani dhe është e menaxhueshme situata. Ndiqni më shumë, në videon e mëposhtme: 12:40 – Mbi 15 mijë bashkatdhetarë votuan në përfaqësitë diplomatike të Kosovës 15 mijë e 552 bashkatdhetarë e kanë dhënë votën e tyre në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Për ta shfrytëzuar këtë të drejtë u regjistruan 20 mijë e 324 qytetarë. Shprehur në përqindje kjo i bie se e drejta e votës u shfrytëzua nga mërgimtarët në diasporë. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga 32 përfaqësi diplomatike nëpër vende të ndryshme të botës, më së shumti kanë votuar në Konsullatën e Kosovës në Munchen, me 1 mijë e 521 votues. Pas saj, është Konsullata në Dusseldorf me 1 mijë e 560. Kurse, Konsullatën e Kosovës në Zurich, kanë votuar 1 mijë e 470 qytetarë, transmeton Klankosova.tv Ambasada e Kosovës në Washington dhe Konsullata në New York, janë të fundit në të cilat ka përfunduar procesi zgjedhor. Bashkatdhetarët votuan në 43 vendvotime në Ambasada dhe Konsullata të Kosovës në botë, një ditë para zgjedhjeve. 12:38 – Fluks i madh i votuesve në Burojë të Skenderajt Në Burojë të Skenderajt po vazhdon të ketë fluks të madh të qytetarëve për të votuar. Vendi ku po votojnë është në shkollën “Abedin Rexha”, transmeton Klankosova.tv. 12:38 – Gishtat e votuesve shënjohen me marker, por ngjyra mund të fshihet lehtësisht (VIDEO) Në zgjedhjet e sotme, votuesve nuk u spërkatet gishti më me sprej kur shkojnë për të votuar, por në vend të kësaj gishti i madh u shënjohet me një marker të zi. Por, kjo duket të mos jetë zgjedhje fort e zgjuar, meqë një qytetar na ka dërguar një video duke pretenduar se po e largon ngjyrën brenda vetëm një minuti nga gishti i markuar. 12:33 – Zgjedhjet në Kosovë, EULEX-i monitoron situatën e sigurisë në mbarë vendin Giovanni Pietro Barbano, ka njoftuar se EULEX-i përmes patrullave të tij tokësore është duke monitoruar situatën e sigurisë në mbarë Kosovën me rastin e ditës së zgjedhjeve. Shefi i EULEX-it tha se ky monitorim bëhet për ushtrimin e lirë të së drejtës së v otës duke u fokusuar veçanërisht në komunitetet joshumicë. “Aktualisht në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet. EULEX-i, përmes patrullave të tij tokësore të mbikëqyrura nga Qendra jonë për Situatë dhe Koordinim, është duke monitoruar situatën e sigurisë në mbarë Kosovën për ushtrimin e lirë të së drejtës së votës duke u fokusuar veçanërisht në komunitetet joshumicë”, ka shkruar Barbano në “X”, njofton Klankosova.tv. 12:30 – Gazetaret e Klanit, Blerina dhe Artina votojnë për herë të parë (VIDEO) Sot, qytetarët e Kosovës po ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Mes tyre ishin edhe dy gazetaret e Klan Kosovës, Artina Breznica dhe Blerina Shoshi, të cilat votuan për herë të parë. Artina Breznica, nga radio “Fol me Arin” në Klan Kosova FM, dhe gazetarja Blerina Shoshi, nga emisioni“Ora 7” në Klan Kosova, shfrytëzuan të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Ndiqni detajet, në videon e mëposhtme: 12:28 – Shefi i zyrës së BE-së viziton një vendvotim në Vushtrri, inkurajon qytetarët të votojnë Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka vizituar një vendvotim në Vushtrri. Këtë e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në “X”, ku tha se vizita u bë për të kuptuar më mirë zhvillimin e zgjedhjeve. “BE-ja është vendosur për të vëzhguar të gjitha aspektet e këtij procesi. Qytetarët e Kosovës duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe të shprehin lirisht zgjedhjen e tyre”, ka shkruar Orav, njofton Klankosova.tv. 12:17 – Dy 19-vjeçarë vijnë nga Zvicra në Kosovë për të votuar për herë të parë (VIDEO) Dy 19-vjeçarë kanë ardhur nga Zvicra për të votuar në Rahovec. Sylejmani dhe Ermali votuan sot për herë të parë, dhe vendosën që votën e tyre ta japin në Kosovë, e jo në Zvicër, transmeton Klankosova.tv. 11:56 – Osmani voton: Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajon Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, është prononcuar për media pasi shfrytëzoi të drejtën e votës në Fakultetin Teknik, në Prishtinë. Osmani tha se Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajon. “Sot është dita vendimtare që të gjithë qytetarët të japin kontribut duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm, nga i cili legjitimohet parlamenti i ardhshëm dhe pastaj edhe institucionet e tjera, por edhe merren vendime që kanë rëndësi për jetën e tyre”, deklaroi Osmani. Ajo ishte e shoqërua nga ekipi i saj, dhe nga bashkëshorti apo ‘Zotëriu i parë’, Prindon Sadriu. 11:49 – Prizren: Policia po i dënon krejt veturat që lihen në trotuaret pranë qendrave të votimit (VIDEO) Në Prizren, qytetarët që po votojnë, po marrin edhe nga një gjobë nga zyrtarët policor. Kjo për shkak të veturave të parkuara në trotuare, transmeton Klankosova.tv. “Derisa qytetarët lënë veturat dhe votojnë, zyrtarët policor po i dënojnë po të njëjtit”, u shpreh gazetarja, Qëndresa Tërshani. 11:43 – Deri në ora 11:00 votuan 169 mijë e 32 qytetarë Deri në ora 11:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 169 mijë 32 qytetarë. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi në konferencën për media, duke njoftuar se e përkthyer në përqindje, deri në ora 11:00 kanë votuar 8.58 për qind. Ndërkaq, të drejtë vote kanë 1 milion e 970 mijë e 944 qytetarë, përcjell Klankosova.tv. “Duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit është duke vijuar normalisht dhe nuk është paraqitur ndonjë problem”. “Duke u mbështetur në të dhënat nga 2 mijë e 343 vendvotime, nga gjithsej 2 mijë e 533, deri në orën 11:00 kanë votuar 8.58 për qind, apo 169 mijë e 32 qytetarë”, është shprehur Radoniqi. 11:35 – Mjeku që trajtoi policët e sulmuar në Podujevë: Erdhën me dhimbje të syve prej sprejit (VIDEO) Në SHFMU “Xheladin Rekaliu” sot ka ndodhur një incident, ku u raportua se dy policë u sulmuan nga një votues që fillimisht e kishte fotografuar votën. E mjeku kujdestar në Qqendrën Emergjente në Podujevë, në një intervistë për gazetarin tonë Liridon Zeqiri, deklaroi se ndihmë mjekësore policët kanë kërkuar rreth orës 7:30. “I kemi ofruar ndihmën e parë. Ata kanë pasur dhimbje dhe pezmatim të syve për shkak të sprejit, siç kanë thënë policët”. “Atyre më pas i është përmirësuar gjendja dhe janë liruar për tretman të mëtutjeshëm. Nuk kanë pasur ndonjë lëndim tjetër trupor, serioz”, u shpreh mjeku Albon Uka. Ndërkaq, nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se janë duke i mbledhur të gjitha informacionet edhe me hetuesi, dhe se do të dalin me raport zyrtar për atë që ka ndodhur sot në këtë shkollë. 11:33 – Atmosferë festive në Shtëpinë e të Moshuarve në ditën e zgjedhjeve (VIDEO) Sot në të gjithë Kosovën po zhvillohet procesi i votimit për Zgjedhjet Parlamentare 2025. Ekipet e Klan Kosovës janë shpërndarë gjithandej duke përcjellur nga afër këtë zhvillim me rëndësi për vendin. Po ashtu, do të sigurojmë që shikuesve por edhe lexuesve të i sjellim, momente të bukura. Gazetari Milot Hasimja, ka qëndruar tek Shtëpia e të Moshuarve në Prishtinë. Aty ka pasur momente festive. 11:30 – Ambasadori britanik viziton veriun e Kosovës, inkurajon qytetarët të dalin e të votojnë (VIDEO) Në Zubin Potok, Leposaviq dhe në Zveçan ka pasur zhvillime nga më të ndryshmet lidhur me procesin zgjedhor. Gazetari Besnik Tahiri ka bërë të ditur se në veri të Kosovës kanë shkuar për vizitë ambasadorë e të përfaqësuesve të shteteve të ndryshme, transmeton Klankosova.tv. Njëri ndër ta ishte ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili u bëri thirrje qytetarëve të dalin e të votojnë. Po ashtu, raportohet e flamuri i Serbisë është larguar nga vendvotimi në Zubin Potok. Për më shumë, klikoni në videon e mëposhtme: 11:28 – Këto janë adresat e 38 qendrave të votimit për votimin me kusht Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, procesi i votimit me kusht ka pësuar një ndryshim. Votimi me kusht është i mundur sërish, por ky lloj votimi nuk do të lejohet në çdo qendër votimi si në proceset e kaluara zgjedhore. Me qëllim të mundësimit të votimit me kusht, KQZ ka caktuar në çdo komunë nga një qendër votimi. Në të gjithë Kosovën janë vetëm 38 qendra votimi me gjithsej 56 Vendvotime në të cilat lejohet votimi me kusht. “Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, votimi me kusht është i mundur për votuesin në cilëndo komunë, pasi Kosova është një zonë e vetme zgjedhore dhe në çdo komunë shpërndahen fletëvotimet me përmbajtjen e njëjtë. KQZ mundëson votimin me kusht për votuesit të cilët kanë emrin e tyre në listën votuese, por për arsye objective nuk mund të votojnë në vendvotimin e caktuar. Numërimi i votave me kusht bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, disa ditë pas ditës së zgjedhjeve, pas përfundimit të procedurave të parapara”, thuhet në një njoftim të KQZ-së. Kjo është lista dhe adresat e qendrave të votimit për votimin me kusht më 9 shkurt 2025: 11:22 – Eman Rrahmani shfrytëzon të drejtën e votës Drejtuesi i Koalicionit për Familje, Eman Rrahmani, ka hedhur votën e tij në shkollën “Nazim Gafurri” në Prishtinë. Rrahmani ishte i shoqëruar me bashkëshorten dhe fëmijët e tij, transmeton Klankosova.tv. 11:16 – Votimet në Partesh po vazhdojnë pa asnjë problem (VIDEO) Votimi në komunën e Parteshit po ecën pa asnjë problem. Parteshi është komunë me shumicë serbe, ndërsa procesi zgjedhor po ecën me rregull, transmeton Klankosova.tv. Në tri qendrat e votimit, të drejtë vote kanë 4 mijë 882 votues. 11:08 – Krasniqi pas hedhjes së votës: Është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për qytetarët dhe demokracinë e Kosovës Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas votimit është shprehur se sot është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për qytetarët dhe demokracinë e Kosovës. Krasniqi u shpreh se kjo ditë duhet të shfrytëzohet nga secili qytetar që ka të drejtë vote, përcjell Klankosova.tv. “Sot është një ditë e mirë, është një ditë e madhe, është një ditë tepër e rëndësishme për vendin tonë, për qytetarët tanë, për demokracinë e Kosovës. Unë bashkë me Melizën sapo votuam në shkollën fillore “Hasan Prishtinë” në Prishtinë”. “Me besimin e plotë për të ardhmen e qytetarëve tanë, për mundësinë dhe potencialin për të pasur një jetë më të dinjitetshme për të gjithë, besoj që kjo ditë duhet të shfrytëzohet nga secili qytetar që ka të drejtë vote që të vij dhe përmes ushtrimit të kësaj të drejte ta japin verdiktin se nga dëshirojnë ta drejtojnë vendin në katër vitet e ardhshme”. “Jam besimplotë se ashtu siç kemi pasur një fushatë shumë pozitive, një fushatë që ka qenë e drejtuar kah e ardhmja, edhe vota dhe verdikti qytetar do ta thotë të njëjtën. Kështuqë vërtetë shpresojë që ashtu siç e kemi bërë traditën e konsolidimit të këtij procesi të rëndësishëm demokratik, ta vazhdojmë edhe sot, sidomos tash që e kemi edhe Ligjin e ri zgjedhor”, është shprehur Krasniqi. 11:06 – Hajredin Kuçi, i vetmi prej të akuzuarve në Hagë që voton në Kosovë (VIDEO) Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka hedhur votën e tij. Ai është i vetmi nga të akuzuarit në Hagë, që voton në Kosovë, transmeton Klankosova.tv. 11:06 – Diplomatja amerikane vizitoi KQZ-në Sot, në ditën e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve qëndroi zëvendës-shejfa e ambasadës së ShBA-ve në Kosovë, Anu Pratipati. Fillimisht, Pratipati u prit në takim nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, të cilët biseduan për ecurinë e procesit zgjedhor në orët e para të ditës së sotme. Radoniqi dhe Pritipati, së bashku edhe me drejtues të institucioneve tjera, ushtruesi i detyrës së i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Zenel Leku dhe drejtori i operativës në KEDS, Avni Alidemaj, vizituan dhomën operative në KQZ. Bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor në garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës. 10:59 – I shoqëruar nga bashkëshortja, voton Memli Krasniqi Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tashmë ka hedhur votën e tij. Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Meliza Krasniqi. 10:58 – Qendra e votimit në Gjakovë, shfrytëzohet edhe për marketing (VIDEO) Në qendrën e votimit në shkollën “Mustafë Bakija” në Gjakovë, ndodhi diçka e çuditshme. Gazetarja Nita Ilazi, ka raportuar se kjo qendër votimi është shfrytëzuar edhe për marketing, transmeton Klankosova.tv. Për të kuptuar se për çfarë lloj marketingu bëhet fjalë, shihni videon e mëposhtme: 10:57 – Zgjedhjet 2025, Krasniqi: Ngjyra shenjuese në gisht po fshihet lehtësisht, rrezik për votim të dyfishtë Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka ndarë tri “vëzhgime” nga procesi zgjedhor që tashmë ka nisur në Kosovë. Krasniqi deklaroi se ngjyra shënjuese po fshihet lehtësisht. Ai theksoi se kjo rrit rrezikun për votim të dyfishtë. “Kabina e votimit është më e ulët dhe votuesit ulen në bankë, gjë që rrit rrezikun e cenimit të fshehtësisë së votës, veçanërisht kur një votues tjetër qëndron në këmbë”, shtoi Krasniqi. “Mundësia për të votuar deri në dhjetë kandidatë në listë është e panevojshme, pasi sondazhet tregojnë se shumica e qytetarëve mezi arrijnë të zgjedhin katër preferenca. Ky proces jo vetëm që e ngadalëson votimin dhe numërimin e votave, por gjithashtu forcon kontrollin e liderëve partiakë mbi deputetët. Kandidatët lokalë do ta kenë shumë më të vështirë të zgjidhen, ndërsa do të favorizohen të preferuarit e liderit, të cilët përfitojnë më shumë hapësirë mediatike”, theksoi ai. 10:56 – Jezerci gati i braktisur, pak banorë votuan (VIDEO) Fshati Jezerc i cili gjendet vetëm 10 kilometra larg qendrës së qytetit të Ferizajt, është pothuajse i braktisur. Atje, gjendet gazetarja Saranda Aliu e cila pa nga afër procesin e votimit në shkollën e vetme të këtij fshati e cila është në mbyllje e sipër. Gaztearja bëri të ditur se ka pasur lëvizje të pakta të banorëve drejt qendrës së votimit. Ndërkohë, kryetari i këtij fshati, Nazir Baliu, tha se qendra e votimit është hapur me kohë dhe se gjithçka deri tani ka shkuar mirë. “40 banorë kanë votuar”, tha ai. Tutje, Baliu tha se arsyeja e braktisjes së fshatit është se ai është djegur 100 për qind gjatë luftës dhe mos rindërtimi i tij ka bërë që fshatarët të shpërngulen me të madhe, njofton Klankosova.tv. 10:53 – Pse nuk ka ngrohje në qendrën e votimit “Hamdi Berisha” në Malishevë? (VIDEO) Në qendrën më të madhe të votimit në Malishevë, gjimnazi “Hamdi Berisha” u raportua se nuk ka ngrohje për shkak se përgjegjësi që ka çelësin e aneksit ku është ngrohja, ka shkruar në Itali duke marrë kështu edhe çelësin me vete. Mirëpo, gazetarja Donjeta Murselaj ka folur me drejtorin e shkollës, i cili ka thënë se kjo nuk është e vërtetë. Ai ka shtuar se ngrohja mungon në këtë shkollë, për shkak të një problemi me pompa. 10:50 – Në Shtëpinë e të Moshuarve në Suharekë ka përfunduar procesi i votimit (VIDEO) Në Shtëpinë e të Moshuarve në Suharekë ka përfunduar procesi i votimit. Mbikëqyrësi i kësaj qendër, Besmir Samadraxha thotë se 48 qytetarë kanë votuar gjithsej, transmeton Klankosova.tv. “Vendvotimi është hapur me kohë, ndërsa procedura e votimit është mbyllur, kanë votuar diku 48 banorë të shtëpisë”, tha ai. 10:49 – Limaj: Besoj që secili nga ne do të vendosim për të mirën e Kosovës Votën e tij e hodhi edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj. Limaj i cili është pjesë e koalicioni “Për Kosovën Fituese”, bashkë me AAK-në dhe subjektet e tjera. Kreu i NISMÊS, votoi në shkollën “Faik Konica”. Pas votimit, ai u prononcua edhe për media. Fatmir Limaj, tha se sot qytetarët do t’i japin drejtim vendit për katër vitet e ardhshme. “Shpresoj dhe besoj që secili nga ne do të vendosim për të mirën e Kosovës”, tha Limaj para mediave. 10:49 – Kuka votoi i veshur me uniformë: Jam betuar që s’do ta heqë (VIDEO) Veterani i UÇK-së, Muhamet Kuka tashmë ka hedhur votën e tij, ku në qendër të votimit ka shkuar i veshur me uniformë. Pas votimit, ai është shprehur se është betuar që nuk do ta heqë asnjëherë këtë uniformë, përcjell Klankosova.tv. “Procesi shkoi shkëlqyeshëm edhe hyrja brenda. E përfundova me gëzim votimin. Unë e kam dhënë një betim, që mos ta heqë uniformën”, është shprehur ai për Klan Kosovën. 10:49 – Situatë e qetë gjatë votimit në Anamoravë (VIDEO) Në qendrën më të madhe të votimit në Anamoravë, në shkollën “Bafti Haxhiu”, procesi zgjedhor po shkon me rregull. Menaxheri i kësaj qendre, Afrim Rrustemi thotë se gjithçka ka nisur me kohë, dhe vendvotimet janë hapur, transmeton Klankosova.tv. Ai shton se fluksi i njerëzve është duke u rritur gjithnjë e më shumë. “Gjithçka po shkon qetë dhe asnjë problem nuk ka pasur deri më tani”, tha ai. 10:12 – Podujevë: Fotografoi votën dhe sulmoi dy policë, arrestohet votuesi Në SHFMU “Xheladin Rekaliu” në Podujevë është arrestuar një person meqë dyshohet se e ka fotografuar votën. Po ashtu raportohet se i njëjti ka sulmuar dy policë. 10:04 -Voton Lumir Abdixhiku, fton qytetarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhje Kandidati për kryeministër nga LDK-ja Lumir Abdixhiku, ka votuar në Shkollën Fillore “Faik Konica”. Ai ishte në shoqëri të gruas dhe dy vajzave të tij. Abdixhiku pas votimi u deklarua edhe për media. “Në këtë ditë të bukur të demokracisë, i ftoj qytetarët që masivisht të vendosin fatin e tyre dhe të Republikës për katër vitet e ardhshme. Njëkohësisht uroj edhe votuesit që për herë të parë japin votën e tyre për Republikën”, tha ai. 09:57 – Në Pejë anomali, nuk ruhet privatësia gjatë votimit (VIDEO) Në qendrën e votimit në shkollën “Shaban Spahia” këtë herë kabinat e votimit janë vendosur ndryshe. Ato janë të ekspozuara ndaj vëzhguesve që janë në klasë. 09:52 – I veshur me uniformë, voton veterani i UÇK-së, Muhamet Kuka Votën e tij e ka hedhur edhe veterani i UÇK-së, Muhamet Kuka. Ai në qendrën e votimit ka shkuar i veshur me uniformë, njofton Klankosova.tv. 09:50 – Albin Kurti hedh votën e tij Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti ka hedhur votën e tij. Ai votoi në Fakultetin Ekonomik, njofton Klankosova.tv. Kurti inkurajoi qytetarët të cilët ende nuk kanë votuar, të kryejnë obligimin e tyre qytetar. “Ditë e re dhe mot me diell për zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës. Falënderoj qytetarët që kanë votuar deri në këto çaste. Inkurajoj çdonjërin të votoj, përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për katër vitet e ardhshme. Gëzuar dhe suksese”, ka thënë Kurti, njofton Klankosova.tv. 09:48 – Edhe në Obiliq verifikimi i votuesve po bëhet me marker Verifikimi i votueseve në disa zona të Kosovës po bëhet me marker, e jo me sprej. Kësisoj është vepruar në qendrën e votimit në gjimnazin “17 Shkurti” në Obiliq, transmeton Klankosova.tv. Njëjtë ka ndodhur edhe në qendrën e votimit në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë. 09:45 – Mbi 100 vëzhgues të BE-së në Kosovë, Loiseau: Të përkushtuar të monitorojmë procesin zgjedhor Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM), Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian ka deklaruar se me 104 vëzhgues të BE-së në terren, janë duke monitoruar nga afër procesin zgjedhor. Ajo ka theksuar se kanë për qëllim të vlerësojnë nëse qendrat e votimit u hapen me kohë, nëse materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor. Derisa ka bërë të ditur se një vlerësim i plotë do të jepet në një konferencë për media të martën. “Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian është në terren në mbarë Kosovën. Vëzhguesit tanë e nisën punën herët në mëngjes për të siguruar një vlerësim të plotë të procesit zgjedhor. Aktualisht ndodhem në Prishtinë, dje isha në Prizren. Një ditë më parë isha në Mitrovicën e Veriut dhe sot do të udhëtoj në disa vende të tjera jashtë Prishtinës për të parë nga afër situatën. Qëllimi ynë është të vlerësojmë nëse qendrat e votimit u hapën në kohë, nëse të gjitha materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor. Në këtë fazë, është ende herët për të nxjerrë përfundime. Një vlerësim i plotë do të jepet në konferencën tonë për shtyp ditën e martë”, tha ajo. Ajo më tej ka theksuar se Bashkimi Evropian mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë, raporton KP, transmeton Klankosova.tv. “Me 104 vëzhgues të BE-së në terren, ne jemi të përkushtuar të monitorojmë nga afër procesin zgjedhor. Bashkimi Evropian mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë dhe dëshiron të sigurohet që të gjithë votuesit të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre”, ka shtuar ajo. Ndryshe, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës. 09:44 – Hamza: Për mua, çdo rezultat që vendos sovrani është i pranueshëm (VIDEO) Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza pasi votoi bashkë me gruan dhe fëmijët e tij, u prononcua për media. Hamza inkurajoi të gjithë qytetarët e Kosovës që të dalin dhe të votojnë, teksa shtoi se çdo rezultat që vendos ‘sovrani’, është i pranueshëm për të, transmeton Klankosova.tv. “Bashkë me bashkëshorten Remën, dy vajzat Doruntinën, Diellzën dhe djalin Ensari, shfrytëzuam të drejtën e votës”. “I lus të gjithë qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë këtë të drejtë, të drejtën e tyre demokratike që të votojnë, që të zgjedhin qeverinë për katër vjetër e ardhshme, uroj që gjithçka të shkojë mirë, besoj që gjithçka do të shkojë mirë. Në fund sovrani vendos, qytetarët votojnë. Për mua, çdo rezultat që votojnë qytetarët e Republikës së Kosovës është i pranueshëm. Jam i lumtur që gjatë gjithë kohës e kam ruajtur energjinë pozitive”, tha Hamza. 09:34 – Bedri Hamza voton Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka votuar në Mitrovicë, në qendrën e votimit në “Andon Zako”. Bashkë me Hamzën, ishin edhe bashkëshortja, vajzat dhe djali i tij, transmeton Klankosova.tv. 09:33 – Kryetari i Listës Serbe, Zlatar Elek votoi me 200 veta (VIDEO) Gazetari i Klan Kosovës, Besnik Tahiri aktualisht gjendet në Veri, për të raportuar nga atje rreth procesit zgjedhor. Nga atje, Tahiri tregoi se kryetari i Listës Serbe, Zlatar Elek, ka hedhur votën e tij në shkollën “Sveti Sava” me plot 200 veta. Pasi Elek ka votuar, të njëjtën gjë e kanë bërë edhe personat që ishin me të. Ndiqni detajet në videon e mëposhtme: 09:30 – DnV: 9 për qind e vendvotimeve hapen me vonesë, shkak mungesa e komisionerëve Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 500 vëzhgues statikë, të cilët janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme. Drejtori ekzekutiv i DnV-së Ismet Kryeziu, nga kjo organizatë tha se vëzhguesit e këtij koalicioni gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesin e votimit e deri tek përfundimi i procesit të numërimit të votave të subjekteve politike. Të drejtë vote për zgjedhjet brenda Kosovës kanë 1 milion e 970 mijë e 944 votues, prej tyre 125 mijë e 852 votues të rinj, raporton Ekonomia Online transmeton Klankosova.tv “Pas procesit të votimit që u zhvillua dje në 19 misionet diplomatike të Kosovës, e ku votuesit që jetojnë jashtë kishin për herë të parë mundësinë që të votojnë fizikisht për herë të parë nëpër misione diplomatike, DnV beson që një atmosferë e njëjtë demokratike do të përcillet edhe në zgjedhjet që po mbahen sot në Kosovë. Hapja e vendvotimeve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2,589 vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 9% e vendvotimeve. Është raportuar se shkak i vonesave të hapjes së vendvotimeve me kohë ka qenë mungesa e komisionerëve dhe atë në 6% të vendvotimeve. Aranzhimi i vendvotimeve është bërë konform rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja”, tha ai. Kryeziu tha se nuk është raportuar asnjë rast kur kabinat e votimit nuk janë vendosur në këndet e vendvotimeve, që do të mund të cenonte fshehtësinë e votës. Po ashtu, ai theksoi se nuk është raportuar për raste të vendosjes së kamerave në një mënyrë që do të mund ta cenonte fshehtësinë e votës. ”Ambienti dhe siguria rreth Qendrave te Votimit, edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100m të Qendrës së Votimit, vëzhguesit tanë kanë raportuar prani të këtyre materialeve në 3% të Qendrave të Votimit. Policia është duke u kujdesur për sigurinë e procesit të votimit, konform përcaktimeve ligjore. Nuk është raportuar asnjë rast ku kanë munguar forcat policore. E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje si e drejtë universale duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim. Personat me aftësi të kufizuar duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike e politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. Është raportuar se 20% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate pjerrina) që u mundëson personave me aftësi të kufizuara qasje në objekt”, tha Kryeziu. Informimi i votuesve për të votuar sakte, ai theksoi se me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme më 2023, kanë ndryshuar edhe disa elemente të votimit, siç është vota preferenciale. “Në këto zgjedhje, votuesit do të mund të votojnë deri në 10 kandidatë, nga 5 sa ka qenë e lejuar në zgjedhjet parlamentare paraprake. Rrjedhimisht secila Qendër e Votimit duhet të ketë vendosur në hyrje instruksione të qarta për të gjitha rregullat e votimit. Sidoqoftë, vëzhguesit tanë kanë raportuar se posterët informues kanë munguar në 15% të Qendrave të Votimit. Pjesëmarrja e grave në Këshillat e Vendvotimeve, Prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për pjesëmarrje të barabartë. Është raportuar se në të paktën 73% të vendvotimeve ka prani të komisionereve gra. Rikujtojmë se pjesëmarrja e grave në cilësinë e komisionereve në vendvotime në zgjedhjet e kaluara ishte rreth 31%”, tha ai. Kreu i DnV-së, tha se incidentet në hapje të vendvotimeve është raportuar për dy raste kur vëzhguesve të DnV-së në komunën e Prizrenit u është mohuar qasja në informata nga kryesuesit e vendvotimeve, përkatësisht në Qendrën e Votimit Abdyl Frashëri 2002/05 dhe Motrat Qirazi 2003/07. 09:26 – Vëzhguesit e BE-së edhe në Radivojcë të Vitisë Procesi zgjedhor po monitorohet edhe nga Bashkimi Evropian. Vëzhguesit e BE-së po qëndrojnë në Radivojcë të Vitisë. 09:20 – Interesim i madh për votim në Drenas (VIDEO) Në Drenas po ka fluks të madh të qytetarëve që po ushtrojnë të drejtën e votës. Gazetari Selim Miftari ka bërë të ditur se në qendrën më të madhe të votimit në Drenas, në shkollën “Rasim Kiqina” është vërejtur edhe fletëvotimi për personat e verbër dhe me nevoja të veçanta, transmeton Klankosova.tv. 09:15 – Procesi zgjedhor nisi me rregull edhe në qendrën “Ali Sokoli” në Prishtinë Në qendrën “Ali Sokoli” në Prishtinë, procesi zgjedhor ka filluar me rregull. Gazetari, Rilind Matoshi thotë se deri më tani nuk kanë hasur në ndonjë parregullsi, megjithëse numri i qytetarëve që po votojnë është ende i vogël, transmeton Klankosova.tv. Të gjitha vendvotimet në shkollën “Ali Sokoli” janë hapur me kohë. 09:13 – Zgjedhjet në Obiliq monitorohen edhe nga vëzhguesit e BE-së Sot në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet e rregullta parlamentare. Afro 2 milionë qytetarë mund t’i drejtohen kutive të votimit, për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Ky proces, përpos që po monitorohet nga kamerat po ashtu nga afër po vëzhgohet edhe nga Bashkimi Evropian. Vëzhguesit e BE-së qëndruan në Shkollën e Mesme të Ulët “Ibrahim Rugova”, në Obiliq, njofton Klankosova.tv 09:08 – Voton Ramush Haradinaj – dy fëmijët e tij hodhën votën për herë të parë Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka votuar me bashkëshortën e tij, Anitën, në shkollën “Ali Sokoli” në Prishtinë. Pas votimit, ai tregoi para mediave se sot për herë të parë votuan edhe dy fëmijët e tij, Hana dhe Gjini. “Procesi ka filluar mirë, në përjashtim të votave me kusht me disa vonesa. Hana dhe Gjini votojnë për herë të parë. Nëna Rukë ka votuar në Gllogjan”. “Dilni të votoni. Kosova ka nevojë për votën tuaj. Na priftë e mbara”, ka thënë Haradinaj, njofton Klankosova.tv. 09:08 – Qytetari në Suharekë nuk u njoftua se i është ndërruar vendvotimi Një qytetar në qendrën e votimit në shkollën “Skender Luarasi” në Suharekë ka shkuar për të votuar, por nuk ka arritur. Kjo për arsye se qytetari i cili jeton jashtë vendit, nuk është njoftuar se i ndërruar vendvotimi. 09:06 – Zgjidhen telashet në qendrën e votimit me kusht në Podujevë Në shkollën “Enever Maloku” në Podujevë është qendra ku po votohet me kusht. Në këtë qendër u raportua se ka probleme me sistemin, transmeton Klankosova.tv. Gazetari Liridon Zeqiri raporton se ky problem është zgjidhur. 08:46 – Votuesi në Mitrovicë shkon me ambulancë për të votuar Në qendrën e votimit në shkollën teknikë në Mitrovicë një votues ka ardhur në formë jo fort të zakonshme. Ai në këtë qendër votimi ka shkuar me ambulancë. Më poshtë mund të shihni pamje nga Klan Kosova: 08:37 – Procesi zgjedhor në Deçan, Maloku: Gjithçka po shkon në rregull Qazim Maloku, menaxheri i qendrës së votimit në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, tha se gjithçka ka nisur me rregull. Ai shton se qendrat e votimit janë hapur me kohë, ndërsa qytetarët ‘avash-avash po vijnë të votojnë’, transmeton Klankosova.tv. 4272 votues janë të regjistruar në këtë qendër votimi. 08:30 – Mungesa e kodit pamundëson votimin me kusht ne Klinë Në qendrën e votimit në shkollën fillore të mesme të ulët “Motrat Qiriazi” në Klinë nuk mund të realizohet votimi me kusht për shkak të një kodi që ende nuk e ka përcjellë KQZ-ja. Kjo është e vetmja qendër për votim me kusht në këtë komunë. 08:28 – KQZ njofton se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se në të gjitha qendrat e votimit në vend procesi i votimit ka nisur me kohë. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se edhe materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit. Janë 941 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime në 38 komunat e Kosovës, njofton Klankosova.tv. Të drejtë vote në këto zgjedhje do të kenë 1 milion e 970 mijë e 944 qytetarë, prej të cilëve 125 mijë e 852 do të votojnë për herë të parë. 08:17 – Edhe në Podujevë telashe në qendrën e votimit me kusht Telashet në sistemet për votim po vazhdojnë. Pas Mitrovicës, raportohet se edhe në Podujevë ka probleme në qendrën e votimit me kusht, transmeton Klankosova.tv. Sipas gazetarit Liridon Zeqiraj, sistemi në këtë qendër votimi nuk po punon, me ç’rast as nuk po votohet. 08:09 – Përgjegjësi i shkollës shkon në Itali, merr çelësat me vete, lë vendvotimin pa nxemje (VIDEO) Në qendrën më të madhe të votimit në Malishevë, gjimnazi “Hamdi Berisha” votimi ka filluar me kohë në orën 07:00. Mirëpo, në këtë qendër votimi nuk ka nxemje, përcjell Klankosova.tv. Kjo për arysye se përgjegjësi i shkollës i cili e ka çelësin e dhomës ku lëshohen nxemjet, ka shkuar në Itali dhe ka marrë çelësat me vete. 08:08 – Ku do të votojë presidentja Osmani? Sot Kosova po voton. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani do të votojë nga ora 11:00 në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik, transmeton Klankosova.tv. Osmanit i bashkëngjitet edhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu. 08:05 – Telashe në sistemin e qendrës së votimit me kusht në Mitrovicë (VIDEO) Në gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë, aty ku është qendra e votimit me kusht, po ka probleme në votim. Sipas kryesuesit të kësaj qendre, Luan Mehmeti, sistemi dhe kodi nuk po pranohen, transmeton Klankosova.tv. “Të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë, që nga ora 04:30. Edhe materialet janë sjell me kohë. Gjithçka është në rregull, por është një çështje kodi, që thuhet që vjen nga KQZ-ja, megjithëse ne i kemi informuar, por sipas gjasave ka një ngarkesë të madhe në kuadër të sistemit që nuk ka funksionuar”. Ai shton se janë në bisedime me qendrat e tjera të votimit. Por ai bëri të ditur se edhe ky problem është zgjidhur, megjithëse, sipas gazetares Altiana Zogaj, ky telash ende po vazhdon. 07:53 – Radoniqi flet rreth dyshimeve për keqpërdorim të votave në Kroaci Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka folur rreth dyshimit të keqpërdorimit të votave në Kroaci, nga ambasadori Martin Berishaj. Radoniqi para mediave deklaroi se nuk janë njoftuar vëzhguesit. “Tjerë përveç Kroacisë unë nuk kam njohuri se ka diçka. Ato të Kroacisë, e vetmja çështje që ka shkuar si mos të them pengesë, por që nuk janë respektuar procedurat është që vëzhguesit nuk kanë qenë prezent. Bëhet fjalë për 30 vota, personat që i kanë tërhequr ato vota janë të autorizuar nga KQZ-ja. I gjithë stafi diplomatik në qendrat e votimit ku kemi hapur adresa, janë zyrtarë që janë të autorizuar nga KQZ-ja dhe ata i kanë tërhequr. Një gabim është bërë që nuk janë njoftuar vëzhguesit”, tha Radoniqi. “Lidhur me këto vota do të ketë rekomandim nga sekretariati dhe në bazë të rekomandimit do të marrim vendim edhe në KQZ”, theksoi ai. Mbi bazën e dyshimit përkeqpërdorim, hetimet i ka nisur edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës./ Klankosova.tv 07:51 – Mungon rryma, nuk punon kamera në një qendër votimi në Malishevë (VIDEO) Në qendrën më të madhe të votimit në Malishevë, gjimnazi “Hamdi Berisha” votimi ka filluar me kohë në orën 07:00. Mirëpo, votimi atje ka filluar pa vëzhgimin e kamerave, kjo për arsye se në klasën ku është duke u zhvilluar procesi zgjedhor, nuk ka rrymë, aty ka vetëm drita dhe kamerat ende nuk janë instaluar, përcjell Klankosova.tv. Menaxheri i qendrës, Izet Hoti ka thënë se problemi qëndron tek mungesa e kabllove vazhduese, të cilat sipas tij, nuk kanë ardhur ende. Në lidhje me këtë, nga KQZ kanë thënë që sigurimi i këtyre kabllove për shkollat nuk është në kompetencën e tyre. 07:50 – Nuk hapet me kohë qendra më e madhe e votimit në Prizren (VIDEO) Qendra më e madhe e votimit në Prizren nuk u hap me kohë. Menaxherja e kësaj qendre deklaroi se kjo ndodhi për shkak se është si qendër e re e votimit dhe se derisa i kanë dërguar aty materialet KQZ-ja. “Ne kemi qenë gati prej ditës së djeshme, por për shkak të komisionerëve dhe materialeve ndodhi vonesa”, deklaroi ajo. Qytetarë të shumtë u panë duke pritur në radhë për të votuar, dhe shprehën indinjatën për vonesën. “S’e kanë ditë që ka zgjedhje, për qata janë vonu”, deklaroi një qytetar. Ndërkaq një tjetër u shpreh se nuk e ka problem faktin i është dashur të presë meqenëse është pensionist, por shtoi se sërisht nuk është në rregull kjo gjë. Në Komunën e Prizrenit janë gjithsej 182 mijë qytetarë me të drejtë vote. 07:42 – Identifikimi i votuesve te “Ismail Qemali” po bëhet me marker Identifikimi i votuesve në qendrën e votimit në shkollën “Ismail Qemali” nuk po bëhet me sprej. Në këtë qendër votimi, identifikimi po bëhet me marker. Më poshtë mund të shihni pamje të siguruara nga Klan Kosova: 07:33 – Këto zgjedhje vëzhgohen nga kamerat Ky proces zgjedhor pritet të jetë më ndryshe se herave të tjera. Për të parandaluar keqpërdorimet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur edhe kamera në vendvotime. Të drejtë vote kanë afro 2 milionë votues. 07:31 – Vetëm një vendvotim hapet me kohë në qendrën e vetme të votimit me kusht në Prishtinë Në të vetmen qendër të votimit me kusht në Prishtinë në Fakultetin e Edukimit është hapur vetëm një vendvotim qysh nga ora 07:00. Kështu raporton gazetari Vullnet Krasniqi i cili është duke e përcjellë procesin zgjedhor në këtë qendër. Raportohet poashtu se në disa vendvotime ka mungesë stafi si dhe probleme me rrjet, njofton Klankosova.tv. 07:29- Gjilanasit shfaqin interesim për votë edhe para hapjes së qendrave të votimit (VIDEO) Në Gjilan janë hapur qendrat e votimit. Shkolla “Abaz Ajeti” është qendra më e madhe e votimit në këtë qytet, teksa gazetari Flamur Gajtani, thotë se interesimi I qytetarëve për votim ka nisur qysh para orës 07:00, transmeton Klankosova.tv. Në këtë qendër, 13 mijë 403 qytetarë mund të ushtrojnë të drejtën e votës. Ndër të tjera, në këtë qendër nuk mund të votohet me kusht. Por e drejta e votës me kusht mund të realizohet në bibliotekën “Fan Noli”. 07:29 – Nuk nis me kohë procesi i votimit me kusht në Prishtinë, shkak problemet teknike Në qendrën e votimit me kusht në Prishtinë, e cila është përcaktuar të jetë në Fakultetin e Edukimit, procesi i votimit nuk ka filluar me kohë në të gjitha vendvotimet. Gazetarja jonë, Arbëreshë Uka, ishte në vendngjarje dhe bisedoi me menaxherin e qendrës, i cili para kamerës nuk pranoi se kjo ishte e vërtetë, megjithëse tha se ishin përballur me disa çështje teknike. Pas kësaj, kur ekipi i Klan Kosovës tentoi të votojë me kusht, në dy vendvotime në këtë qendër stafi u thanë se ende nuk ishin të hapur për të pritur votues, edhe pse ora shënonte 07:14. 07:25 – Qendra më e madhe e votimit në Prizren nuk hapet me kohë Qytetarët sot do t’ju drejtohen kutive të votimit. Zyrtarisht nga ora 07:00, qendrat e votimit hapen. Por, kjo s’ka ndodhur ende në qendren më të madhe në Prizren, në shkollën “Hysen Rexhepi”. Klan Kosova gjendet atje dhe po e përcjell nga afër procesin e votimit. 07:16 – Podujeva, gati për të votuar (VIDEO) Shkolla “Ibrahim Rugova” në Podujevë, është qendra më e madhe për votim në këtë qytet. Gazetari Liridon Zeqiri, tregon se kjo shkollë ka dhjetë vendvotime me plot 8 mijë 181 votues, transmeton Klankosova.tv. Kjo është një nga 47 qendrat e votimit në qytetin e Podujevës. Ndërkaq qendra e caktuar për votim me kusht është shkolla “Enver Maloku”. Në tërë komunën e Podujevës, të drejtë vote kanë gjithsej 84 mijë e 23 qytetarë. 07:09 – Voton kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi, fton të gjithë të respektojnë rregullat zgjedhore Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor Kreshnik Radoniqi, ka qenë i pari i cili ka votuar në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit në Pejë. Pas përfundimit të votimit, ai është deklaruar për media. Radoniqi bëri thirrje që të respektohen rregullat zgjedhore. “Ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin e të votojnë, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”, tha Radoniqi. Ndiqeni deklarimi e të parti të KQZ-së. 07:09 – Voton kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor Kreshnik Radoniqi, ka qenë i pari i cili ka votuar në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit në Pejë. Pas përfundimit të votimit, ai është deklaruar për media. 06:36 – Si do të jetë moti në ditën e zgjedhjeve? Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Sipas IHMK-së, temperaturat minimale pritet të jenë nga -6 deri -4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të lëvizin nga 5 deri në 8 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1 deri në 3 metër për sekond, transmeton Klankosova.tv 05:59 – Kosova voton sot Qytetarët e Kosovës sot do t’ju drejtohen kutive të votimit. Fiks në ora 07:00 parashihen të hapet 941 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Të drejtë vote do të kenë 1 milion e 970 mijë e 944 qytetarë, prej të cilëve 125 mijë e 852 qytetarë do të votojnë për herë të parë. Ata do të mund të zgjedhin në mes të 28 subjekteve politike, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur. Këto zgjedhje janë të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës, kurse të parat zgjedhje të rregullta nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Ndërkaq, dje procesi i votimit u zhvillua edhe jashtë Kosovës, ku diaspora votoj në Ambasada. Gjithsejt, sipas KQZ-së, të drejtë vote patën 105 mijë bashkëatdhetarë. Të drejtën e votës e shfrytëzuan, mbi 50 përqind e votuesve. E votën e tyre e hodhën edhe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë. Procesi zgjedhor anekënd Kosovës, do të përcillet drejtpërdrejt në ekranet televizive edhe nga Klan Kosova, që ka shpërndarë ekipet në terren. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Insistimi për votimin “tinëzar”, Kajtazi: Kurti i do votat e Listës Serbe për Haxhiun (VIDEO) 30/06/2025
Kosova “Uniforma të grisura, antiplumba të huazuar – Policia e Kosovës në krizë logjistike” (VIDEO) 30/06/2025