7:30, 15 Mars 2019

Melania Trump ngullëshon familjet e të vrarëve në Zelandë të Re: Lutemi dhe qëndrojmë me ju kundër urrejtjes

?17:37

Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, ka shprehur ngushëllimet më të thella pas tragjedisë që ndodhi në Zelandë të Re ku pas një sulmi terrorist në një xhami mbetën të vdekur 49 veta.

“Ngushëllime të thella familjeve që humbën më të dashurit e tyre nga të shtënat tmerruese në Christchurch të Zelandës së Re”, ka shkruar Melania Trump në Tëitter

“Lutemi dhe jemi të pikëlluar dhe qëndrojmë me ju kundër urrejtjes”.

________________________________________________________________________________________

FBI pas sulmit terrorist në Zelandë të Re: Ne jemi gati të ndihmojmë

?16:50

Agjencia amerikane, Buroja Federale e Hetimeve, FBI, ka thënë në një deklaratë se është e gatshme të ndihmojë, njofton Klan Kosova.

Sipas CNN, FBI ka agjentë të posaçëm të vendosur në rajon, përfshirë  Canberran në Australi

“FBI është gati të ndihmojë partnerët tanë të zbatimit të ligjit në Zelandën e Re”


Ahmeti: Vrasja e njerëzve në xhami vetëm për shkak të besimit të tyre është turpi i njerëzimit

?16:29

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj sulmit të sotëm që ka ndodhur në Zelandën e Re.


Kryeministri kanadez: Ne të gjithë duhet të ballafaqohemi me islamofobinë

?16:17

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, dënoi sulmin terrorist në Zelandën e Re dhe u zotua të punojë me vendin për të ndërmarrë veprime kundër ekstremizmit të dhunshëm.

“Për njerëzit e Zelandës së Re dhe për komunitetet myslimane anembanë botës: Ju jeni në zemrat tona dhe mendjet. Ne bashkohemi me pikëllimin tuaj dhe qëndrojmë me ju në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë”, tha ai në një deklaratë.

Sipas CNN, Trudeau gjithashtu tha se bota duhet të njohë diversitetin si një burim force, dhe jo një kërcënim.

“Ne të gjithë duhet të ballafaqohemi me islamofobinë dhe të punojmë për të krijuar një botë ku të gjithë njerëzit – pa marrë parasysh besimin e tyre, ku jetojnë ose ku kanë lindur – mund të ndihen të sigurt”, tha ai.


Melbourne solidarizohet me Zelandën e Re, ndizen dritat në ndërtesa

?15:52

Në ndërtesat në Melburn të Australisë, janë vendosur drita me ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe kaltër – ngjyrat e flamurit të Zelandës së Re.

Krejt kjo është bërë në shenjë solidarizimi me Zelandën e Re  për sulmin e sotëm terrorist në dy xhami të këtij vendi ku u vranë 49 persona.


Albin Kurti për sulmin në Zelandë të Re: Secili akt terrorizmi ngjall dëshpërim e keqardhje

?15:43

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të personave të prekur nga sulmi terrorist në Zelandë të Re.

Ai ka thënë se kënga çetnike për Karaxhiqin që dëgjonte njëri nga terroristët, veçse e vërteton edhe një herë se terroristët marrin frymëzim nga gjenocidet, transmeton Klan Kosova.

“Nëpër media botërore flitet për ‘frymëzim ballkanik’, por na duhet t’i tregojmë botës një shembull të mirë, atë të shqiptarëve, që e kanë themeluar identitetin e tyre te pranimi dhe përfshirja përmes bashkëjetesës e bashkëpunimit e feve të ndryshme, zakoneve e dialekteve të ndryshme, por edhe minoriteteve”.


Mblidhen 335 mijë euro për të mbijetuarit nga sulmi në Zelandë të Re

?15:29

Vetëm pas pak orësh pasi u hap një fond për t’i ndihmuar të mbijetuarit nga sulmi tragjik në Zelandë të Re ku humbën jetën 49 persona, janë mbledhur rreth 335 mijë euro.

Ky fond është hapur nga një organizatë bamirëse për t’i mbështetur viktimat në Zelandë të Re dhe kanë marrë pjesë rreth gjashtë mijë donatorë, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.

“Të gjitha donacionet e dërguara në këtë fond do të shfrytëzohen për t’i ndihmuar dhe mbështetur personat e prekur nga ky incident i tmerrshëm”, ka shkruar kjo organizatë e bamirësisë.


Obama dhe Clinton me thirrje kundër urrejtjes

?15:10

Ish-presidenti amerikan, Barak Obama, së bashku me bashkëshorten Michelle, u kanë shprehur ngushëllime të gjitha familjeve të viktimave pas sulmit terrorist në Zelandë të Re.

“Të gjithë ne duhet të qëndrojmë kundër urrejtjes në të gjitha format e saj”.

Thirrje të ngjashme ka bërë edhe ish-kandidatja për presidente, Hillary Clinton.

“Duhet vazhduar lufta kundër islamofobisë dhe racizmit”.


Ekipi i kriketit të Bangladeshit ‘për një fije floku’ i shpëtoi sulmit në Zelandë të Re

?15:03

Lojëtarët e Ekipit Kombëtar të kriketit nga Bangladeshi po trajnoheshin pranë njërës xhami ku ndodhi sulmi në Chrischurch të Zelandës së Re.

Madje ata ishin gati të futeshin brenda xhamisë pak para se të ndodhte sulmi ku mbetën të vrarë të paktën 49 persona dhe mbi 40 të tjerë u lënduan.

Mediat kanë raportuar se disa anëtarë të ekipit kanë arritur nga një konferencë shtypi e cila kishte nisur me vonesë përndryshe ekipi me shumë gjasë do të ishte brenda xhamisë kur sulmi filloi.

Menaxheri i ekipit, Khaled Mashud, ka thënë se ata kanë qenë shumë me fat.

“Ne ishim shumë afër. Ne mund ta shihnim xhaminë nga autobusi me të cilin po udhëtonim. Nëse do të arrinim tre-katër minuta më herët, me shumë gjasë do të ishim brenda xhamisë, në momentin e sulmit”.

Ai ka thënë se gjithë çfarë kanë parë ka ngjasuar me një skenë të tmerrshme filmi.

“Ne pamë gjithçka çfarë ka ndodhur nga jashtë, sikur të ishte një skenë nga filmat. Ne pamë nga autobusi kur nga xhamia po dilnin njerëz që ishin krejtësisht të përgjakur. Shumë pak njerëz arritën të dalin të gjallë nga xhamia”.

“Për tetë ose dhjetë minuta ne qëndruam të mbyllur brenda në autobus, mbanim kokat e ulura poshtë nga frika se do të kishte të shtëna edhe drejt nesh”, ka thënë Mashud për BBC-në.


Çfarë dihet për të dyshuarin e sulmit terrorist në Zelandë të Re?

?14:48

Sulmet në xhamitë e Christchurch në Zelandë të Re ishin transmetuar drejtpërdrejt në internet nga një njeri i quajtur Brenton Tarrant.

Policia tha se tre persona ishin në paraburgim dhe se një njeri rreth moshës 20 vjeçare ishte akuzuar për vrasje.

Është 28-vjeçari Brenton Tarrant i akuzuar për vrasje i cili do të paraqitet nesër në mëngjes në Gjykatën e Rrethit të Christchurch.

Ai postoi pamje në rrjetet sociale që kanë të bëjnë me atë që përshkruhet si një manifest për veprimet e tij.

Tarrant përshkruan motivet e tij: duke përfshirë “krijimin e një atmosfere frike” dhe “nxitjen e dhunës” ndaj myslimanëve duke ofruar detaje autobiografike.

Ai gjithashtu përmendi veprimet e ekstremistëve të tjerë të djathtë, duke përfshirë sulmuesin e xhamisë Finsbury Park Darren Osborne dhe vrasësin masiv norvegjez Anders Behring Brevik.

Terroristi australian, i identifikuar si Brenton Tarrant ka përmendur edhe Kosovën në dokumentin 74 faqësh të publikuar para kryerjes së sulmit, transmeton Klan Kosova.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbajtur anën e gabuar gjatë luftës në Kosovë, më 1999.

Në këtë manifesto, Tarrant rendit dhjetëra arsye pse e kreu sulmin, e pothuajse të gjitha prej tyre arsyetimeve të tij, kanë lidhje me pozitën e racës së bardhë në botë.

Ai flet për nevojën e ballkanizimit të SHBA-ve, që do të thotë ndarjen e njerëzve në Shtetet e Bashkuara në baza kulturore, shoqërore, e “më e rëndësishmja” sipas tij, në baza racore.

Australiani thotë se me rritjen e pushtetit të të bardhëve në SHBA, nuk do të ndodhte më kurrë një ndërhyrje e njëjtë ushtarake sikurse në Kosovë, ku sipas tij, amerikanët u rreshtuan në krahun e gabuar.

 Çka dihet deri më tani për sulmin:

1: 49 persona janë vrarë dhe të paktën 20 të tjerë janë plagosur gjatë sulmeve në dy xhami.

2: Sulmi ndodhi në një kohë kur njerëzit u mblodhën për lutjet e së premtes dhe ishin më vdekjeprurëset në historinë e kombit.

3: 28-vjeçari Brenton Tarrant i arrestuar për sulmin po akuzohet për vrasje, dy persona të tjerë janë arrestuar në vendngjarje me armë, kurse personi i katërt i arrestuar mund të mos ketë pasur asgjë të bëjë me sulmin, sipas komisionit policor të Zelandës së Re, Mike Bush.

4: Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern tha se ky ishte një sulm terrorist dhe një nga “ditët më të errëta” të këtij vendi.

5: Siguria është rritur përreth xhamive në disa qytete në mbarë botën.


Dëshmitari i sulmit në Zelandë të Re: Ishim në gjendje paniku

?14:43

Srinivas Chandrasekharan ishte me ekipin e kriketit nga Bangladeshi kur të shtënat në xhaminë Al Noor kishin nisur.

Ai për BBC-në e ka treguar rrëfimin e tij.

“Sapo arritëm afër hyrjes në xhami, ne dëgjuam të shtënat. Më pas e pamë një grua që u alivanos dhe u rrëzua përtokë. Ne donim ta ndihmonim atë kur pamë edhe 10-15 persona të tjerë, të përgjakur, që po dilnin nga xhamia duke bërtitur se ka të shtëna”.

“Ishte ky momenti ku ne e kuptuam se po ndodhte një sulm. Ne nuk e dinim se ccfarë duhet të bënim. Ne ishim të zënë ngushtë, ishim në gjendje paniku”, ka thënë ai.


Guterres: I dënoj fuqishëm të shtënat ndaj njerëzve të pafajshëm në xhamitë e Zelandës së Re

?14:38

Sekretari i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se është i pikëlluar dhe se i dënon fuqishëm të shtënat ndaj njerëzve të pafajshëm, teksa ata luteshin në mënyrë paqësore në xhamitë e Zelandës së Re.

“Unë jam i pikëlluar dhe i dënoj fuqishëm të shtënat ndaj njerëzve të pafajshëm, teksa ata luteshin në mënyrë paqësore në xhamitë e Zelandës së Re.

“Unë i shpreh ngushëllimet më të thella nga ana ime për familjet e viktimave. Sot dhe çdo ditë, duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër urrejtjes anti-muslimane, dhe të gjitha format e fanatizmit dhe terrorizmit”, shkruan Guterres në Twitter.


Papa Françesku dënon sulmin në Zelandë të Re

?14:33

Papa Françesku ka reaguar pas sulmit terrorist në dy xhamitë në Chrischurch të Zelandës së Re ku kanë humbur jetën të paktën 49 persona dhe shumë të tjerë janë lënduar.

“Jam thellësisht i mërzitur për vdekjen e shumë njerëzve dhe lëndimin e shumë të tjerëve nga aktet e dhunës, të pandjenja”, ka thënë ai.

Në telegramin e ngushëllimit të Papa Françeskut thuhet se ai “siguron të gjithë shtetasit e Zelandës së Re dhe në veçanti komunitetin mysliman për solidaritetin e tij të përzemërt në vazhdën e këtyre sulmeve”.

I pari i Vatikanit ka shtuar se është “i vetëdijshëm për përpjekjet e personelit të sigurisë dhe emergjencës në këtë situatë të vështirë”.


Britania nderon viktimat e sulmit terroristë në Zelandë të Re – ul flamujt në gjysmështizë

?14:29

Britania e Madhe ka nderuar viktimat duke ulur flamujt në gjysmështizë


Sulmi terrorist në Zelandë të Re – myslimanët në botë luten dhe protestojnë

?14:24

Në xhaminë Lakemba e cila ndodhet në jug-perëndim të Sidnejt të Australisë, më shumë se 1000 myslimanë thuhet se u luten për viktimat e sulmit terrorist në Zelandën e Re. Dhjetëra policë rrethuan xhaminë para fillimit të namazit për të siguruar vendin për të gjithë, transmeton Klan Kosova.

Sipas Daily Mail, lutjet vijnë vetëm disa orë pas sulmit terrorist në xhamitë Christchurch.

Një drejtues në xhaminë Lakemba gjatë lutjeve të mbrëmjes tha se ata që morën pjesë në lutjet e së premtes në Christchurch ishin njerëzit më të pafajshëm, por u vunë në shënjestër nga i riu.

“Cili është krimi që po bëjnë? “Asgjë”, tha ai, duke ndjekur lutjet.

“Njerëzit janë shumë ekstremist në mendimin e tyre. Ata duan hakmarrje nga asgjëja. Ata mendojnë se duke bërë diçka të tillë është hakmarrja”.

Ai paralajmëroi ata që morën pjesë në lutje që të mos kishin frikë.

“Ne kemi nevojë për qeverinë tonë për të ndërmarrë disa veprime. Duhet t’i shohim politikanët dhe policët tanë të bëjnë punën e tyre në një mënyrë të mirë. Ne i vëmë duart tona me politikanët tanë, veçanërisht me ato të mira”, tha ai.

“Ky është një akt terrori që u drejtohet muslimanëve në kohën e lutjeve të tyre. Nuk do t’i mbyllim dyert e xhamive tona dhe do të vazhdojmë lutjet tona të përditshme. Ne do të qëndrojmë në solidaritet”, tha gjatë fjalimit të tij drejtuesi i kësaj xhamie.

Të pranishëm në këtë xhami ishin shumë politikanë të cilët shprehën respektin e tyre.

Departamenti i Policisë së New York-ut, ka njoftuar me anë të një postimi në Twitter se ka dërguar oficerë shtesë në xhami.

“NYPD është e angazhuar për sigurinë e të gjitha shtëpive të adhurimit dhe lirinë për të praktikuar lirisht fenë tuaj pa asnjë frikë”, shkruan në Twitter NYPD.

Po ashtu edhe myslimanët në Bangladesh dënuan sulmet me një protestë në kryeqytet, Dhaka.

Ndërsa myslimanët në Mumbai mbanin postera që dënonin sulmin.

Edhe në Karaç të Pakistanit qytetarët dolën në rrugë.

Në Zelandën e Re,shumë  lule u vendosën jashtë xhamisë në kryeqytet, Wellington.

 

 


Maas: Sulmi në Zelandën e Re akt i tmerrshëm terrorist

?14:17

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass, ka reaguar lidhur me sulmin që ka ndodhur në Zelandën e Re.

Kryediplomati gjerman e cilësoi këtë si “akt të tmerrshëm terrorist”.

“Nëse njerëzit vriten për shkak të besimit të tyre, atëherë është sulm mbi gjithë ne”.

“Ne bashkëndiejmë me familjet e viktimave. Qëndro e fortë Zelandë e Re”.


Merkel: Sulmi ndaj myslimanëve – sulm ndaj shoqërisë së hapur dhe tolerante

?14:10

Si pasojë e sulmeve me armë zjarri në dy xhami në Zelandë të Re, 49 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 45 persona janë lënduar, transmeton Klan Kosova.

Për këtë sulm ka reaguar edhe kancelaria, Angela Merkel.

“Një sulm i drejtuar kundër myslimanëve, është gjithashtu një sulm ndaj demokracisë së Zelandës së Re dhe shoqërisë së hapur dhe tolerante”.

“Ne ndajmë këto vlera me Zelandën e Re, me ta ndajmë tmerrin dhe dënojmë  këtë akt të tmerrshëm. Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për familjet e viktimave dhe të lënduarit të cilëve ju dëshirojmë shërim të shpejtë”.


Qeveria britanike u kërkon mediave të heqin videot e sulmit në Zelandë të Re

? 13:58

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar u ka kërkuar të gjitha mediumeve që t’u shmangen videove që shfaqin sulmin e tmerrshëm ndaj myslimanëve në Zelandën e Re.

Kjo kërkesë erdhi pasi që njëri nga sulmuesit i njohur si Brenton Tarrant, e filmoi veten pak para se të kryejë sulmin terrorist ku mbetën të vdekur 49 persona, shkruan The Independent, transmeton Klan Kosova.

Pastaj e njëjta video u shpërnda nëpër rrjetet sociale dhe media të shumta vendore dhe ndërkombëtare filluan që ta vendosin atë nëpër ueb-faqet e tyre.

Për këtë sulm tragjik mbi dy xhami në Zelandë të Re kanë reaguar liderë të shumtë të vendeve të ndryshme.

Ndërsa liderët Myslimanë kanë thënë se ky sulm dëshmon rritjen urrejtjes ndaj komunitetit mysliman.


BIK e dënon ashpër sulmin në Zelandën e Re

? 13:45

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës  e dënon ashpër sulmin e ndodhur në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, njofton Klan Kosova.

“Dënojmë fuqishëm këtë sulm terrorist të kryer me gjakftohësi e paramendim ndaj besimtarëve të pafajshëm, të cilët në momentin e krimit ishin duke iu lutur Krijuesit të Gjithësisë”.

“Ekzekutimi i njerëzve që i përkasin një besimi apo një etnie tjetër, parqet një akt terrorist kundër njerëzimit, vlerave humane dhe atyre hyjnore. Tashmë terrorizmi është një nga sfidat kryesore të botës moderne, ndaj të cilit bota e lirë duhet të jetë unike dhe e pakompromis, në luftën kundër kësaj të keqeje që ka marrë përmasa globale.”

“Me këtë rast, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës bashkëndien dhembjen me familjarët e viktimave të cilave u shpreh ngushëllimet më të sinqerta ndërsa të lënduarve ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë”.

“Lusim Zotin që viktimat e këtij akti terrorist ti mëshiroj, ndërsa  aktet të tilla të dhunës e terrorit të mos përsëriten askund në botë”, shkruan BIK në komunikatën e dërguar.


MPJ : Nuk ka kosovarë të prekur nga sulmi terrorist në Zelandë të Re

? 13:34

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës në mbështetje të informacioneve të pranuara deri më tash nëpërmjet kanaleve diplomatike konfirmon se nuk ka shtetas kosovarë, që janë prekur nga sulmi terrorist, që ndodhi të premten në dy xhami në Zelandën e Re, dhe i cili la të vdekur dhjetëra persona.

“Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Australi, e cila e mbulon edhe Zelandën e Re është duke i përcjellur nga afër zhvillimet e sotme dhe në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet zyrtare të Zelandës së Re dhe tashmë ka vënë në shërbim edhe numrat emergjent për të gjithë shtetasit kosovarë, që mund të kenë nevojë për asistencë konsullore”.

“Numrat emergjent, ku shtetasit kosovar mund të thërrasin janë si në vijim: +61 (02) 261130366 , +61403517113”.


Rrëfimet e të mbijetuarve: Iu luta Zotit që vrasësit t’i harxhoheshin plumbat

? 13:10

Përderisa informatat për sulmin terrorist në xhamitë e Zelandës së Re po vazhdojnë të raportohen, të mbijetuarit kanë treguar detaje të tmerrshme.

Sulmi filloi kur terroristi, i veshur me të zeza, hapi zjarr në xhaminë Al Noor në qendër të Christchurch, derisa një grup besimatërësh ishin duke u lutur ditën e premte, njofton Klan Kosova.

Të mbijetuarit thanë që ata vrapuan për të shpëtuar pasi dëgjuan krismat e armëve.

Flowers placed on the front steps of the Wellington Masjid mosque in Kilbirnie, Wellington

“Duke pritur dhe u lutur”

Një i mbijetuar, i cili kishte gjak në rrobat e tij, u tha mediave lokale që ai pa vrasësin duke qëlluar një burrë në gjoks.

Dëshmitari tha se sulmi ka zgjatur rreth 20 minuta dhe se rreth 60 njerëz mund të ishin të lënduar.

“Unë mendova se atij po i shpenzoheshin plumbat”, i tha ai televizionit TVNZ.

“Ajo që bëra unë ishte të prisja dhe të lutesha: Zot, të lutem, le t’i harxhohen plumbat”.

Terroristi thuhet se në fillim qëlloi dhomën ku ishin duke u lutur burrat në xhami, pastaj u zhvendos në dhomën e grave.

Dëshmitari tha: Ai erdhi dhe qëlloi në këtë anë, shkoi në dhomën tjetër dhe më pas shkoi në dhomën tjetër të grave duke i qëlluar ato. Më pas sapo dëgjova që njëra kishte vdekur.

“Vëllai im ishte atje dhe nuk e di nëse ishte i sigurt apo jo”.

“Qindra plumba”

Një burrë tjetër, i cili mbijetoi duke u fshehur, tha se njerëzit kanë thyer xhamat duke dashur të dilnin.

“Ai filloi t’i qëllojë ata. Për secilin që mendoi se ishte gjallë, ai vazhdoi t’i qëllojë ata”, ai i tha radios “Zelanda e Re”.

“Ai nuk deshi që ndonjëri prej tyre të mbetej gjallë”.

I mbijetuari Farid Ahmed, i cili ishte në karrocë, tha se nuk ishte i sigurt nëse gruaja e tij ishte ende gjallë.

“Pashë nga korridori – në dhomën ku isha – një djalë duke u përpjekur të vinte në dhomën ku isha dhe ai u qëllua nga mbrapa duke mbetur i vdekur në vend,” i tha ai TVNZ.

“Pashë në dysheme – predha të plumbave – qindra plumba.”

“Skena të masakrës”

Dëshmitari okular Carl Pomare ishte duke vozitur pranë xhamisë me një bashkëpunëtor kur pa njerëz “që vraponin për të shpëtuar”.

“Më pas këta njerëz i pashë duke rënë në tokë pasi u qëllonin nga prapa” tha ai.
Pomare dhe kolegu i tij ngritën një kordon me një makinë tjetër dhe filluan të ndihmonin viktimat.

“Ne ishim në një grup prej rreth gjashtë personash që u ndodhëm në atë kohë – të gjithë gjithë ne po ndihmonim këta njerëz që ishin të shtrirë në tokë duke luftuar për jetën e tyre”.

Ambulancat nuk ishin në gjendje të shkonin në vendin e ngjarjes derisa zona të ishte e sigurt nga policia, tha Pomare.

“Ne u munduam që t’i mbajmë të gjallë këta njerëz derisa të vinin ambulancat. Njerëzit ishin duke kërkuar ndihmë nga ne. Ne thirrëm që të ndihmohej një baba me një vajzë, të cilët ishin në një rrugë të keqe, më pas nuk e dimë a kanë mbijetuar ata”.

“Bashkëpunëtori që ishte duke e ndihmuar një person, i vdiq në duar. Ishte një skenë e masakrës”.

“Sulmi në xhaminë e dytë Linwood”

Në xhaminë e dytë, Linwood Masjid, të mbijetuarit i thanë medias lokale se panë një person të armatosur me një motor të zi i cili gjuajti rreth 100 njerëz që luteshin brenda.

Sulmi ndodhi pak pas sulmit të parë në xhaminë Al Noor.

Dëshmitari Syed Ahmed tha se vrasësi kishte qenë duke “bërtitur diçka” gjatë të shtënave.
Ai tha se pa të paktën tetë njerëz të vrarë, duke përfshirë edhe dy shokë të tij.

“Qyteti i bllokuar”

Ndërtesat në qendër të qytetit dhe rrethinat përreth ishin vendosur të mbylleshin.

Menaxherja e një restoranti pranë xhamisë së Al Noorit dhe Spitalit të Christchurch tha se bizneset mbyllën dyert pasi morën paralajmërimet e policisë.

“Ne dëgjuam sirenat në sfond dhe pamë helikopterë që fluturonin lart”, tha Alex për BBC.

Në linkun e mëposhtëm mund t’i gjeni videot e të mbijetuarve:

https://www.bbc.com/news/world-asia-47578410?fbclid=IwAR3i3sgVNlCimKsAc_T_pxNb46OL8uh5g2rHBJhQkACgueW-Zbbg-sXGoQk


Trump: Shqetësimi dhe ndjenjat më të përzemërta shkojnë për njerëzit e Zelandës së Re

? 13:09

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dondald Trump, ka shprehur ngushëllime për të vdekurit nga sulmi në Zelandën e Re.

Trump tha se 49 njerëz janë vdekur pa kuptim, njofton Klan Kosova.

“Shqetësimi dhe ndjenjat më të përzemërta shkojnë për njerëzit e Zelandës së Re pas masakrës së tmerrshme në xhami”.

“49 njerëz të pafajshëm kanë vdekur pa kuptim, por edhe të tjerë u plagosën rëndë”.

“SHBA-ja qëndron afër Zelandës së Re për çdo gjë që ne mund të bëjmë. Zoti i bekoftë të gjithë”, shkruan Trump në Twitter.


Pacolli: Shokuese që krimi monstruoz u kry nga dikush që ka admiruar kryekriminelin serb Karaxhiq

? 12:54

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se është i shokuar nga sulmi në Zelandë të Re, njofton Klan Kosova.

“Nga burimet e hapura mediatike globale, me reputacion, jemi të shokuar që sulmi monstrouz në një xhami në Zelandë të re, ku kanë humbur jetë dhjetëra të pafajshëm, është i motivuar nga rryma ekstreme religjioze, nacionaliste, dhe nga kulti i përplasjes, dhunës e luftës në Ballkan”.

“Është shokuese që ky krim monstrouz, jetë i motivuar nga dikush që ka admiruar apo admiron kryekriminelin serb, Radovan Karaxhiq”.

“Është e dhimbshme që fara e dhunës me rrënjë e burim rajonin, të prek jetën e qytetarëve të vende të lira e demokratike në skajin tjetër të globit. Kosova qëndron fuqishëm, në krah të vendeve perëndimore në luftimin e të gjitha llojeve të ekstremizmave, kudo burojnë ato”, shkruan Pacolli në rrjetin social Facebook.


Ambasada e Kosovës në Kanberra ofron numrat emergjentë pas sulmit në Zelandë të Re

?11:57

Ambasada e Kosovës në kryeqytetin australian, Kanberra, ka njoftuar shtetasit e Kosovës që jetojnë në Zelandë të Re se i ka vënë në dispozicion numrat emergjentë pas sulmit terrorist që ndodhi në dy xhami të qytetit Christchurch.

Ambasada ka bërë thirrje që të ndiqen këshillat që japin autoritetet e Zelandës së Re dhe autoriteteve, njofton Klan Kosova.

Kontaktet emergjente janë: +61 (02) 261130366 , +61403517113.


Veseli: Akti terrorist në Zelandën e Re duhet ta bashkojë gjithë botën kundër terrorizmit

?11:42

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka dënuar ashpër sulmin terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë dhjetëra persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Veseli ka thënë se ky akt terrorist i tmerrshëm goditi jo vetëm Zelandën e Re, por gjithë botën e lirë e demokratike.

“Kjo ngjarje e dhimbshme na bënë që të jemi më të bashkuar dhe më të vendosur në luftën kundër terrorizmit”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.


Limaj: Sulmi terrorist në Zelandë të Re, akt qyqar dhe i shëmtuar

?11:36

Kryetari i Nismës Socialdemokrate njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Fatmir Limaj, ka reaguar pas sulmit terrorist në xhamitë e Selandës së Re.

“Sulmi terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, cak i të cilit ishin dhjetëra persona të pafajshëm është akt qyqarë dhe i shëmtuar”.

“Kosova dhe qytetarët e saj janë përkrah popullit të Zelandës së Re në këto momente të vështira.
E gjithë bota demokratike duhet të angazhohet dhe të bëjë më shumë në parandalimin e sulmeve qyqare të cilat po marrin jetët e personave të pafajshëm”, ka shkruar ai në Facebook, transmeton Klan Kosova.


Terroristi i sulmit në Zelandë të Re i quan kosovarët “pushtues islamikë”, kritikon SHBA-në për ndërhyrjen në Kosovë

?11:10

Terroristi australian, i identifikuar si Brenton Tarrant, i cili vrau 49 veta në një xhami në Zelandën e Re, ka përmendur edhe Kosovën në një dokument 74-faqesh të publikuar para kryerjes së sulmit.

Ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbajtur anën e gabuar gjatë luftës në Kosovë, më 1999.

Në këtë manifesto, dokument 74-faqesh në të cilën 28-vjeçari flet për veten dhe shpjegon arsyen pse e realizoi sulmin, Tarrant rendit dhjetëra arsye pse e kreu sulmin, e pothuajse të gjitha prej tyre arsyetimeve të tij, kanë lidhje me pozitën e racës së bardhë në botë.

Ai flet për nevojën e ballkanizimit të SHBA-ve, që do të thotë ndarjen e njerëzve në Shtetet e Bashkuara në baza kulturore, shoqërore, e “më e rëndësishmja” sipas tij, në baza racore.

Australiani thotë se me rritjen e pushtetit të të bardhëve në SHBA, nuk do të ndodhte më kurrë një ndërhyrje e njëjtë ushtarake sikurse në Kosovë, ku sipas tij, amerikanët u rreshtuan në krahun e gabuar.

“Pse e realizova sulmin? […] Për të shkaktuar një përçarje midis kombeve të NATO-s që janë evropiane dhe Turqisë që gjithashtu është pjesë e NATO-s, duke e kthyer kështu NATO-n përsëri në një ushtri të bashkuar evropiane dhe duke e vendosur Turqinë edhe një herë në pozitën e armikut. Dhe e fundit, për të krijuar konflikt midis dy ideologjive brenda Shteteve të Bashkuara mbi të drejtën e pronësisë së armëve në mënyrë që ta çojë edhe më tej ndarjen shoqërore, kulturore, politike dhe racore brenda Shteteve të Bashkuara”, shkruhet në manifeston e publikuar nga Tarrant.

“Ky konflikt mbi ndryshimin e Amandamentit të Dytë të Kushtetutës së ShBA-ve dhe tentativa për heqjen e pronësisë së armëve të zjarrit do të rezultonte në një luftë civile që përfundimisht do ta ballkanizonte SHBA-në në sferat politike, kulturore dhe, më e rëndësishmja, në çështjen racore”

“Ky ballkanizim i SHBA-ve jo vetëm që do të rezultonte në ndarjen racore të njerëzve brenda Shteteve të Bashkuara për të siguruar të ardhmen e njerëzve të bardhë në Amerikën e Veriut. Për më tepër, ky ballkanizim do të zvogëlonte aftësinë e SHBA-ve për të ndërhyrë në vende të huaja, dhe në këtë mënyrë do të siguronte që të mos ndodhte kurrë e njëjta gjë sikurse përfshirja e SHBA-ve në Kosovë (ku Forcat e SHBA-ve/NATO-s luftuan përkrah myslimanëve dhe masakruan të krishterët evropianë që përpiqen t’i largojnë këta pushtues islamikë nga Evropa)”.

Në linkun më poshtë në faqen 9 dhe 10 të dokumentit mund ta lexoni pjesën ku ai flet për Kosovën.

The-Great-Replacement-2 (1)


Në armën e të dyshuarit për sulmin në Zelandë të Re shkruante “Skanderbeg”

?11:00

Në armën e personit të dyshuar për sulmin e kryer në Zelandë të Re ku humbën jetën 49 persona, ndodheshin disa mbishkrime, e ndër to shkruante edhe “Skanderbeg”.

Policia e ka identifikuar 28 vjeçarin Brenton Tarrant si të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre, transmeton Klan Kosova.

Tarrant ka filmuar vetën pak para se të kryejë sulmin në një xhami dhe aty mund të vërehët se në armën e tij ndodhej edhe emri “Skanderbeg”.


Londra shton masat e sigurisë rreth xhamive, pas sulmit në Zelandë të Re

? 11:07

Pas sulmit në dy xhami të Zelandës të Re ku mbetën të paktën 49 persona të vdekur, Londra ka shtuar masat e sigurisë rreth xhamive.

Kryetari i Londrës, Sadiq Khan, ka siguruar komunitetin mysliman në Londër se do të ketë kontrolla të shtuara të policëve të armatosur rreth xhamive, posaccërisht gjatë kohës së lutjeve fetare.

“Një lajm i trishtueshëm vjen nga Zelanda e Re këtë mëngjes, ku njerëz të pafajshëm janë vrarë për shkak të besimit fetar të tyre. Londra qëndron me popullin e Christchurch në këtë sulm të tmerrshëm terrorist. Londra gjithmonë do ta mbështesë diversitetin që ata kërkojnë ta shkatërrojnë”.

“Dua ta risiguroj komunitetin mysliman në Londër. Kam qenë vazhdimisht në kontakt me Policinë. Do të ketë kontrolla policore të shtuara rreth xhamive sot, gjithashtu edhe policë të armatosur derisa londinezët falen”.

Khan ka thënë se të gjithë ata që shohin diccka të dyshimtë duhet të raportojnë menjëherë.

Të paktën 49 persona kanë mbetur të vdekur dhe 48 të tjerë kanë mbetur të lënduar nga sulmi terrorist në dy xhamitë e  Christchurch të Zelandës së Re .


Vrasësi i 49 myslimanëve në Zelandë të Re e kishte idhull Millosh Obiliqin (VIDEO)

? 10:50

Personi i dyshuar për sulmet e kryera në xhami në Zelandë të Re ku mbetën të vdekur 49 persona si dhe u lënduan shumë të tjerë, e kishte idhull Millosh Obiliqin i cili është figurë kombëtare e Serbisë.

28 vjeçari Brenton Tarrant, nuk i kishte kursyer lëvdatat e tij për vrasjet që Obiliq kishte kryer ndaj otomanëve mysliman që në atë kohë konsideroheshin si një superfuqi botërore.

Kujtojmë se ushtaraku Millosh Obiliq është i njohur në historinë serbe për Betejën e Kosovës që është zhvilluar në vitin 1389 kundër Perandorisë Osmane.


Pasojat e sulmit në Zelandë të Re

? 10:45

Në dy xhami në qytetin Christchurch të Zelandës së Re kanë ndodhur sulme me amrë zjarri. Nga këto sulme mbetën të vrarë 49 persona dhe të plagosur 48 të tjerë.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e përshkroi këtë si një nga “ditët më të errrëta” të vendit, transmeton Klan Kosova.

Disa fotografi të publikuara nga BBC-ja tregojnë situatën se si është në Christchurch pas këtij sulmi:

Christchurch është i bllokuar pas sulmit, oficerët ruajnë vendet rreth qytetit.

Shkollat ​​u mbyllën kur ndodhi sulmi. Prindërit i morën fëmijët e tyre vonë dikur pasdite.

Dritarja e shkatërruar e veturës pranë xhamisë së Al Noorit.


Macron: Franca me mendje tek familjet e viktimave, zotohemi se do ta luftojmë terrorizimin

?10:39

Si pasojë e sulmeve me armë zjarri në dy xhami në Zelandë të Re, 49 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 45 persona janë lënduar.

Për këtë sulm ka reaguar edhe presidenti francez, Emmanuel Macron dhe është zotuar se bashkë me partnerët do ta luftojnë terrorizimin në botë, transmeton Klan Kosova.

“Franca është kundër të gjitha formave të ekstremizmit. Zotohemi se terrorizimin do ta luftojmë bashkërist me partnerët. Ne jemi me menje tek familjet e viktimave pas këtyre lrimeve të neveritshme”.


Sulmuesi i myslimanëve në Zelandë të Re – i obsesionuar në supremacinë e bardhë

? 10:17

Raportohet se njëri nga të dyshuarit për sulmet e kryera në Zelandë të Re, ishte vetë-përshkruar si person që është i obsesionuar me supremacinë e bardhë.

Një dosje të cilën e kishte publikuar vetë i dyshuari në rrjetet sociale, përmbante tekste kundër fesë Islame, shkruan The Sydney Morning Herald, transmeton Klan Kosova.

28 vjeçari Brenton Tarrant, është identifikuar nga autoritetet e sigurisë si i dyshuari që ka hapur zjarr mbi disa besimtarë që ndodheshin brenda xhamisë.

Policia ka hulumtuar në llogarinë e tij të Facebook-ut ku ka arrit ta gjejë një dokument prej 74 faqeve, në të cilin kundërshtohej ideja e multikulturalizmit për shkak se kjo gjë, sipas tij, ndikonte në “prishjen e kulturës europiane”.

“Origjina e gjuhës sime është europiane, kultura ime është europiane, bindjet e mia politike janë europiane, besimet e mia filozofike janë europiane, identiteti im është europian dhe më e rëndësishmja, gjaku im është europioan”, shkruante në dosje.

Ai gjithashtu në këtë dokument kishte përfshirë edhe emrat e disa figurave ushtarake serbe si Millosh Obiliq, i cili në historinë serbe është i njohur për Betejën e Kosovës të vitit 1389 kundër Perandorisë Osmane.

Tarrant nuk kishte kursyer lëvdatat e tij për vrasjet që Obiliq kishte kryer ndaj otomanëve mysliman që në atë kohë konsideroheshin si një superfuqi botërore.


Tusk për sulmin në Zelandë të Re: Mendimet tona në Evropë janë me viktimat dhe familjet e tyre

? 10:14

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i ka ofruar mbështetje shtetit të Zelandës së Re pas sulmit që ka ndodhur në dy xhamitë në qytetin Christchurch.

“Morra lajme jo të mira nga Zelanda e Re brenda natës. Sulmi brutal në Christchurch kurrë nuk do të zvogëlojë tolerancën dhe mirësjelljen që Zelanda e Re është e njohur”

“ Mendimet tona në Evropë janë me viktimat dhe familjet e tyre”. Kryeministrja Janicinda Arderm mund të mbështetet në solidaritetin tonë”, tha Tusk në Twitter.

Në armën e sulmuesit të Zelandës së Re ishin shkruar dy emra në serbisht

? 9:44

Vrasësi masiv që kreu masakrën në një nga xhamitë në Zelandën e Re, shkroi në armën e tij dy emra në gjuhën serbe në cirilikë!

Terroristi që sot mori pjesë në masakrën, duke vrarë 49 persona dhe duke plagosur 20 të tjerë, shkroi mbi armë emrat cirilikë: Marko Milajnov Popoviq dhe Stefan Lazar.

Mediat perëndimore, të tilla si Daily Mail, gabimisht thonë se ata janë emrat e terroristëve të tjerë që morën pjesë në një sulm të tmerrshëm.

Megjithatë, këta janë emrat e Dukës së Malit të Zi dhe i princit serb.

Marko Miljanov Popoviq (1833 – 1901), shkrimtar kombëtar malazez, komandant dhe guvernator i fisit Kuçi.

Stefan Lazar – Princi serb Lazar Hrebeljanoviq (1329 – 1389), vdiq në betejë me turqit në Fushë Kosovës. Ai përdori emrin mbretëror Stefan Lazar.


“Terrorizmi, e keqja më madhore me të cilën duhet të përballemi”

?09:53

Si pasojë e sulmeve me armë zjarri në dy xhami në Zelandë të Re, 49 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 45 persona janë lënduar.

Sulmin e ka dënuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

“Akti terrorist në Zelandë të Re, ku mbeten të vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm, cenon vlerat e një vendi të lirë dhe na prekë të gjithëve. Në emër të Qeverisë së Kosovës, shpreh dhimbjen për viktimat njerëzore të kësaj ngjarje të rëndë”.

“Ngushëllime familjeve dhe institucioneve të Zelandës së Re. Terrorizmi, pa marrë parasysh nga kush vjen, është e keqja më madhore me të cilën duhet të përballemi të gjithë së bashku. Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj përkrah aleatëve strategjikë për sigurinë globale”.


Zelandë e Re, dëshmitari tregon se pa një vajzë katërvjeçare të qëlluar në shpinë

? 09:37

Një dëshmitar i cili nuk deshi që identiteti t’i bëhej i ditur tha për CNN, që teksa ishte duke vozitur pa se kishte ndodhur sulmi, më pas ai u ndal që të ofrojë ndihmë, transmeton Klan Kosova.

“Isha duke vozitur, pashë njerëz të shtrirë në tokë, kështu që u ndala dhe pastaj sapo dilja nga kamioni, dëgjova të gjitha të shtënat e armëve”, tha ai.

“Kështu që unë thash jam vetëm duke u përpjekur për të ndihmuar ata dhe pash një djalë që zhdukej”

Ai tha se pa një burrë me një “me vajzën e tij e cila ishte3 ose 4 vjeçare”, e cila ishte qëlluar në shpinë.

“Ai ishte duke bërtitur si ta çonte në spital vajzën e tij dhe ambulanca nuk mund të hynte derisa të sigurohej zona, kështu që kisha vetëm kamionin tim dhe e kam ngarkuar atë dhe vajza e tij dhe i kam marr i kam dërguar në spital”, tha dëshmitari për CNN.


Thaçi: Kosova e dënon ashpër aktin terrorist në xhamitë e Zelandës së Re

? 09:23

Presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se Republika e Kosovës e dënon ashpër aktin terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, njofton Klan Kosova.

“Republika e Kosovës e dënon ashpër aktin terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vrarë 40 persona dhe u plagosën 20 të tjerë.

“Në këto momente të rënda, populli dhe institucionet e Kosovës ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe shtetin mik të Zelandës së Re”.

“Aktet e tilla dëshmojnë për domosdoshmërinë e vazhdimit të luftës kundër çdo forme të ekstremizmit dhe terrorizmit në botë”, shkruan Thaçi në rrjetin social Facebook.

Theresa May dënon sulmin e dhunshëm në Zelandë të Re

? 09:23

Si pasojë e sulmeve me armë zjarri në dy xhami në Zelandë të Re, 49 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 45 persona janë lënduar.

Rastin e ka dënuar edhe kryeministrja e Britanisë, Theresa May.

“Në emër të Mbretërisë së Bashkuar, ngushëllimet më të thella për popullin e Zelandës së Re pas sulmit të tmerrshëm terrorist në Christchurch”.

“Ne jemi me të gjithë ata që janë prekur nga ky akt i dhunshëm i dhunës”.


PAMJE TË RËNDA: Momenti kur sulmuesi hyn në xhami dhe vret besimtarët (VIDEO)

? 09:20

Sulmuesi i dy xhamive në Zelandën e Re ka filmuar vetën derisa ka kryer aktin terrorist dhe e ka hyrë drejtpërdrejt në rrjetet sociale.

Deri më tani nga sulmi kanë mbetur të vdekur 49 persona, njofton Klan Kosova.

Në videon e publikuar shihet sulmuesi derisa vret besimtarët në xhami kur ata ishin duke kryer lutjet e tyre.

Më poshtë videoja:

 


Numri i të vdekurve pas sulmit në Zelandë të Re rritet në 49

? 09:16

Numri i të vdekurve pas sulmit në dy xhamia në Zelandë të Re është rritur në 49.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Mike Bush, i cili ka konfirmuar se 41 persona kanë mbetur të vrarë në sulmin në xhaminë Deans Avenue.

Sipas Policisë, ndaj një personi të arrestuar tashmë është ngritur akuza për veprën penale të “vrasje”, pas sulmeve terroriste.


I dyshuari për sulmin në Zelandë të Re – filmon veten (VIDEO)

? 09:11

Si pasojë e sulmeve me armë zjarri në dy xhami në Zelandë të Re, 40 persona kanë humbur jetën si dhe 48 të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Mediat ndërkombëtare kanë arrit që ta sigurojnë një video të të dyshuarit që e kishte filmuar veten para se ta kryejë sulmin mizorë, transmeton Klan Kosova.

I dyshuari në veturën e tij e ka filmuar vetën duke dëgjuar muzikë në gjuhën serbe.

“Le ta fillojmë këtë parti” dëgjohet ai duke thënë, teksa vozitë veturën e tij në drejtim të xhamisë Al Noor në qendër të Christchurch.

Klikoni këtu për ta pare videon e plotë.


Erdogan dënon sulmin në Zelandë të Re: Shembulli i fundit i rritjes së racizmit dhe islamofobisë

? 09:09

Si pasojë e sulmeve me armë zjarri në dy xhami në Zelandë të Re, 49 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 45 persona janë lënduar.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka dënuar këtë sulm në emër të vendit të tij, transmeton Klan Kosova.

Ai ei quan vrasjet “të mjerueshme” dhe thotë se ky është “shembulli më i fundit i rritjes së racizmit dhe islamofobisë”.


Sulmuesi i Zelandës së Re ishte duke dëgjuar këngë serbe dhe angleze (VIDEO)

? 09:05

Sulmuesi i dy xhamive në Zelandën e Re e ka filmuar vetën e tij përmes një aparati fotografik të vendosur në kokë.

Ai ka transmetuar videon drejtpërdrejtë në YouTube duke shkuar për në xhaminë Al Noor në qendër të qytetit Christchurch, njofton Klan Kosova.

Në videon 17 minutëshe, sulmuesi ishte duke dëgjuar këngë në gjuhën serbe dhe angleze.

Ai në një moment dëgjohet duke thënë “Le të fillojë festa”.

Videon mund ta shihni në linkun e mëposhtëm:

https://www.smh.com.au/world/oceania/christchurch-shooting-gunman-s-chilling-live-stream-of-the-mosque-attack-20190315-p514n4.html?fbclid=IwAR0yTmA86z3ujhJLPohmJVh4XlGfYKF32E7Lq-8wLrzwja3FUILwNlXp9R4


Pacolli për sulmin në Zelandë të Re: E dënojmë me forcë këtë sulm

? 08:57

Si pasojë e sulmeve me armë zjarri në dy xhami në Zelandë të Re, 40 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 45 persona janë lënduar.

Behgjet Pacolli, ministri i Punëve të Jashtme, e ka dënuar këtë sulm.

“I tronditur nga sulmi terrorist në #Christchurch, të Zelandës së Re. Ne e dënojmë me forcë këtë sulm. Mendjen e kemi tek viktimat dhe familjet e tyre. Ne qëndrojmë të bashkuar në luftën kundër terrorizmit”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

I mbijetuari i sulmit në Zelandë të Re e pret gruan e tij para spitalit (FOTO)

? 08:41

Hamzah Noor Yahaya, një i mbijetuar nga sulmi në xhaminë Al Noor të Zelandës së Re, po qëndron para Spitalit të Christchurch dhe po pret gruan e tij të vijë ta marrë.

Credits: Kai Schwörer/ The Guardian


Sulmi në Zelandë të Re – Policia arreston një të dyshuar (VIDEO)

? 08:40

Sot kanë humbur jetën 40 persona si dhe 48 të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e sulmit me armë zjarri në dy xhami në Zelandë të re.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë autoritetet e sigurisë ku kanë arrit t’i arrestojnë katër persona të dyshuar për rastin, transmeton Klan Kosova.

Kryeministrja e këtij vendi, Jacinda Ardern, e ka cilësuar këtë sulm si “një ndër ditët më të zeza për Zelandën e Re”.


Sulmi në Zeland të Re, trenat dhe autobusët nuk po funksionojnë

? 08:33

Si pasojë e sulmeve me armë zjarri në dy xhami në Zelandë të Re, 40 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 45 persona janë lënduar.

Për shkak të kësaj situate, stacioni Britomart dhe gjërat tjera përreth janë të mbyllura. Kjo do të thotë se trenat dhe autobusët nuk po funksionojnë, transmeton Klan Kosova.


Sulmi në Zelandë të Re – dëshmitari: ‘Të vdekur dhe të plagosur’

? 08:27

Gazetari i Zelandës së Re të “Herald”  Kurt Bayer i tha BBC-së se të mbijetuarit e sulmit i kishin treguar se si ata iknin nga xhamia e “Al Noor” përmes një dritareje në pjesën e pasme të ndërtesës dhe pastaj u fshehën pas automjeteve në park.

Ata i thanë atij se më vonë e panë atë dhe mendonin  se ishin rreth 30 trupa të vdekur si dhe shumë të plagosur brenda dhe para xhamisë, transmeton Klan Kosova.


48 të lënduar nga sulmi me armë zjarri në Zelandë të Re

? 08.21

Spitali i Christchurch në Zelandën e Re është duke trajtuar 48 të lënduar nga sulmi me armë zjarri.

Në mesin e tyre janë fëmijë dhe të rritur, njofton Klan Kosova.

Lëndimet të disa janë më të lehta dhe tek disa janë më të rënda, sipas një deklarate nga David Meates, Kryeshefi Ekzekutiv i Bordit të Shëndetit të Qarkut Canterbury.

Rreth 200 anëtarë të familjes janë në shtëpi duke pritur lajme për të dashurit e tyre.


Sulm me armë zjarri në Zelandë të Re – 40 të vdekur

? 08:13

Si pasojë e sulmeve me armë zjarri në dy xhami në Zelandë të Re, 40 persona kanë humbur jetën si dhe 20 të tjerë janë lënduar.

Autoritetet e sigurisë kanë arritur që t’i arrestojnë dhe paraburgosin katër persona që dyshohet se janë të lidhur me krimin, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

Motivet për sulmin mbeten ende të paqarta dhe policia ende nuk e ka cilësuar këtë incident si një sulm terrorist.


Zelandë e Re, disa të vdekur pas sulmeve në dy xhami

? 07:24

Disa persona kanë vdekur pas të shtënave që kanë ndodhur në dy xhamitë në qytetin e Christchurch të Zelandës së Re.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e përshkroi këtë si një nga “ditët më të errrëta” të vendit.

Policia ka thënë se gjithë ngjarja është në zhvillim e sipër dhe po hetohet prandaj edhe nuk ka dhënë një shifër të saktë se sa njerëz janë vrarë.

Në ndërkohë, zëdhënësi i Policisë ka njoftuar se për këtë rast tre burra dhe një grua janë në paraburgim derisa ka paralajmëruar se shumë të dyshuar të tjerë mund të jenë akoma të lirë, transmeton Klan Kosova.

A file picture of the Al Noor Mosque on Deans Avenue in Christchurch, New Zealand

Dëshmitarët u kanë thënë mediave lokale se kur kanë ndodhur të shtënat kanë vrapuar që të shpëtojnë jetët e tyre derisa kanë parë edhe njerëz të përgjakur në afërsit të xhamisë Al Noor.

Autoritetet kanë këshilluar që të gjitha xhamitë në qytet të mbyllen deri në një njoftim tjetër duke thënë se ky ishte një akt i pashembullt i dhunës.

Map of the location of the shootings

klankosova.tv

Konkurs Pune

Lexo më shumë