LIVE| Publikohet deklarata e infermieres që rrahu të moshuarën: Ajo më sulmoi e para (VIDEO) - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LIVE| Publikohet deklarata e infermieres që rrahu të moshuarën: Ajo më sulmoi e para (VIDEO)

NULL NULL
02.11.2022 14:44

21:02 Infermierja deklarohet në polici: Ajo më sulmoi e para – s’përdora dhunë e as forcë të madhe

Infermierja Aurona Pelaj, e cila shihej teksa e rrah dhe e përqesh bashkë me disa kolege të saj, një të moshuar e cila ishte banore e një shtëpie të pleqve në Pejë, ka dhënë deklaratë në polici, pas arrestimit.

Në një tekst të gjatë të publikuar nga sinjali, specifikohet që Pelaj, ka arsyetuar sjelljet e saj duke thënë se “ajo [e moshuara] e para më ka sulmuar”, meqë siç theksonte ajo ishte agresive, përcjell klankosova.tv.

”Unë kur kam filluar punën ajo veç ka qenë banore e shtëpisë dhe se nga mjeku është konstatuar se e njëjta ka çrregullime mendore. Në ditën kur ka ndodhur rasti ajo ka qenë shumë agresive dhe kohë pas kohe përjetonte kriza nervoze dhe për këtë e kemi njoftuar doktorin. Atë ditë, e kemi pasur për detyrë që t’ua ndërrojmë pampersat pasi e moshuara (viktima) e kishte kryer nevojën fiziologjike dhe me duart e saj e ka ndotur hapësirën. Unë e kam dëgjuar një zhurme te banjoja dhe kam shkuar që të shikoj. Aty koleget e mija kishin pasur telashe dhe desha të ju ndihmoj. Ajo (viktima e moshuar) më ka sulmuar dhe më ka shkaktuar lëndime në dorë, më ka sulmuar me shqelm e para. Unë nuk kam përdor dhunë e as forcë të madhe përveç me ndalu sulmin e saj ndaj meje. Ajo atë ditë e ka sulmuar edhe një banore tjetër”, ka deklaruar ajo.

Pelaj ka deklaruar po ashtu se forca që e ka përdorur sipas saj ka qenë nën afekt, por në një formë i ka konsideruar si të drejtë veprimet e saj, me arsyetimin se duhet të jetë dominonte ndaj personave me probleme psikike.

”Në shkollë jemi mësuar se personat që paraqesin rrezik për personelin dhe kanë probleme psikike duhet të tregohemi dominant ndaj tyre. Unë jam e vetëdijshme se veprimi ka qenë i tepruar dhe nën afekt, por ajo e para më ka sulmuar dhe veprimet e mija kanë qenë paralajmëruese dhe jo me forcë të madhe. Koleget e mija janë munduar ta vënë nën kontroll atë (të moshuarën). Janë munduar me forcë ta ndërrojnë, ka qenë e fuqishme dhe është dashtë disa veta ta vënë nën kontroll”.

Në dëshminë e saj, Pelaj është shprehur e penduar thellësisht dhe emocionalisht keq për rastin që ka ndodhur.

Ajo ka deklaruar po ashtu se publikimi i videos është bërë me qëllim nga qendra pasi ajo e ka lënë punën gjatë ditës së djeshme.

Sipas saj, ajo s’ka qenë e përgatitur që të merret me persona që kanë probleme psikike.

Pamjet e rrahjes së të moshuarës në qendrën për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë kanë tronditur vendin.

Dy infermieret, Aurona Pelaj dhe Altina Rexhepi dyshohet se e sulmuan gruan e moshuar brutalisht, teksa Remize Kuqi regjistroi momentin.

 

20:51 – Sindikata e QKUK-së: Nuk i tolerojmë sjelljet e infermiereve si ndaj të moshuarës në Pejë

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së ka reaguar pas rastit të sulmit fizik ndaj të moshuarës në shtëpinë e të moshuarve në Pejë “Orenda”.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se ndjehen të shqetësuar për këtë ngjarje.

“Duke falënderuar qytetarët për besueshmërinë që kanë në infermierët dhe profesionin e infermierit, i sigurojmë që veprimet e tilla asnjëherë nuk do i pranojmë dhe tolerojmë”.

“Sjellje të tilla nuk u përkasin infermierëve, andaj ftojmë OIK ( Oda e Infermierëve të Kosovës ) që tani pas konfirmimit nga ana e Inspektoratit dhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me validitetin e licencave të punës të marrë masa urgjente ndaj atyre “infermiereve”, me ç’rast do mbrohen edhe infermierët e tjerë nga njollosja e profesionit të infermierit, si dhe duke siguruar qytetarët që vepra të tilla nuk do të tolerohen”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

19:58 – Osmani: Dhuna ndaj të moshuarës, krim i dyfishtë, rasti të trajtohet me prioritet

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dënuar ashpër aktin e dhunës nga një infermiere që i është bërë një të moshuare, e cila ishte dërguar për kujdes, në një shtëpi të pleqve në Pejë.

Osmani thotë se t’i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë pasi kontributi i tyre është themeli i vendit, njofton Klankosova.tv.

“Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T’i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë”.

“Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit. E kemi obligim ta bëjmë një shoqëri sa më humane dhe kjo përpjekje jona duhet të jetë e përditshme”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani, mes tjerash, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet, njofton Klankosova.tv.

“Zyra e Presidentes fton organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet ngase akte të tilla janë të patolerueshme dhe të dënueshme”.

19:52 – Dyshohet se kërcënoi pronarin e qendrës “Orenda”, arrestohet burri i njërës nga infermieret (VIDEO)

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë.

Dyshohet se bashkëshorti i njërës prej infermiereve të përfshira në sulmin ndaj të moshuarës ka kërcënuar pronarin e kësaj qendre, Anton Rasaj, për suspendimin nga puna të gruas së tij, njofton Klankosova.tv.

Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Rreth orës 18:55 policia është njoftuar nga ankuesi për një kanosje dhe është arrestuar një person. I njëjti është duke u intervistuar”, tha Gashi.

Infermierja ishte e përfshirë në sulmin ndaj të moshuarës që u bë publik sot, teksa policia deri tani ka arrestuar tre persona për këtë rast.

18:30 – MSh-ja ka bërë inspektimin e shtëpisë së të moshuarve “Orenda” në Pejë

Ministria e Shëndetësisë e dënon dhunën e ushtruar ndaj të moshuarës që ka ndodhur në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se kjo është një sjellje jonjerëzore nga infermieret në fjalë.

“Inspektorati Shëndetësor ka qenë sot për inspektim në këtë institucion privat në të cilin jepen dhe shërbime të përkujdesit shëndetësor. Të arrestuarat dhe të përfshirët në ngjarje janë të profesionit infermiere, të licencuara nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë”.

“Pas inspektimit, Raporti i Inspektoriatit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë do t’i dërgohet Odës, institucion ky i pavarur, me qëllim marrjen e masave konform ligjit, statutit, rregullave dhe kodit etik në fuqi”.

“Mbesim të përkushtuar për të ruajtur dinjitetin e çdo pacienti dhe të qytetarëve në përgjithësi kur përkujdesi i tyre u besohen profesionistëve shëndetësorë. Çdo abuzim me këtë besim do të ketë reagimin tonë të pa kompromis. Të njëjtën besojmë që do ta kenë dhe Odat e profesionistëve shëndetësorë”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

18:25 – Sulmi ndaj të moshuarës, flet dhëndri i saj: Është nënë dëshmori, e tërhoqëm nga kjo shtëpi (VIDEO)

Erzen Vala, dhëndri i të moshuarës ndaj të cilës u ushtrua dhunë fizike derisa gjendej në një shtëpi të moshuarish në Pejë, ka njoftuar se familja e viktimës tashmë e kanë tërhequr atë nga kjo shtëpi.

Në një prononcim për Klankosova.tv, ai ka thënë se deri në publikimin e videos ku shihet qartë dhuna e ushtruar ndaj saj nga një infermiere e kësaj shtëpie, nuk kanë parë shenja dhuna te viktima.

“Në videon që ka qarkulluar shihet qartë se është përdorur dhunë. Ne me marrjen e videos, me bashkëshorten time Zhenetën kemi ardhur për të bërë kërkesën për ta tërhequr. Pjesa tjetër se kush janë ato e për çfarë arsye e kanë bërë këtë vepër, ia lëmë ligjit atë pjesë”.

“Ka rreth një vit që është në këtë shtëpi. Deri më tani nuk kemi mundur të vërejmë se është përdorur dhunë ndaj saj. Zonja vuan nga Alzheimeri. Nuk kemi parë shenja dhune në trup, bindshëm e them se jemi pritur mirë, sa herë ka ardhur bashkëshortja ime ta vizitojë, jemi pritur mirë nga menaxhmenti”, tha Vala, raporton Klankosova.tv.

Dhëndri i të moshuarës konfirmoi se ajo është edhe nënë dëshmori, ndërsa tha se arsyeja pse familja e ka dërguar atë në shtëpi të moshuarish ka qenë “imponimi i jetës”.

“Viktima e ka djalin që jeton në Belgjikë, ka edhe vajzën, shoqen time. Është edhe djali që i është vrarë, është nënë e dëshmorit. Nuk e kemi sjellë për shkak të dëshirës, por e ka imponuar jeta për ta sjellë për një jetë më të mirë”, theksoi Vala.

Në fund, ai tha se menaxhmenti aktualisht është duke biseduar me inspektorët shëndetësorë për procedurat e mëtejme, teksa shtoi se familja e viktimës do të shohë se çka mund të bëjë në vijim. /Klankosova.tv

17:16 Policia me detaje shtesë: Sulmi ndaj të moshuarës ndodhi para 5 dite, u arrestuan tre persona

Sulmi ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë nga një infermiere ka ndodhur pesë ditë më parë, më 29 tetor, sipas Policisë së Kosovës.

Deri më tani, Policia ka arrestuar tre persona të përfshirë në këtë rast pasi në pamjet e publikuara sot, pos infermieres që e sulmon të moshuarën, ka edhe persona tjerë që nuk veprojnë për të parandaluar sulmin, njofton Klankosova.tv.

Këtë për Klankosova.tv e ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Në këtë rast ka tre persona që janë arrestuar nga ajo qendër për të moshuar. Rasti ka ndodhur të shtunën më 29 tetor dhe mbi tre personat e arrestuar rëndojnë vepra të ndryshme penale”.

“Një person është arrestuar për veprën ‘Sulm’, një për veprën ‘Ndihmë për kryerje të sulmit’ dhe personi i tretë për veprën ‘incizim i paautorizuar’”, tha Gashi për Klankosova.tv.

Gashi, mes tjerash, bëri të ditur se me urdhër të Prokurorit, personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë. /Klankosova.tv

17:35 – Pacolli reagon për dhunën ndaj të moshuarës, shpreh dëshirën ta takojë

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas publikimit të pamjeve që tronditën vendin, ku e moshuara sulmohet fizikisht nga infermieret, në një shtëpi të pleqve në Pejë.

Pacolli tha se infermieret abuzuan më një nënë të moshuar, madje e një dëshmori.

“Ju që e goditni, ju që qeshni dhe ju që filmoni. Çfarë keni për të thënë tani? A e shihni që gjithçka në këtë botë kthehet si një bumerang. Keni krijuar lajme negativë në të gjithë vendin. Keni abuzuar me një nënë të moshuar. Madje e një dëshmori”, ka shkruar Pacolli në një postim në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Tutje Pacolli shprehu dëshirën që ta takojë viktimën e dhunës dhe ta dëgjojë se çfarë ka për të thënë ajo.

“Unë dëshiroj shumë ta takoj këtë grua dhe të dëgjoj çfarë ka për të thënë ajo. Por ju që keni shkaktuar këtë dhunë, shpresoj se do të keni mjaft kohë për të menduar për veprimin tuaj në qelinë tuaj”, përfundoi Pacolli.

17: 08 – “Orenda” publikon vendimin, katër infermieret janë suspenduar të martën (Dokument)

Qendra e të moshuarve në Pejë, “Orenda” ka marrë vendim që t’i suspendojë katër infermieret e përfshira në rastin e sulmit ndaj një të moshuare.

A.P. është suspenduar për sulmin e bërë, derisa A.R., R.K. dhe G.N. janë suspenduar nga puna me arsyetimin se nuk e kanë paraqitur rastin tek përgjegjësi, transmeton KlanKosova.tv.

Në dokumentin e publikuar nga qendra, figuron që vendimi është marrë të martën, më 1 nëntor.

16:57 Sulmi ndaj të moshuarës, ministrja Haxhiu paralajmëron se ky s’mund të jetë rasti i vetëm

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar mbi rastin e sotëm të sulmit ndaj të moshuarës në Pejë.

Ajo shprehet se bashkëpunimi i qytetarëve me institucionet, është i nevojshëm për të zbuluar edhe raste të tjera të dyshuara, përcjell klankosova.tv.

”Sjellja abuzuese e mizore, ndaj një të moshuare në Pejë, na ka tronditur të gjithëve.
Në këto momente institucionet përgjegjëse, policia dhe prokuroria, janë duke e bërë punën e tyre dhe disa nga personat e dyshuar janë arrestuar.
Abuzimi që pamë sot, nuk mund të jetë i vetmi prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive.
Hetimet duhet të thellohen!
Gjithashtu, menaxhmenti duhet të jap llogari për keqtrajtimin e qytetarëve në ato ambiente!”.

16:47 – Oda e Infermierëve: Jemi duke verifikuar nëse personat që sulmuan të moshuarën janë të kualifikuar

Oda e Infermierëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit ndaj të moshuarës në një shtëpi për të moshuar në Pejë nga një infermiere teksa disa të tjera e filmojnë dhe nuk ndërhyjnë.

OIK në reagim e dënon ashpër sjelljen e infermiereve teksa kanë thënë se janë duke bërë verifikimet e duhura për të parë nëse të njëjtat janë të kualifikuara, njofton Klankosova.tv.

“Sjellje të tilla janë të pa pranueshme dhe OIK është në verifkim të informacioneve nëse bëhet fjalë për ndonjë anëtare të saj apo siç ndodhë shpesh institucionet angazhojnë persona të pa kualifikuar e që me sjelljet e tyre ndikojnë direkt në imazhin e komunitetit shëndetësor. Sjellje të tilla nuk u përkasin punonjësve shëndetësorë andaj OIK i dënon ashpër ato dhe sapo të marrë informacion më të detajizuar dhe zyrtar dhe nëse rezulton se personi në fjalë është anëtare e OIK, do të veprohet konfirm legjislacionit në fuqi”, thuhet në reagimin e OIK.

Prokuroria ka bërë të ditur se janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar dhe të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi” dhe veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale ‘Sulmi’”.

16:34 Sulmi ndaj të moshuarës, Rrjeti i Grave kërkon që t’u hiqet licenca infermiereve

Qendra e të moshuarve në Pejë, “Orenda” ka marrë vendim që t’i suspendojë katër infermieret e përfshira në rastin e sulmit ndaj një të moshuare.

A.P. është suspenduar për sulmin e bërë, derisa A.R., R.K. dhe G.N. janë suspenduar nga puna me arsyetimin se nuk e kanë paraqitur rastin tek përgjegjësi, transmeton KlanKosova.tv.

Në dokumentin e publikuar nga qendra, figuron që vendimi është marrë të martën, më 1 nëntor.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar ndaj rastit që ndodhi në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë, ku një e moshuar është sulmuar nga një infermiere, teksa në videon që u shpërnda sot infermieret e tjera në asnjë moment nuk ndërhyjnë, por e mbështesin kolegen e tyre duke xhiruar dhe qeshur.

RrGK-ja, nëpërmjet një reagimi, ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që t’u hiqet licenca të gjitha infermiereve të përfshira dhe po ashtu kërkon që të largojë licencën e operimit të qendrës “Orenda”, pasi që shihet se, sipas rastit të fundit, në këtë qendër ndodh keqtrajtimi me persona të moshuar, njofton Klankosova.tv.

Përveç kësaj, RrGK-ja fton Policinë e Kosovës që të veprojnë me përgjegjësi të plotë duke arrestuar të gjitha infermieret e pranishme dhe fton të gjitha organet e tjera të drejtësisë që të hetojnë rastin me përgjegjësi të plotë dhe që infermieret, të cilat ushtrojnë dhunë, të marrin dënimin meritor.

Mes tjerash, bëjnë thirrje që gjatë punës me viktimën e moshuar, institucionet të kenë një qasje me fokus ndaj viktimës dhe që e njëjta të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme.

16.06 Çka thoshte Shtëpia e Pleqve, ku u rrah e moshuara për shërbimet ndaj tyre? 

Një rast i rëndë dhune ka ndodhur sot në Shtëpinë e Pleqve në Pejë.

Në një video që qarkulloi në rrjete sociale shihet se njëra nga punëtoret e kësaj qendre e sulmonte një të moshuar me shuplakë e shqelma.

Menjëherë pas daljes në publik të kësaj video, Policia e Kosovës arrestoi punëtoren e qendrës që sulmoi të moshuarën, e me të u arrestua edhe kryeinfermierja.

Ndërsa, Klan Kosova në dhjetor të vitit 2021 kishte raportuar në lidhje me atë se çfarë shërbime ofron kjo qendër.

Më poshtë gjeni kronikën e plotë se çka thoshin punëtoret e kësaj qendre në lidhje me shërbimin që ato ua japin të moshuarve.

16:02 Gazmend Muhaxheri reagon për sulmin ndaj të moshuarës në Shtëpinë e Pleqve (FOTO)

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar ndaj rastit të sulmit ndaj gruas së moshuar në Spitalin e Pleqve.

Muhaxheri i ka ftuar organet e rendit që ta trajtojnë këtë rast.

Ai tha se komuna nuk merret me asnjë institucion që ofron këso shërbimesh.


15:50 – Sveçla kërkon drejtësi për të moshuarën ndaj të cilës u ushtrua dhunë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ndaj videos ku shihet një infermiere duke ushtruar dhunë ndaj një të moshuarve në një Shtëpi të Pleqve në Pejës.

Sipas tij, veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje, njofton Klan Kosova.

“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë”.

“Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje”.

“Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”.

15:34 – Arrestohet edhe kryeinfermierja e Shtëpisë së Pleqve në Pejë

Pas arrestimit të të dyshuarës e cila e ka rrahur një grua të moshuar në Shtëpinë e Pleqve në Pejë, prangat iu kanë vënë edhe kryeinfermierës.

Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës Fadil Gashi.

Sot gjatë ditës Klankosova.tv ka raportuar lidhur me rastin në fjalë.

Aty shihet se si një nga punonjëset e godet me shuplakë gruan e moshuar.

15:31 – Nënkryetari i Pejës dënon ashpër rastin e dhunës ndaj të moshuarës në Shtëpinë e Pleqve

Nënkryetari i Pejës, Fatmir Asllani, e ka dënuar ashpër rastin e dhunës së rëndë fizike që ka ndodhur në një nga shtëpitë e të moshuarve në Pejë.

Ai ka thënë se janë duke u marrë me rastin dhe se është shqetësuar nga pamjet e rrahjes së të moshuarës.

“Tash e kemi marrë informatën dhe jemi duke u marrë me rastin. Së shpejti do të dalim me një reagim”, ka deklaruar ai për Klankosova.tv.

Ai ka kërkuar nga organet e rendit që ta hetojnë këtë rast dhe të shqiptojnë dënimet e merituara për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast dhune.

“Ftojmë organet e rendit që të merren në mënyrë ekspilicite me këtë rast dhe të intervistohet secili person i përfshirë dhe të merren masa ndaj tyre”, tha tutje ai.

Nënkryetari i Pejës ka thënë se kjo Shtëpi e Pleqve, ku ka ndodhur ky rast i rëndë, i është dhënë me koncesion një kompanie private dhe menaxhohet 100% nga e njëjta.

15:24 – Çitaku reagon për rrahjen e të moshuarës në Pejë: Nuk pata fuqi ta shikojë videon deri në fund

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj rastit ku një grua e moshuara u rrah në Shtëpinë e Pleqve në Pejë.

Çitaku tha se nuk ka pasur fuqi që ta shikonte deri në fund videon.

“Nuk pata forcë me e shiku deri në fund videon në të cilën disa infermijere e sulmonin fizikisht dhe e maltretonin psiqikisht një grua të moshuar në Pejë” – tha Çitaku.

“Emrat e tyre duhet të publikohen. Tu mirret e drejta e punës në institucione shëndetësore, si dhe të ndiqen penalisht. Kriminele”.

14:51 – Arrestohet punëtorja që sulmoi të moshuarën në Pejë

Është arrestuar e dyshuara që sulmoi gruan e moshuar në Shtëpinë e Pleqve në Pejë.

Kjo u bë e ditur nga burimet e Klan Kosovës brenda policisë.

Sipas informacioneve që ka Klan Kosova ngjarja ka ndodhur këtyre ditëve.

Klankosova.tv do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin.

14:44 – E moshuara rrahet nga punëtorja në Shtëpinë e Pleqve në Pejë

Një rast i rëndë dhune fizike ka ndodhur në një nga shtëpitë e të moshuarve në Kosovë. Nga pamjet që i ka siguruar Klan Kosova raportohet që ngjarja e rëndë ka ndodhur diku në Pejë.

Aty shihet se si një nga punonjëset e sulmon një grua të moshuar, duke e goditur me shuplaka dhe shqelma.